Sapo mori detyrën, ministri i Jashtëm britanik udhëtimin e parë e bën në Berlin

sapo mori detyren ministri i jashtem britanik udhetimin e pare e ben ne berlin
sapo mori detyren ministri i jashtem britanik udhetimin e pare e ben ne berlin

Ministri i Jashtëm britanik vizitën e parë jashtë vendit e bëri në Gjermani. Lammy theksoi se vendi i tij dëshiron të përmirësojë marrëdhëniet me BE dhe gjithashtu të bashkëpunojë më ngushtë në fusha të tjera.

Gjermania ishte shteti i parë që vizitoi ministri i Jashtëm britanik, David Lammy sapo u emërua në post. “Kjo qeveri e re e Mbretërisë së Bashkuar i ka përcaktuar prioritetet e saj shumë qartë. Ne duam një fillim të ri – një “rivendosje” – në marrëdhëniet tona me Evropën,” tha Lammy për agjencinë e lajmeve Reuters. Britania e Madhe ka marrëdhënie tregtare shumë të gjera dhe të rëndësishme me Gjermaninë, tha ministri i Jashtëm britanik.

Pas takimit të saj me Lammy-n, ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock shkroi në platformën X se Mbretëria e Bashkuar është një “partnere dhe mike e ngushtë”.

Veç Baerbock-ut, Lammy u takua edhe me shefin e Zyrës Kancelarore, Wolfgang Schmidt. Lammy kishte bërë të ditur se do të vizitonte shpejt disa aleatë në rast të fitores elektorale.

Jo anëtarësim në BE

Lammy theksoi gjithashtu se qeveria laburiste nuk do të përpiqet të rihyjë në BE. “Ne nuk do të rihyjmë në tregun e përbashkët apo në bashkimin doganor, por ka shumë gjëra që mund të bëjmë së bashku.” Qeveria e re dëshiron të lërë prapa vitet e Brexit-it. “Kjo fillon me sigurinë dhe një pakt sigurie midis Mbretërisë së Bashkuar dhe BE.” Ky pakt mund të mbulojë çështje të tilla si mbrojtja, energjia dhe klima dhe të ketë një shtrirje shumë të gjerë.Politika e mbrojtjes, fokus i vëmendjes

Baerbock-u përmendi përgatitjen e samitit të NATO-s si një nga temat e bashkëpunimit me Mbretërinë e Bashkuar për forcimin e mbrojtjes evropiane. Për më tepër, të dyja palët duhet të bashkëpunojnë në politikën ndërkombëtare të klimës dhe në përpjekjen për të zbutur konfliktin në Lindjen e Mesme me një zgjidhje me dy shtete për izraelitët dhe palestinezët. Lidhur me luftën e Gazës, në postimin e saj në X, ministrja e përshkroi planin e armëpushimit të paraqitur nga presidenti amerikan, Joe Biden, si “të vetmen rrugëdalje nga ngërçi i luftës”.

Baerbock e përshkroi Mbretërinë e Bashkuar si një “pjesë të domosdoshme të Evropës”. Përveç kësaj, ajo shpjegoi se Gjermania po punon me qeverinë e re britanike për të gjetur “si Mbretëria e Bashkuar mund të afrohet përsëri me BE”. Kjo vlen për fusha të tilla si shkenca, kultura dhe siguria.”Ne po shqyrtojmë me qeverinë e re britanike se si Britania e Madhe mund të afrohet sërish me BE-në”.

Scholz dhe Starmer flasin në telefon

Kontaktet tashmë janë zhvilluar në një nivel më të lartë: zëdhënësi i qeverisë Steffen Hebestreit njoftoi se kancelari federal Olaf Scholz dhe kryeministri i ri britanik Keir Starmer kishin folur me telefon. Të dy kishin rënë dakord se marrëdhëniet e Mbretërisë së Bashkuar me shtetet evropiane janë të një rëndësie të veçantë. Kancelari vlerësoi shprehimisht synimin e kryeministrit britanik për t’i dhënë shtysë të re marrëdhënieve dypalëshe me Gjermaninë dhe të dy politikanët ranë dakord të punojnë shpejt për të vazhduar thellimin e bashkëpunimit midis qeverive.
Reynolds: zgjidhje “të arsyeshme dhe pragmatike” me BE

Qeveria e re britanike dëshiron të punojë më ngushtë me BE-në edhe për çështjet tregtare. Ministri i Tregtisë Jonathan Reynolds tha për Sky News. Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian kanë të njëjtat standarde ushqimore, për shembull. “Nëse ne mund të shesim më shumë uiski dhe salmon në një treg kaq të rëndësishëm për ne, ne duhet t’i eksplorojmë ato mundësi.”

Politikani i Partisë Laburiste fajësoi qeverinë e mëparshme Konservatore për problemet në tregti. “Për të qenë i sinqertë, është në interesin e madh kombëtar të Mbretërisë së Bashkuar të ndërtojë një marrëdhënie me Evropën që nuk drejtohet nga politika e brendshme e Partisë Konservatore”, tha Reynolds.

Reynolds tani la të kuptohet për zgjidhje “të arsyeshme dhe pragmatike”, të tilla si njohja reciproke e kualifikimeve profesionale ose rregullat e vizave për artistët dhe muzikantët. Ai tha se ishte logjike që të hiqeshin pengesa të tilla.

Ministri i Ekonomisë ka përjashtuar edhe njëherë kategorikisht rikthimin në BE. “Ne nuk jemi të hapur për lëvizjen e lirë të njerëzve, kjo është pjesë e anëtarësimit në BE dhe nuk do ta riprekim më”, tha Reynolds. Megjithatë, në parim, bashkëpunimi i ngushtë është në interes të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Mbretëria e Bashkuar u largua nga BE në fund të janarit 2020 dhe që nga viti 2021 nuk është më anëtare e bashkimit doganor të BE-së ose e tregut të përbashkët. Pavarësisht se ekziston një marrëveshje e tregtisë së lirë, që atëherë ka pasur pengesa në shkëmbimin dypalësh të mallrave.

/DW

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts