Sa në LIIB dhe Luftën Civile, arrin në 1 milion numri i viktimave nga COVID-19 në SHBA

Në Shtetet e Bashkuara numri i vdekjeve nga COVID-19 arriti 1 milion të hënën, një shifër dikur e paimagjinueshme që ka tronditur dhe pikëlluar mijëra njerëz që kanë humbur njerëzit e tyre.

Numri i konfirmuar i vdekjeve nga COVID-i është i barabartë me numrin e amerikanëve që humbën jetën gjatë Luftës Civile dhe Luftës së Dytë Botërore të marra së bashku. Është njëlloj sikur Bostoni dhe Pitsburgu të shfaroseshin.

“Është e vështirë të imagjinosh një milion njerëz të zhdukur nga kjo tokë”, tha Jennifer Nuzzo, e cila drejton një qendër të re pandemie në Shkollën e Shëndetit Publik të Universitetit Brown në Providence të shtetit Rhode Island. “Kjo ende po ndodh dhe ne po e lëmë të ndodhë”.

Shumë njerëz që kanë humbur të dashurit e tyre thonë se nuk mund të kthehen në normalitet. Ata dëgjojnë zërat e regjistruar të njerëzve të tyre të humbur ose shikojnë filmimet me ta. Kur njerëzit e tjerë shprehen se kanë mbaruar punë me virusin, ata mbushen me zemërim ose pikëllohen në heshtje.

“Normalitet. Unë e urrej atë fjalë”, thotë 55 vjeçarja Julie Wallace nga Elyria, Ohio, e cila humbi burrin e saj nga COVID-19 në vitin 2020. “Ne nuk mund të kthehemi kurrë në normalitet”.

Tre nga çdo katër vdekje u regjistruan tek grupmosha 65 vjeç e lart. Më shumë burra humbën jetën sesa gra. Në përgjithësi, shumica e të vdekurve ishin të bardhë. Por popullsitë me ngjyrë, hispanikët dhe indigjenët kanë pasur afërsisht dy herë më shumë gjasa të vdesin nga COVID-19 sesa popullsia e bardhë.

Shumica e vdekjeve ndodhën në zonat urbane, por vendet rurale që ishin kundër maskave në disa raste paguan një çmim të lartë.

Numri i vdekjeve, që nga shpërthimi i pandemisë e deri më sot, bazohet në të dhënat nga çertifikatat e vdekjes të mbledhura nga Qendra Kombëtare për Statistikat Shëndetësore të Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, CDC.

Por numri i saktë i jetëve të humbura nga COVID-19, në mënyrë të drejtpërdrejt ose indirekte, si rezultat i mbingarkesës së sistemit të kujdesit shëndetësor në vendin më të pasur në botë, besohet të jetë shumë më i lartë.

Shtetet e Bashkuara kanë numrin më të lartë të vdekjeve të raportuara nga COVID-19 sesa çdo vend tjetër, megjithëse ekspertët e shëndetit kanë shprehur dyshime prej kohësh se numri real i vdekjeve në vende si India, Brazili dhe Rusia është më i lartë se shifrat zyrtare.

Ky moment historik vjen pak më shumë se tre muaj që kur Shtetet e Bashkuara shënuan 900,000 të vdekur. Ritmi është ngadalësuar që nga rritja e madhe e dimrit e shkaktuar nga varianti Omicron.

Mesatarisht në Shtetet e Bashkuara rreth 300 njerëz humbasin jetën nga COVID-19, krahasuar me 3,400 në ditë gjatë janarit të vitit 2021.

Ndërkohë rastet e reja po shtohen përsëri, një rritje prej më shumë se 60% gjatë dy javëve të fundit në një mesatare prej rreth 86,000 në ditë. Niveli më i lartë i infektimeve arriti gjatë periudhës së dimrit me mbi 800,000 në ditë.

Një javë më parë, Katredalja Kombëtare e Uashingtonit i ra këmbanës 1,000 herë, një herë për çdo 1,000 vdekje. Presidenti Joe Biden dha urdhër të enjten që flamujtë të ulen në gjysmë shtizë dhe e quajti çdo jetë “një humbje të pazëvendësueshme”.

“Si komb, ne nuk duhet të mpihemi nga një pikëllim i tillë. Për t’u shëruar, duhet t’i ruajmë ata në kujtesën tonë”, tha Presidenti Biden.

Më shumë se gjysma e vdekjeve ndodhën pas daljes së vaksinës në dhjetor të vitit 2020. Dy të tretat e amerikanëve janë plotësisht të vaksinuar dhe gati gjysma e tyre kanë marrë të paktën një dozë përforcuese. Por kërkesa ka rënë dhe fushata për vaksinimin është goditur rëndë nga keqinformimi, mosbesimi dhe polarizimi politik.

Njerëzit e pavaksinuar kanë një rrezik 10 herë më të madh për të vdekur nga COVID-19 sesa të vaksinuarit plotësisht, sipas të dhënave nga CDC./VOA/

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb


Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.