“Selia e PD po hapet”, Berisha nis turin e ri: Të bashkohemi dhe të lëmë mënjanë ndasitë. Iki vetëm nëse humb zgjedhjet!






VALENTINA MADANI/ Ish-kryeministri Sali Berisha nisi dje fushatën për të bindur demokratët në mbarë vendin se nën drejti-min e tij Partia Demokratike shumë shpejt do të rikthehet në pushtet.

sali berisha foltoret

Gjatë takimeve me demokratët e Tepelenës dhe Përmetit, Berisha apeloi për një frymë pajtimi, duke i siguruar ata se selia po hapet për të gjithë demokratët, pas largimit të Lulzim Bashës. Ai i bëri thirrje demokratëve të bashkohen, si një nevojë urgjente për situatën në të cilën ndodhet PD-ja.

“Selia po hapet për të gjithë demokratët, shtëpia jonë e përbashkët aty është, ndaj ju ftoj të vini. Fryma e pajtimit ekziston edhe në bazë e në qendër, por ekziston edhe ndonjë problem i vogël”, u shpreh Berisha. Para mbështetësve të tij bëri thirrje për të lënë pas çdo zemërthyerje, duke mobilizuar energjitë për betejën kundër Edi Ramës.

“Sot, PD-ja ka nevojë për bashkimin e saj, çdo anëtar të lërë mënjanë çdo zemërthyerje, të mobilizohemi për betejën që na pret përpara, betejën me regjimin më të rrezikshëm që bazon veprimtarinë e tij në vjedhjen dhe krimin”, u shpreh z. Berisha. Për të gjithë ata që i kërkojnë të largohet nga PD-ja sepse nuk mund ta çojë partinë drejt fitores një i shpallur “non grata”, Berisha iu përgjigj duke i kujtuar vitin 1997 “kur edhe atëherë askush nuk besonte se do fitonim”.

“Unë takova palën që mendon ndryshe , por duhet të jemi të hapur. Në dialogun që pata me Alibeajn më tha po, por me ty ‘non grata’ nuk fiton PD-ja dhe duhet të japësh dorëheqjen. I them shiko se edhe në 1997 nuk kishte njeri që besonte se ne do fitonim, por ja që fituam. Erdhi 2005 dhe demokratë ja dolën të ndryshojnë Shqipërisë sa kurrë ndonjëherë në historinë e saj”, tha Berisha.

Ai u shpreh i bindur se do ta mposhtë Edi Ramën në zgjedhjet e ardhshme, por shtoi se do të dorëhiqet në rast humbjeje në zgjedhjet lokale apo të përgjithshme. Edhe në këtë “Foltore”, Berisha foli me tone të zbutura ndaj Lulzim Bashës, ku tha se do t’i kishte dhënë dorën nëse ai do të kishte qenë në zyrë ditën kur grupi i rithemelimit u takua në selinë e PD-së me Enkelejd Alibeajn dhe Gazment Bardhin.

“Ne nuk kemi të përjashtuar, po të ishte në atë zyrë, do i kisha dhënë dorën edhe Lulzim Bashës. Nuk përjashtojmë ne, por unë jam i detyruar të mbroj interesat tuaja. Ju ftoj të bashkohemi e të fitojmë këtë betejë dhe të mbushim sheshet kundër këtij regjimi”, u shpreh Berisha.

Gjatë fjalës së tij, ishKryeministri denoncoi se qeveria ndikoi në krizën e brendshme të PD-së, por tashmë, sipas tij, është koha që demokratët të bashkohen dhe të lënë mënjanë hatërmbetjet mes tyre. Ish-Kryeministri premtoi fitore të PD-së dhe se qeverisja e ardhshme do të jetë më e suksesshme se periudha 2005-2013 kur në pushtet ishin demokratët. Berisha gjithashtu paralajmëroi nisjen e një vale protestash në të gjithë vendin.

“Të ngrihemi si parti në misionin e madh opozitar për të shpëtuar Shqipërinë nga një regjim i bazuar në krimin, vjedhjen e qytetarëve, varfërimin e tyre, largimin e shqiptarëve nga Shqipëria. S’ka mision më të madh se sa ky mision përmbushet para së gjithash duke u bashkuar, duke bashkuar çdo kontribut, duke qëndruar të pamposhtur si opozitë e vërtetë, duke hapur partinë drejt prurjeve të reja. Arrijmë qëllimet tona duke njohur gabimet tona”, tha Berisha.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.