Rusia redukton ambiciet e luftës në Ukrainë

23:30 08/12/2022

Objektivi i Kremlinit është konsolidimi i territoreve të pushtuara

Me këtë gotë që i dridhej në duar, diktatori rus Vladimir Putin u shfaq krenar në Kremlin për sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës.

“Po, ne po e bëjmë këtë. Por kush e filloi? Kush e goditi urën e Krimesë? Kush hodhi në erë linjat e energjisë të termocentralit bërthamor në Kursk?”

Putini foli para gazetarëve pasi nderoi me medaljen e lartë “Hero i Rusisë” për ushtarakët që po vrasin civilët në Ukrainë. Putini akuzoi gjithashtu Ukrainën për mos furnizimin me ujë të Donetskut të pushtuar dhe shtoi se akte të tilla përbëjnë “gjenocid“.

Kremlini tha të enjten se është ende i vendosur për të siguruar të paktën pjesën më të madhe të territoreve në Ukrainën Lindore dhe Jugore që Moska i ka shpallur pjesë të Rusisë, por duket se ka hequr dorë nga kapja e territoreve të tjera në perëndim dhe verilindje.

Putin të mërkurën tha se Rusia ka arritur tashmë një “rezultat të rëndësishëm” me marrjen e “territoreve të reja” dhe e ka bërë Detin Azov “det të brendshëm“. Ai tha se kjo kishte qenë një aspiratë e Pjetrit të Madh – carit luftëtar të shekullit të 17-të dhe 18-të me të cilin ai e ka krahasuar veten në të kaluarën.

Presidenti ukrainas VolodymyrZelenskiy tha se trupat e tij do ta dëbojnë Rusinë nga i gjithë territori i pushtuar, duke përfshirë gadishullin e aneksuar të Krimesë.

Në front, forcat ruse vazhduan të sulmojnë vendbanimet civile në Ukrainën Lindore nga toka dhe ajri, një përpjekje për të siguruar territoret e pushtuara deri më tani. Luftime të ashpra po zhvillohen përgjatë gjithë vijës së demarkacionit në rajonin e Donetskut. Në vendbanimin Bakhmut dhe pjesë të tjera të rajonit Donetsk, sulmi rus vrau nëntë civilë.

Të enjten, forcat detare ruse rrëzuan një dron ukrainas mbi Detin e Zi, ndërsa burimet ukrainase raportuan shpërthime të fuqishme pranë një baze ajrore të Sevastopulit. Kremlini pranoi se Krimeja tani nuk është më tërësisht e mbrojtur dhe mund të preket nga sulmet ukrainase.

Ylli amerikan i basketbollit Brittney Griner u lirua në një këmbim të burgosurish mes Moskës dhe Uashingtonit. Shtetet e Bashkuara liruan trafikantin famëkeq rus të armëve, Viktor Bout. Presidenti amerikan Joe Biden e dha lajmin gjatë një konference shtypi në Shtëpinë e Bardhë, duke shtuar se basketbollistja amerikane po kthehet në shtëpi, pas disa muajsh “ferri” siç i cilësoi ai.

Klan News

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts