Rrjetet sociale dhe e drejta dërkombëtare private, sfidat dhe zgjidhjet juridike

rrjetet sociale dhe e drejta derkombetare private sfidat dhe zgjidhjet juridike

































NGA DR. ERINDA MALE  ERINDA MALE

Ju ka qëlluar ndonjëherë që ndërsa ishit të mbytur nga një sërë detyrash që shefi juaj ju kish ngarkuar për të përmbyllur sa më parë, duke dashur të shkëputeni sadopak nga ai që ishte realiteti juaj, keni kuriozuar nëpër profile të ndryshme në “Facebook” dhe të keni thënë qoftë dhe vetëm njëherë “Kjo e ka në terezi, kjo bën jetë!”, ndonëse më pas dëgjuat për 1001 e një sherret, dhunën fizike e psikologjike kurdoherë prezente në familjen e saj.

Apo atëherë, kur mezi prisje rrogën në fund të muajit dhe qejfi, dhe pushimet ishin të fundit në listën tuaj të prioriteteve, “Instagram”-i të çonte nëpër profile VIP-ash, ku shfaqeshin foto e video nga pushimet në Maldive, fundjavat në Milano apo foto koktejlesh nga baret dhe lounget me IN të Tiranës, për të dëgjuar pak kohë më pas se si televizionet buçisnin nga lajmet për sekuestrimin e pasurive dhe bllokim të llogarive bankare deri në monedhën e fundit të atij VIP-i.

Profile njerëzish të lumtur, me jetesë për t’u pasur zili, me veshjet firmato sipas ndërrimit të stinëve dhe trendeve të modës, me pushimet e ëndrrave dhe të bekuar me rininë e përjetshme dukej sikur sfidonin hapur realitetin tënd, por që në fakt, ndoshta, nuk ishte as realiteti i tyre, por thjesht çfarë dëshironin ata të shfaqnin.

“Ti je çfarë ndan” (you are what you share) është kjo një deklaratë, e cila qarkullon së fundmi në mediat sociale si për të përshkruar ndikimin thelbësor të mediave sociale në identitetin personal dhe në perceptimin e realitetit tonë apo të të tjerëve që njohim pak, ose aspak, në epokën digjitale.

Por çfarë janë mediat sociale?

Mediat sociale nuk janë gjë tjetër veçse platforma dhe mjete ‘online’ që lejojnë përdoruesit të krijojnë, ndajnë dhe ndërveprojnë me të tjerët. Përmes platformave sociale të cilat tashmë janë të shumta në numër, si “Facebook”, “Instagram”, “Tik Tok”, “Linkedin”, “Twitter” etj., përdoruesit lehtësojnë shkëmbimin e informacionit dhe opinioneve nëpërmjet formave të ndryshme si tekst, imazhe, video dhe transmetime të drejtpërdrejta.

Jo më kot, mediat sociale njihen sot jo vetëm si burime argëtimi dhe relaksi, apo si forma alternative të marrjes së informacioneve në kohë reale mbi gjithçka ndodh në vend apo dhe në botë, por mediat sociale janë edhe një burim i përsosur komunikimi me të afërm, miq, të njohur e këdo tjetër që ndan të njëjtën platformë.

A e dini se si njerëzit kalojnë pothuajse shtatë vite të jetës tyre në mediat sociale, ndërsa shpenzojnë më pak se dy vjet duke u socializuar në botën reale “offline”. Këto shifra nuk janë gjë tjetër vetëm një dëshmi e qartë se pa dyshim, mediat sociale janë bërë dhe janë sot pjesë e pandarë e jetës së përditshme për shumë njerëz.

Në botën e sotme digjitale, platformat e rrjeteve sociale kanë revolucionarizuar komunikimin, mënyrën se si ne ndërveprojmë me njerëzit, mënyrën se si bëhet tregti, se si lançohen lëvizjet shoqërore dhe si iniciohen fushatat sensibilizuese, duke paraqitur kështu sfida unike për të drejtën privatendërkombëtare. Ky ndërveprim “pa kufij” ndërmjet platformave të mediave sociale paraqet sfida komplekse konkrete në lidhje me juridiksionin dhe ligjin e aplikueshëm, si dy ndër parimet bazë të së drejtës ndërkombëtare private.

E drejta ndërkombëtare private, e njohur edhe si konflikti i ligjeve është ajo degë e së drejtës, që merret me mosmarrëveshjet ligjore që kanë në përbërje të tyre elementin e huaj, qoftë ky në objekt, subjekt apo në përmbajtje. Kjo degë e së drejtës, e cila gjithnjë e më shumë gjendet e thirrur në kauz sot, për shkak të këtij globalizimi dhe digjitalizimi galopant të çdo sfere të jetës sonë të përditshme sa personale dhe profesionale, nuk është gjë tjetër veçse një set rregullash që ka si detyrë të saj funksionale identifikimin e juridiksionit të aplikueshëm; zgjedhjen e ligjit të zbatueshëm në zgjidhjen e një konflikti me element të huaj si dhe njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve të huaja.

Por, si i realizon e drejta ndërkombëtare private parimet bazë të saj në kontekstin e mediave sociale?

Sfida e parë që shtrohet është ajo juridiksionale, thënë ndryshe: Identifikimi i jurisdiksionit të aplikueshëm, si një proces që konsiston në përcaktimin e juridiksionit gjyqësor, apo të gjykatës kompetente që do të ketë autoritetin për të shqyrtuar padinë me objekt një konflikt i ndodhur si pasojë e përdorimit të mediave sociale, çështje e cila mund të jetë veçanërisht sfiduese për shkak të natyrës pa kufij të aktiviteteve ‘online’. Për shembull, supozojmë një postim i realizuar në rrjetin social “Twitter” nga një përdorues në Shtetet e Bashkuara, përmbajtje e së cilës është shpifëse dhe denigruese dhe në dëm të një tjetër përdoruesi të platformës “Twitter”, i cili ndodhet në Francë.

Problematika që shtrohet në këtë ndërveprim mes të drejtës ndërkombëtare private dhe përdorimit të rrjeteve sociale është identifikimi se gjykata e cilit shtet ka autoritetin për të zgjidhur konfliktin në fjalë, ajo e SHBA (shteti nga i cili është bërë postimi) apo e Francës (shteti, shtetas i të cilit është apo ka vendbanimin personi që ka pësuar dëmin). Për të përcaktuar se cila gjykatë ka autoritetin për të shqyrtuar raste të tilla, duhet të merren parasysh të ashtuquajturit faktorë lidhës, rrethanat faktike të cilat paraqesin lidhje më të ngushtë me legjislacionin e një vendi të caktuar, të tilla si:

a. Vendndodhja e palëve: shteti ku ndodhet personi që ka pësuar dëmin dhe përgjegjësi.

b. Vendi ku u shkaktua dëmi: ku u krijua përmbajtja e dëmshme, u postua dhe ku ndihet efekti i saj.

c. Vendi ku ndodhet audienca e targetuar: nëse përmbajtja është drejtuar specifikisht ndaj përdoruesve në një juridiksion të caktuar.

Sfida e dytë që shtrohet përpara të drejtës ndërkombëtare private është ajo e identifikimit të ligjit të zbatueshëm. Përcaktimi i ligjit të zbatueshëm, i cili konsiston në përzgjedhjen e legjislacionit që do të aplikohet për mosmarrëveshjet apo konfliktet që mund të lindin gjatë përdorimit të rrjeteve sociale është kritik dhe shpesh kompleks. Detyrat që parashtrohen përpara gjykatës në këtë rast do të jenë:

-Identifikimi i faktorëve lidhës: që do të thotë evidentimi i atyre elementëve si vendndodhja e serverëve, vendbanimi i palëve, shtetësia e palëve, vendi ku u realizuar postimi, vendi ku erdhi dëmi apo faktorë të tjerë, të cilët mund të lehtësojnë në identifikimin e ligjit të zbatueshëm.

-Krahas identifikimit të ligjit të zbatueshëm, me rëndësi të verifikohet nëse ka një klauzolë të ligjit të zbatueshëm në Marrëveshjen e Përdoruesit të medias sociale. Klauzola e ligjit të zbatueshëm imponon aplikimin e atij ligji dhe asaj të drejtë të përcaktuar konkretisht në Marrëveshjen e Përdoruesit, kurdoherë kur kemi një konflikt apo mosmarrëveshje të lindur mes përdoruesve të asaj platforme, pavarësisht faktorëve lidhës si vendbanimi i palëve, vendi ku u shkaktua dëmi, vendi ku ndodhet personi i dëmtuar etj..

Shumë platforma të mediave sociale kanë bërë tashmë pjesë të Marrëveshjeve të tyre të Përdoruesit këto klauzola që specifikojnë cilat ligje do të udhëheqin mosmarrëveshjet. Ligji i zbatueshëm i përcaktuar në marrëveshje, do të jetë ligji për t’u zbatuar në çdo mosmarrëveshje që do të lindë në të ardhmen mes platformës dhe përdoruesve të saj apo mes përdoruesve me njëri-tjetrin. Sfida e radhës e së drejtës ndërkombëtarë private gjatë shqyrtimit të mosmarrëveshje që mund të lindin nga përdorimi i platformave të mediave sociale është Njohja dhe Zbatimi i Vendimeve të Huaja. Zbatimi i një vendimi të dhënë nga një gjykatë e huaj nga një vend tjetër mund të jetë problematik për shkak të dallimeve në sistemet dhe standardet ligjore.

Imagjinoni nëse një gjykatë e huaj përmes vendimit gjyqësor urdhëron heqjen e postimit të cilësuar si shpifje apo fyes, por njohja dhe zbatimi i këtij vendimi në një shtet tjetër ku ligjet për lirinë e fjalës janë më shtrënguese mund të jetë i vështirë. Në një situatë të tillë është e rëndësishme së pari të identifikohet nëse vendet e përfshira në konflikt kanë ose jo marrëveshje reciproke për njohjen dhe zbatimin e vendimeve të e tyre reciprokisht. Një nga kushtet themelore të njohjes dhe ekzekutimit të vendimeve gjyqësore të huaja është pranimi i tyre nga rendi i brendshëm publik, të vendit ku do të njihet dhe zbatohet vendimi i huaj. Pra, gjykatat mund të refuzojnë të zbatojnë vendime gjyqësore të huaja nëse ato vijnë në kundërshtim rëndin e brendshëm juridik dhe cenojnë interesin publik. Ndaj, krahas identifikimit të ekzistencës së marrëveshjeve reciproke për njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve të huaja, rëndësi të veçantë merr edhe verifikimi i klauzolave përjashtuese të rendit publik.

Sa u përket përpjekjeve të Shqipërisë për të pasur një legjislacion sa më të plotë dhe në përshtatje me zhvillimet e fundit teknologjike, duhet thënë se Shqipëria është një nga nëntë vendet kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Një nga kushtet kryesore për anëtarësimin e ardhshëm të Shqipërisë në BE është harmonizimi i legjislacionit vendas me Acquis Communautaire. Ndonëse, ende nuk është anëtare e BEsë, Shqipëria ka një kuadër rregullator mjaft të gjerë që përfshin komunikimet elektronike, mbrojtjen e të dhënave personale, krimin kibernetik dhe median. Shqipëria vazhdon të zhvillojë kuadrin ligjor për të adresuar më mirë sfidat e paraqitura nga epoka dixhitale dhe përdorimi i mediave sociale.

Në përmbyllje të këtij artikulli, duhet të pranojmë se ndërthurja e përdorimit të rrjeteve sociale dhe të drejtës ndërkombëtare private paraqet sfida dhe përpjekje të vazhdueshme. Harmonizimi ligjor, bashkëpunimi ndërkombëtar dhe masat e forta të mbrojtjes së të dhënave janë thelbësore për trajtimin e këtyre çështjeve. Platformat e mediave sociale mund të zvogëlojnë rreziqet ligjore duke përcaktuar qartë klauzolat e juridiksionit, ligjit të zbatueshëm dhe praktikat e privatësisë së të dhënave në Marrëveshjet e tyre të Përdorimit.

E ndërsa rrjetet sociale vazhdojnë të evoluojnë, këto sfida ligjore do të mbeten në qendër të debateve ligjore ndërkombëtare, duke kërkuar kuadër ligjor dhe rregullator të përshtatshëm për të garantuar drejtësi dhe llogaridhënie.

* Autorja: Pedagoge e së Drejtës Ndërkombëtare Private, Universiteti “Luarasi”

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” <!–

–> © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts