Rrjedhja e dokumenteve, ja si i menaxhon Kremlini zgjedhjet në Rusi

rrjedhja e dokumenteve ja si i menaxhon kremlini zgjedhjet ne rusi
rrjedhja e dokumenteve ja si i menaxhon kremlini zgjedhjet ne rusi

Në fund të javës së kaluar, menaxherët në Uzinën e Përpunimit të Gazit Natyror në Astrakhan të Rusisë u dorëzuan punëtorëve fletëpalosje me udhëzimet se si të votojnë në zgjedhjet presidenciale të Rusisë, që do të mbahen nga data 15 deri më 17 mars, raporton kanali në Telegram, Ostorozhno Novosti. Sipas udhëzimeve, 5.000 punëtorëve të uzinës do t’u dërgohen mesazhe me tekst, që përmbajnë një vegëz që duhet ta hapin, kur të jenë në qendrat e votimit.

Vegëza do ta lokalizojë telefonin e tyre dhe, në këtë mënyrë, do t’i raportojë menaxhmentit të kompanisë që ata votuan. Punëtorët që nuk e marrin mesazhin, duhet të skanojnë një kod QR, të paraqitur nga një “person” në qendrën e votimit. Më 7 mars, grupi i pavarur i monitorimit të zgjedhjeve, Golos, i cili është i ndaluar në Rusi, raportoi se partia në pushtet, Rusia e Bashkuar, ka krijuar një projekt të quajtur GEO-SMS, që synon “të kontrollojë pjesëmarrjen e votuesve të sektorit shtetëror” në zgjedhje, përfshirë këtu punonjësit mjekësorë, mësuesit dhe punonjësit në ndërmarrjet shtetërore.

Përdorimi i softuerit për lokacionin, me qëllim të rritjes së pjesëmarrjes, është një risi në zgjedhjet e këtij viti, në të cilat Vladimir Putin pritet ta sigurojë mandatin e pestë si president. Ai figuron dukshëm në një dokument që rrodhi e që u postua në Telegram nga politikania e opozitës, Olga Sidelnikova, muajin e kaluar. Sidelnikova ishte kryetare administrative e qarkut Lomonosov të Moskës dhe tani jeton jashtë Rusisë. Dokumenti duket se është një prezantim i strategjisë zgjedhore të Kremlinit për Udmurtinë – një rajon me një popullsi prej afro 1.5 milion banorësh në pjesën qendrore të Rusisë.

Sidelnikova nuk pranoi të tregonte se si e ka siguruar dokumentin, por tha se e ka origjinalin dhe se nuk ka asnjë dyshim për vërtetësinë e tij. Dokumenti prej 38 faqesh tregon se “si janë zgjedhjet në Rusi”, tha Sidelnikova, duke shtuar se informacionet që dalin prej gjithë Rusisë, tregojnë se “rrëfimet janë padyshim të njëjta edhe në rajone të tjera”. Sergei Antonov, konsulent politik nga Udmurtia, që tani jeton jashtë vendit, thotë se është i sigurt se dokumenti që ka Sidelnikova, është i vërtetë dhe shton se të tilla dokumente “janë lëshuar në të gjitha rajonet e Rusisë”. “Të premten [15 mars], para orës 14:00, të gjithë punonjësit e sektorit shtetëror duhet të dërgojnë në server një mesazh me vendndodhjen e tyre të aktivizuar”, thotë Antonov. “Kjo është teknologji e re. Për çdo zgjedhje, sistemi përsoset”, shton ai.

Zgjedhjet nën Putinin nuk janë zhvilluar kurrë në mënyrë të drejtë, thonë grupet e monitorimit dhe kritikët e Kremlinit. Sipas tyre, shteti kontrollon çdo gjë – nga policia dhe gjykatat deri te komisionet zgjedhore, mediat shtetërore dhe qeveritë lokale. Por, fushata aktuale – e cila po zhvillohet në mes të pushtimit rus të Ukrainës dhe shtypjes shumëvjeçare të disidencës, që e ka margjinalizuar plotësisht opozitën – shihet si procesi më pak konkurrues në gati 25 vjet të Putinit herë si president, herë si kryeministër.

Raportet e mediave dhe komentet e zyrtarëve tregojnë se Kremlini synon të sigurojë 80-85 për qind të votave për Putinin, me një pjesëmarrje prej së paku 70 për qind. Analistët thonë se Putin dhe administrata e tij duan t’i shfrytëzojnë zgjedhjet për të rritur legjitimitetin e tij. Sigurimi i një pjesëmarrjeje të lartë ka qenë gjithmonë një “pikë e dobët” për Qeverinë, sipas Sidelnikovës. “Pavarësisht risive të viteve të fundit, si: eliminimi i monitorimit të pavarur, zgjerimi i votimit online, kontrollimi i komisioneve zgjedhore në të gjitha nivelet, ata kanë ende nevojë për njerëz që dalin në qendrat e votimit”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

“Dhe,kontrollimi i pjesëmarrjes nuk është i lehtë. Është pika e tyre e dobët”, thotë Sidelnikova. Sipas saj, ata kanë nevojë që njerëzit të ngrihen në këmbë dhe të shkojnë në votime. “Pasi ta sigurojnë pjesëmarrjen, ata mund të nxjerrin çfarëdo rezultati që duan, marrë parasysh se nuk ka monitorim të pavarur dhe se komisionet zgjedhore janë plotësisht të kontrolluara”, thotë Sidelnikova. Nga provat e brendshme, duket se dokumenti i siguruar nga Sidelnikova, u është paraqitur zyrtarëve në Udmurti jo më vonë se qershori i vitit 2023 – kohë në të cilën planifikimet për fushatën presidenciale kanë qenë në zhvillim e sipër. Dokumenti i kushton vëmendje të konsiderueshme problemit të rritjes së pjesëmarrjes nga 55% – sa është shifra tipike në Udmurti – në 80%.

Përveç softuerit të vendndodhjes, dokumenti bën thirrje për “mobilizimin” e votuesve edhe përmes zyrave të partisë Rusia e Bashkuar, si dhe përpjekjeve të administratave komunale dhe ligjvënësve lokalë. Ai i udhëzon administratat komunale që “ta kontrollojnë pjesëmarrjen përmes përfaqësuesve të tyre” në komisionet në vendvotime. Antonov thotë se Rusia e Bashkuar synon “të rrisë pjesëmarrjen me anë të burimeve administrative, duke mobilizuar punëtorët dhe duke mbajtur gara të ndryshme, ashtu si dhe ngjarje patriotike”. Megjithatë, shton ai, partia është shpesh e hendikepuar në aftësitë e saj për të realizuar plane të tilla, për shkak të mungesës së përgjithshme të entuziazmit në nivelet e saj më të ulëta.

“Kur bëhet fjalë për realizimin e ideve të tilla, rezulton se në celulat e partisë lokale ka njerëz që, realisht, nuk bëjnë asgjë ose njerëz që u është bërë presion për të qenë atje”, thotë Antonov.

“Pastrimi i projektit”
Dokumenti që ka rrjedhur detajon, gjithashtu, përpjekjet e Kremlinit “për të kontrolluar opinionin publik”, përfshirë edhe përpjekje të mëdha përmes mediave sociale. Fushata e Putinit, sipas dokumentit, i monitoron vazhdimisht bisedat në mediat sociale dhe grupet e diskutimit, me qëllim të kontrollimit të informacioneve negative dhe diskreditimit të nismave të opozitës. Dokumenti përfshin pika të tilla si “xhirimi dhe përpilimi i përmbajtjeve të dobishme”, “puna kundër çdo veprimi protestues që lind”, “krijimi dhe shpërndarja e kundërpërmbajtjes” e të tjera.

Ai përfshin edhe “pastrimin e projektit”, që synon ta identifikojë dhe “ta eliminojë shpejt” nga interneti të gjithë “materialin agjitativo-propagandues të opozitës”. Qeveria ka krijuar gjithashtu “organizata të vetëqeverisjes publike territoriale” – të përbëra nga aktivistë miqësorë ndaj Qeverisë – nga të cilat ka rekrutuar vëzhgues “të pavarur” të zgjedhjeve. Ata janë “pseudo-monitorues publikë”, thotë Antonov për 4.500 monitoruesit që Qeveria planifikon t’i shpërndajë në rajon.

“Detyrë e tyre është të mos lejojnë asnjë ‘provokim’ apo ‘falsifikim’”, thotë ai. “Kjo nënkupton se ata gjithmonë do të thonë se nuk ka pasur shkelje”, sipas tij. Sipas dokumentit, fushata e Putinit në Udmurti udhëhiqet nga kreu rajonal, Aleksandr Brechalov, i cili udhëheq edhe degën rajonale të Rusisë së Bashkuar që nga korriku i vitit 2020. Shefi i kabinetit të tij, Aleksandr Zhuravlyov, është një nga zëvendësit e tij në fushatë, i ngarkuar me “organizimin”. Dy zëvendësit e tjerë janë: nënkryetari i Udmurtisë, Roman Yefimov, i ngarkuar me financat, dhe kryetarja e Komisionit Rajonal të Zgjedhjeve të Udmurtisë, Svetlana Palchik, përgjegjëse për koordinimin e punës së qendrave të votimit dhe “mobilizimin e partisë”.

Struktura e fushatës, e përshkruar në dokumentin që ka rrjedhur, “dyfishon de facto strukturën e Qeverisë së Udmurtisë”, thotë Antonov. “Zgjedhjet në Rusinë e Putinit i janë afruar përsosmërisë së tyre logjike”, shton ai, “dhe do të mbahen sipas modelit të Bashkimit Sovjetik – pa alternativa, me një kandidat të vetëm”.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts