
07:44 15/11/2022
Rishi Sunak: Ndryshimi i vetëm me i madh është që Rusia të largohet nga Ukraina dhe t’i japë fund kësaj lufte barbare
Samiti i G20 hapet në Bali me një lutje për unitet, ndërsa lufta në Ukrainë është në krye të agjendës së diskutimeve.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u tha udhëheqësve të kombeve më të pasura të botës se tani ishte koha për të ndaluar luftën e Rusisë në vendin e tij sipas një plani paqeje që ai ka propozuar. Zelenskiy u shpreh se lufta duhet të përfundojë drejtësisht në bazë të Kartës së OKB-së dhe ligjit ndërkombëtar.
“ Ukraina ka qenë gjithmonë një lider në përpjekjet paqeruajtëse dhe bota e ka parë këtë. Nëse Rusia thotë se gjoja se dëshiron t’i japë fund kësaj lufte, le ta vërtetojë me veprime. Ne nuk do të lejojmë Rusinë të presë, të vendosë forcat e saj dhe më pas të fillojë një seri të re terrori dhe destabilizimi global. Nuk do të ketë Minsk-3, të cilin Rusia do ta shkelë menjëherë pas marrëveshjes. Ekziston një formulë ukrainase, paqe për Ukrainën, Evropën dhe botën”, është shprehur Volodymyr Zelensky.
Presidenti ukrainas bëri thirrje për rivendosjen e sigurisë nga rrezatimi në lidhje me termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia, kufizimet e çmimeve në burimet ruse të energjisë dhe zgjerimin e një nisme për eksportin e grurit. Ai gjithashtu bëri thirrje që të gjithë të burgosurit ukrainas të lirohen.
Samiti u hap me një lutje nga presidenti indonezian Joko Widodo për unitet dhe veprime konkrete pavarësisht përçarjeve të thella për luftën. Ndërkaq edhe kryeministri i ri i Britanisë, Rishi Sunak e përdori fjalimin e tij për të dënuar shënjestrimin e civilëve.
“Vetëm një njeri ka fuqinë për të ndryshuar të gjitha këto. Putin duhet të ishte këtu të përballej me liderët globalë në këtë samit. Ndoshta nëse do të ishte, ne mund të vazhdonim me arritjen e një marrëveshjeje për paqe. Sepse ndryshimi i vetëm më i madh që dikush mund të bëjë është që Rusia të largohet nga Ukraina dhe t’i japë fund kësaj lufte barbare”, ka thënë Rishi Sunak .
Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel bëri thirrje që të gjithë partnerët e G20 të bëjnë më shumë presion mbi Rusinë” dhe kritikoi Moskën për duke shkaktuar një krizë globale të energjisë dhe ushqimit. Një shenjë pozitive në prag të samitit ishte një takim dypalësh tre-orësh midis Presidentit të SHBA Joe Biden dhe udhëheqësit kinez Xi Jinping, në të cilin të dy liderët u zotuan për komunikime më të shpeshta pavarësisht shumë dallimeve. Mbledhjet e ministrave të G20-ës kanë dështuar të prodhojnë komunikata të përbashkëta, për shkak të mosmarrëveshjeve midis Rusisë dhe anëtarëve të tjerë për gjuhën që duhet përdorur, duke përfshirë edhe atë se si të përshkruhet lufta në Ukrainë.
Klan News