Rritja e çmimit të naftës, qeveria nis planin e kursimit: Duke nisur nga 3 prilli, e diela e parë e çdo muaji do të jetë…






Rritja e çmimit të naftës ka bërë që qeveria të nisë planin e kursimit, por edhe të mbrojtjes së mjedisit. Në një deklaratë për mediat, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka deklaruar se duke nisur nga 3 prilli, do të organizohet në rang kombëtar dita pa makina. Kjo nismë do të vazhdojë dhe do të jetë të dielën e parë të çdo muaji.

kumbaro

Kumbaro tha se në kushtet e një krize energjitike dhe karburanti, por edhe si përgjigje ndaj angazhimeve mjedisore të Shqipërisë, është një nismë e parë për të reduktuar lëvizjen me makina në ditët e pushimit.

“Nga data 3️ prill, e diela e parë e çdo muaji do të jetë si fillim DITË PA MAKINA në qytetet kryesore të çdo qarku. Nëse s’e fikim dot automjetin gjatë gjithë kohës, të paktën ta bëjmë ditëve të pushimit dhe të përdorim biçikletën a ecjen në këmbë.

Fillojmë mënjëherë në koordinim me bashkitë këtë plan kombëtar 🇦🇱 për kursim, për mjedisin dhe për shëndetin e të gjithëve”, tha Kumbaro.

Vendimi për tu organizuar dita pa makina në 12 qarqet u mor pas suksesit, qe sipas ministres pati dy dite me pare ky aktivitet ne Tirane.

“Në frymën e mirë të këtij organizimi kemi vendosur që ditën pa makina ta shtrijmë në qytetet kryesore në 12 qarqet e vendit. Ky është një thirrje për kursim dhe një mjedis të pastër”, u shpreh Kumbaro.

FJALA E MINISTRES KUMBARO

Krizën energjitike, si një kronikë të paralajmëruar jo shumë kohë më parë, fatkeqësisht po e ndjejmë pa dallim. Ngjarjet e fundit kanë vënë në vështirësi të gjitha ekonomitë globale dhe xhepat e çdo familjeje, sigurisht që pasojat po ndihen edhe në vendin tonë. Reagimi ka qenë i shpejtë, ku qeveria me ngritjen e Bordit të Transparencës po luan rolin vendimtar në shmangien e abuzimit me çmimin e karburanteve dhe të produkteve të shportës, me qëllim mbrojtjen e çdo qytetari. Angazhim ky që do të vazhdojë pa rreshtur, por nga ana tjetër sa i takon krizës së karburanteve kërkon mirëkuptimin e tonë në reduktimin e lëvizjeve me automjete sa më shumë të kemi mundësi. Dhe nëse s’mund ta shmangim ndezjen e makinës çdo ditë, të paktën ta fillojmë nga ditët e pushimit. Prandaj e nisim planin e Ditës pa Makina nga e diela e parë e çdo muaji, duke filluar prej datës 3 prill.

Sot Udhëzimi i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për organizimin e Ditës pa Makina në koordinim me institucionet e tjera dhe në përputhje me të gjitha ligjet dhe parimet e Kodit Rrugor, u është shpërndarë pefektëve dhe kryetarëve të bashkive, në mënyrë që të jemi në kohë për një organizim sa më të mirë. Ftoj secilin prej jush që në qytetet tuaja të bëheni partnerë të kësaj nisme: për kursim, për mjedis më të pastër, për shëndet.

Janë angazhime konkrete që përmirësojnë jetën tonë këtu, për t’u lënë fëmijëve një qytet më të pastër, një mjedis prej të cilit mos të na vijë turp që nuk arritëm t’ua lëmë trashëgim më të mirë nga ç’e gjetëm ne.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.