
11:45 19/04/2022
Rusia ashpërsoi sulmet në gjithë Ukrainën në ditën e 55. Siç paralajmëroi të Hënën edhe presidenti ukrainas Volodimir Zelenski, sulmi rus këtë të Martë u përqëndrua në rajonet e Luhanskut e Donjeckut. Ministria ruse e Mbrojtjes tha se ka goditur numër rekord prej 1260 objektivash brenda pak orëve në këto dy rajone e deri në Harkiv, Mikolaiv.
Rusët i vunë një tjetër ultimatum për t’u dorëzuar deri mesditën e kësaj të Marte, ushtarëve ukrainas të rrethuar në uzinën metalurgjike Azovstal në Mariupol, para se të nisin rrafshimin e saj. Jetesa për banorët e paktë të mbetur në Mariupolin e rrafshuar nga luftimet është shndërruar në makth. Mungon energjia elektrike, uji, ushqimet e shërbimi shëndetësor.
“Duhet urgjentisht të rregullojnë furnizimin me ujë. Si mund të jetohet pa ujë. Është e tmerrshme”.
“Ajo që na tremb më shumë është se çdo të bëhet me këtë qytet. Dikur ishte për t’u adhuruar. Tani është shkatërruar. Unë jam në pension dhe s’di çdo bëhet me pensionin tim. Ujin e transportojmë nga larg sepse nuk kemi as ujë as energji elektrike. Nuk kam fuqi t’a ngre ujin nga larg”.
Sakaq, Uashingtoni njoftoi se brenda pak ditësh, do të nisë trajinimin e ushtrisë ukrainase për përdorimin e topave Houitzer me rreze të gjatë veprimi, që pritet t’ua vështirësojnë rusëve fushatën e goditjes me artileri, armët e tyre kryesore në sulmin ndaj Ukrianë. Ndërsa mediat britanike thonë se Londra do t’i pajisë shumë shpejt ukrianasit me raketahedhës të blinduar Stormer.
Tv Klan