
15:51 03/12/2021
Reznikov: Ekspertët e zbulimit po analizojnë disa informacione
Rusia mund të sulmojë Ukrainën, Janarin e vitit të ardhshëm. Paralajmërimin e bëri në parlamentin ukrainas, ministri i mbrojtjes Oleksi Reznikov, i cili iu referua të dhënave të shërbimeve sekrete vendase. Sipas tij, ekspertët e zbulimit po analizojnë disa të dhëna që nuk e përjashtojnë skenarin e një sulmi në shkallë të gjerë ndaj këtij vendi nga ushtria ruse në javët e para të 2022-shit.
Ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov paralajmëroi se në Europë mund të përsëritet makthi i konfrontimeve të mëdha ushtarake, nëse NATO nuk heq dorë nga planet e zgjerimit drejt lindjes. Këtë ia bëri të qartë edhe sekretarit amerikan të shtetit Antony Blinken gjatë një takimi të veçantë në Stokholm.
Ndërsa Blinken e paralajmëroi se pasojat e një ndërhyrjeje ruse në Ukrainë do të jenë mjaft të rënda. Megjithatë, dy kryediplomatët shprehën angazhimin e plotë për një zgjidhje paqësore.
Rusia e sheh si kërcënim afrimin e aleancës veriatlantike në një vend kufitar si Ukraina, që për më tepër ka pasur bashkëpunimin më të ngushtë me ushtrinë ruse, pas shpërbërjes së ish-Bashkimit Sovjetik. Prej 2014-ës, Rusia ka stacionuar mbi 90 mijë ushtarë në kufirin mes dy vendeve.
Tv Klan
Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al