“Sa i shëmtuar pa syze”, Klop: Nuk jam Papa që të korrigjoj arbitrat










Jurgen Klop nuk është nga ata trajnerë të urtë, madje atë adrenalinë që shfaq në zonën e tij anës fushës shpesh e tregon edhe në konferencat për shtyp apo në intervistat e tij, siç ishte ajo e fundit e dhënë për prestigjiozen “Bild” ditën e djeshme, në të cilën flet nga tensioni që e ka parë protagonist në këto dy ndeshje të para në Premier Ligë, tek e ardhmja e mundshme në stolin e Gjermanisë e deri te jeta e re pa syze.

Jurgen-Klopp

SA SHUMË SIMULIME – “Kam nisur të jem nervoz me arbitrat? Po, por me të drejtë dhe pa ofenduar askënd. Unë kam qenë ndër të parët që kanë ngritur zërin që ata të nisnin të mbronin më shumë futbollistët, duke qenë se të paktën në Angli luhet shpeshherë shumë ashpër. Por në këto dy vite të fundit, duke parë kalendarët e ngjeshur dhe lodhjen e tepërt të akumuluar, kam kërkuar patjetër kujdes, por jo që arbitrat t’ia lehtësojnë në maksimum punën vetes së tyre.

Tashmë kam nisur të shoh që në çdo tentativë për të kapur topin në ajër vërshëllehet faull, duke frenuar shumë shpesh lojën. Unë jam dakord që të bëhet shumë kujdes me bërrylat, por jo të mjaftojë që ato të hapen, dhe ndonëse nuk prekin askënd të vërshëllehet faull, pasi lojtarët rivalë nëse nuk e kapin topin, shtrihen dhe bëjnë skena të kota menjëherë në tokë. Dua të theksoj se nuk jam Papa, nuk jam askush që të nis të udhëzoj për të jetuar në paqe dhe të korrigjoj të tjerët, por ama të nisim të luajmë futboll siç duhet, ndryshe e penalizojmë lojën”.

GJERMANIA 2024 – Për “Bild”, shpesh ai ka qenë figura që i duhej stolit të “Pancerave”, por me sa duket edhe në 2024-ën, kur kontrata e tij me Liverpulin të skadojë, do të jetë e vështirë që një mundësi e tillë të ndodhë: “Ju më pyesni se çfarë do të bëj pas tri vitesh, por më thoni kush dreqin e di këtë?!

Por meqë këmbëngulni mbi këtë temë, unë po dal hapur dhe po them se në rast oferte do ta marr parasysh stolin gjerman, por ndërkohë Hansi Flik, një trajner shumë i madh, ka një kontratë deri në 2025-ën me federatën. Tani më thoni, si zgjidhet kjo punë?!”

JETA PA SYZE – Këtë verë, Jurgen Klop habiti të gjithë teksa kishte vendosur që të operonte sytë dhe të hiqte dorë nga syzet, një argument mbi të cilin edhe ai vetë bën shaka.

“Kur u pashë herën e parë në pasqyrë, nuk njoha veten. Gati u tremba! Ngjaja shëmtuar, dukesha çuditshëm, duke qenë se syzet i kam mbajtur që kur kam qenë 10 vjeç dhe isha mësuar me to. Për momentin më duhet të ambientohem, por kur të vijë puna që të më duhen sërish, do t’i vë patjetër, pasi mendoj se dukem edhe më bukur me to”, përfundoi duke qeshur trajneri i të kuqve.

PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *