Rusia vret të tjerë civilë në Ukrainë; bombardon një vendstrehim në Toretsk

rusia vret te tjere civile ne ukraine bombardon nje vendstrehim ne toretsk
rusia vret te tjere civile ne ukraine bombardon nje vendstrehim ne toretsk

Gjashtë civilë të tjerë ukrainas u vranë të hënën, njoftoi një zyrtar i emergjencave, kur Rusia bombardoi një strehim dykatësh në qytetin lindor Toretsk. Shërbimi Shtetëror i Emergjencave tha në Facebook se ekipet e kërkimit kishin gjetur pesë trupa nën rrënoja dhe kishin nxjerrë tre persona të tjerë të gjallë, nga të cilët njëri humbi jetën më pas në spital. “Qyteti Toretsk u sulmua sot që në mëngjes. Një godinë dykatëshe ku ishin strehuar njerëz u shkatërrua nga një predhë”, thuhej në deklaratë.

Një fotografi tregon ekipet që rrëmojnë, por shërbimi i emergjencave tha se kërkimi për të mbijetuarit është ndalur tashmë. Megjithëse Rusia mohon se vendos në objektiv civilët, forcat ruse kanë bombarduar objekte të shumta joushtarake gjatë kësaj periudhe pesëmujore duke vrarë me qindra civilë.

Në frontin diplomatik, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha të hënën se shpreson se do të ketë një marrëveshje këtë javë që Rusia t’i japë fund bllokadës së porteve ukrainase në Odesa dhe gjetkë. Jetët e dhjetëra mijëra njerëzve varen nga një marrëveshje e tillë, ndërkohë që ka mungesa të ushqimeve në shumë vende. Duke folur me gazetarët në Bruksel, zoti Borrell tha se Rusia duhet të lejojë eksportet e grurit ukrainas ose përndryshe komuniteti ndërkombëtar do të duhet të thotë se Rusia “po përdor ushqimin si armë pa marrë parasysh jetën e qenieve njerëzore”.

“Nuk është një lojë diplomatike. Është një çështje për jetë a vdekje për shumë njerëz”, tha zoti Borrell. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres tha javën e kaluar se ka “dakortësi të gjerë” për një marrëveshje mes Rusisë dhe Ukrainës, së bashku me Turqinë dhe Kombet e Bashkuara, për të eksportuar miliona tonë grurë ukrainas të mbetur në magazina që nga pushtimi i Rusisë më 24 shkurt.

Brenda Ukrainës, ushtria e vendit raportoi të hënën se bombardimet ruse po vazhdonin në disa zona, përfshirë në rajonet Slovyansk dhe Kharkiv. Në rajonin e Donetskut, një fokus kryesor për Rusinë, ushtria e Ukrainës tha se forcat ruse po përpiqeshin të bënin një sulm në Hryhorivka.

Ministria e Mbrojtjes e Britanisë tha se ushtria ruse po përdor kompaninë private ushtarake Wagner për të përforcuar forcat e saj në front dhe për të kompensuar mungesat e shkaktuara nga viktimat në radhët e forcave ruse. “Wagner ka luajtur pothuajse me siguri një rol qendror në luftimet e fundit, përfshirë në kapjen e qyteteve Popasna dhe Lysychansk. Këto luftime i kanë shkaktuar këtij grupi viktima të rënda”, tha ministria.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb


Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts