Sassoli: BE s’mund ta lërë të presë me dekada Ballkanin. Varhelyi: Nuk mund të dështojmë me integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE





MARIGLEN KUME/ Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli, tha se Bashkimi Europian duhet që të rishikojë procesin e anëtarësimit në BE të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

sas

Këto komente, Sasoli i bëri në hapje të Forumit Strategjik në Bled të Sllovenisë, temë e të cilit këtë vit është e ardhmja e BE-së dhe Ballkanit. Sipas kreut të Komisionit Europian,  pandemia e Covid-19, por edhe lajmet e rreme dhe propaganda nga vendet e treta, janë duke sfiduar stabilitetin e BE- së. Sa i takon anëtarësimit të shteteve të Ballkanit Perëndi- mor në bllokun europian, Sassoli tha se BE-ja duhet të rishikojë sa më parë qasjen e anëtarësimit.

“Vendet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e historisë sonë dhe ne ndajmë me ta një identitet të përbashkët. Për këtë arsye ne duhet të jemi të gatshëm që të angazhohemi për procesin e anëtarësimit, sepse ne duhet që ta rishikojmë këtë proces, ne nuk mund të mbajmë shtetet dhe opinionin publik duke pritur me dekada. Ata duan që t’i bashkohen familjes sonë europiane”, deklaroi Sassoli.

Më tej, Presidenti i Komisionit Europian tha se BE nuk duhet që të vonohet në procesin e anëtarësimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor, pasi sipas tij, shtete të tjera mund të rrisin ndikimin në këtë rajon.

S’KA KOHË PËR TË HUMBUR 

Në forumin e Bled, që u organizua nga ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së, ishte edhe Komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Oliver Varhelyi. Në fjalën e tij, komisioneri tha se BE duhet të nxjerrë mësim nga çështja e Afganistanit, në mënyrë që të mos e përsërisë më Ballkani. Ai shtoi se Bashkimi Europian duhet të marrë sa më shpejt vendime që të  përshpejtojnë procesin e integrimit europian të rajonit të Ballkanit.

“Zgjerimi është proces, ka fazat e veta, është një proces administrativ dhe jo politik. Ajo që duhet të diskutojmë është se si do të bëhet pjesë e BE-së, Ballkani Perëndimor dhe kjo do të bëhet përmes integrimit. Ne kemi një përvojë të freskët, është ajo e Afganistanit. Përgjegjësia për Ballkanin Perëndimor është më e rëndësishme se përgjegjësia  e Afganistanit. Nuk mund të dështojmë me integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE.

Procesi i zgjerimit ka natyrë shndërruese. Duhen marrë iniciativat e duhura. Brenda Ballkanit Perëndimor duhet të ketë një bindje për reformat që duhen të marrin. Ne duhet të jemi të motivuar dhe duhet të bëjmë të qartë se oferta jonë është e vërtetë. Si mund ta përshpejtojmë? Afganistani na jep një mësim se nuk kemi kohë për të humbur. Duhet të marrim vendimet e nevojshme që rajoni të përparojë. Investime të mëdha kemi në rajon. Shoqëritë po integrohen ngadalë. BE ka këto fryte që vijnë nga kjo pjesë dhe që Ballkani Perëndimor të gëzojë këtë fryt”, tha Varhelyi.

STREHIMI I AFGANËVE 

Gjatë diskutimit në kuadër të forumit, Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli, kritikoi vendet e BE-së, të cilat sipas tij nuk ishin të gatshme të pranonin refugjatët  afganë që ikën nga talebanët, njëjtë siç bënë disa shtete të treta, duke përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor. Më tej, Sassoli tha se Bashkimi Europian nuk mund të sillet sikur çështja e Afganistanit nuk është çështje, më të cilën duhet të merret, pasi sipas tij, shtetet e BE-së kanë qenë të përfshirë në luftën e Afganistanit. Kjo kritikë nxiti reagimin e disa prej liderëve të vendeve të BE-së.

Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, tha se mbështet vendimin e shteteve të BE-së për të mos pranuar refugjatë afganë. Ai tha se vendimi i vitit 2015 për të pranuar refugjatë nga Siria i kishte shkaktuar më së shumti telashe shtetit të tij, Greqisë, e cila, sipas Mitsotakis, ishte viktimë e dështimit të vetë politikave të Bashkimit Europian. Kosovën në këtë forum e përfaqëson Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ky forum është organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Sllovenisë, që aktualisht është edhe kryesuese e radhës e  Bashkimit Europian. Përveç liderëve të Ballkanit, në këtë forum kanë marrë pjesë edhe udhëheqës të shteteve të BE-së si  dhe të strukturave të Bashkimit Europian.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *