Rritja e tensioneve me Rusinë, Blinken “zbarkon” në Moldavi

rritja e tensioneve me rusine blinken zbarkon ne moldavi































Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken mbërriti sot në kryeqytetin e Moldavisë, Kishinau. Kjo është ndalesa e parë, e një turneu të shkurtër në Evropë, që synon të forcojë mbështetjen perëndimore për Ukrainën, mes vendeve aleate të NATO-s, si dhe atyre fqinje.

Blinken

Udhëtimi i kryediplomatit amerikan vjen mes përpjekjesh të Kievit për të frenuar sulmet ruse në lindje, ndërsa presidenti Vladimir Putin ka paralajmëruar se përdorimi nga Ukraina i armëve perëndimore për të goditur brenda Rusisë, mund të shkaktonte një konflikt global.

Në Kishinau, zoti Blinken do të takohet me presidenten pro-evropiane Maia Sandu, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë. Takimet vijnë në një kohë kur sipas zyrtarëve amerikanë ish-republika sovjetike, me një popullsi prej 2.5 milionë banorësh, që ndan një vijë të gjatë kufitare me Ukrainën, po përballet me “operacione ndikimi” nga Rusia.

Të premten diplomati më i lartë amerikan mbi çështje evropiane në Departamentin e Shtetit Jim O’Brien, u tha gazetarëve se Shtetet e Bashkuara ka të ngjarë të shpallin një “paketë të fuqishme” mbështetjeje për pavarësinë energjetike të Moldavisë. Por ai nuk dha detaje të mëtejshme mbi këtë çështje.

Nën udhëheqjen e zonjës Sandu, Moldavia ka dënuar me vendosmëri sulmin rus ndaj Ukrainës dhe ka përcaktuar si synim anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Po kështu vendi ka ulur ndjeshëm varësinë nga gazi natyror rus dhe po zgjeron burimet e furnizimit me energji elektrike.

Zoti O’Brien shtoi se Uashingtoni nuk ka informacion për ndonjë kërcënim të drejtpërdrejtë ushtarak që i kanoset rajonit separatist të Moldavisë, Transdniestrisë, nga Rusia. Moska ka në këtë rajon një forcë paqeruajtëse dhe ushtarësh që nga një luftë në fillim të viteve 1990.

Moldavia, e cila mban një referendum në muajin tetor që do të çimentonte në kushtetutën e vendit vullnetin për t’u bërë pjesë e BE-së, është një mbështetëse e zëshme e Ukrainës dhe e sheh sigurinë e saj të lidhur ngushtë me aftësinë e Kievit, për të frenuar forcat ruse.

“Mbështetja për Ukrainën është e barabartë me mbështetjen për Moldavinë, por kjo funksionon edhe anasjelltas. Mbështetja e Moldavisë forcon Ukrainën, sepse Ukraina ka nevojë për një Moldavi të fortë, demokratike dhe një fqinj mbështetës, pasi ne ndajmë një kufi prej 1200 kilometrash”, tha Olga Rosca, këshilltare e presidentes moldave mbi çështje të politikës së jashtme.

Ajo tha për agjencinë ‘Reuters’ se vizita e sekretarit Blinken ishte një “shenjë shumë e fortë mbështetjeje edhe për zgjedhjen që kanë bërë moldavët në drejtim të rrugës demokratike dhe aspiratave të tyre për në BE”.

TAKIMI I NATO-s

Më pas, gjatë kësaj jave Sekretari Blinken do të shkojë në Pragë për të marrë pjesë në një mbledhje jo zyrtare të ministrave të jashtëm të NATO-s. Ky takim do të përqëndrohet në vazhdimin e përgatitjeve për takimin e nivelit të lartë të aleancës që do të mbahet në muajin korrik në Uashington .

“Ne nuk parashikojmë se do të ketë një ftesë për Ukrainën për t’u bashkuar me NATO-n, por ne mendojmë se aty do të ofrohet mbështetjeje e rëndësishme për Ukrainën, ndërsa ajo bën përpjekje për të fituar luftën”, thotë zoti O’Brien.

“Kjo do të përfshijë mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s në ndërtimin e kapaciteteve të ushtrisë së Ukrainës dhe përpjekjet për të ndihmuar Ukrainën ndërsa ajo bën reformat e nevojshme në mënyrë që të jetë në gjendje t’i bashkohet BE-së dhe të bëjë përparim drejt NATO-s sa më shpejt që të jetë e mundur.”

Shtetet e Bashkuara kanë punuar me aleatët evropianë për të ndihmuar Ukrainën të fuqizojë ushtrinë e saj, përpjekje që do ta afronin Kievin me NATO-n. Disa vende anëtare individualisht, përfshirë Shtetet e Bashkuara, po punojnë për të arritur marrëveshje dypalëshe me Ukrainën.

Pas mbi dy vjet lufte që vlerësohet të jetë më vdekjeprurësja në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, aleatët perëndimorë po diskutojnë se si të ndalojnë përparimin e forcave ruse, ndërsa Presidenti Putin po përmend gjithnjë e më shumë rrezikun e një lufte globale.

Një çështje kritike ka qenë nëse aleatët do të lejojnë Ukrainën të përdorë armët që ata ofrojnë për të kryer sulme brenda Rusisë, një temë që mund të diskutohet në takimin e Pragës.

Në komentet për revistën ‘The Economist’, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u kërkoi anëtarëve të aleancës që të lejojnë Ukrainën të përdorë armët e tyre për sulme brenda Rusisë. Ky qëndrim është mbështetur nga disa anëtarë evropianë të aleancës transatlantike, por jo nga Shtetet e Bashkuara./VOA

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” <!–

–> © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts