Sfidohen me Dinamon për kreun, flet trajneri i Burrelit: Nuk jemi Barcelona, por blindojmë vendin e parë

Pasi rimori kreun, Burreli s’ka në plan që ta lëshojë. Që kjo të ndodhë, duhet të kalojnë fillimisht pengesën me emrin “Dinamo”. Dy skuadrat që po garojnë prej javësh për vendin e parë, do të matin forcat pikërisht sot. Luhet në “Selman Stërmasi” dhe vështirësia dihet, megjithatë matjanët i kanë idetë të qarta. Ata udhëtojnë në kryeqytet vetëm për fitore dhe shkëputje. Këtë e pohon edhe trajneri Samuel Nikaj në një deklaratë të dhënë para këtij 90-minutëshi.

Nikaj

“Ekipi i Burrelit do të vijojë të kërkojë maksimumin në çdo ndeshje, brenda apo jashtë fushe do të luhet ajo. Të them të drejtën, do të udhëtojmë për këtë takim me një moral më të mirë se kundërshtari, sepse ne vijmë pas një fitoreje, ndërsa kundërshtari pas një humbjeje. Do të kemi mungesën e Hasës në këtë ndeshje, por e kam thënë edhe më herët se ne nuk e kemi problem nëse na mungon një, dy apo tre lojtarë.

Kjo, pasi gjithë formacionin e kemi njëlloj. Ne shkojmë për tri pikë, pavarësisht historisë që ka Dinamo. Burreli nuk është Barcelona, por e ka një traditë të madhe në futbollin shqiptar. Si skuadër, ka prodhuar futbollistë me emër të madh në vendin tonë, siç janë vëllezërit Farruku, Sajmir Patushi apo Sajmir Xhetani, Vladimir Gjoni etj. E shoh që ka një skepticizëm ndaj nesh, që është një ekip i vogël apo që vitet e fundit nuk ka qenë aty ku e meritonte. Po mundohen të shpifin me atë idenë ‘shpif shpif se diçka do mbetet’, duke krijuar lloj-lloj alibish pas ndeshjeve. Por, unë jam krenar me këtë ekip dhe organizimin që kemi. Shpresoj të vazhdojmë kështu dhe të arrijmë objektivin”, përfundoi numri një i pankinës.

DRITAN KURTI – PANORAMASPORT.AL

Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *