SHBA dyfishon ndihmën për Ukrainën

08:31 09/08/2022

Përveç furnizimit me armë SHBA-ja vë miliarda të tjera në dispozicion të Ukrainës.

Agjencia e SHBA-së për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim njoftoi se për buxhetin për Ukrainën do të vihen në dispozicion 4.5 miliardë dollarë shtesë. SHBA-ja po e dyfishon ndihmën e saj financiare duke e ndihmuar Ukrainën me një shumë prej 8.5 miliardë dollarësh. Fondet synojnë të ndihmojnë qeverinë ukrainase për të përballuar shpenzimet më të rëndësishme, si ndihmat sociale dhe ndihmat financiare për njerëzit që largohen nga vendbanimet e tyre për të shkuar në zona të sigurta brenda Ukrainës. Fondet për Ukrainën do të jepen me disa këste, të cilat do të koordinohen me Ministrinë e Financave dhe Bankën Botërore.

Një paketë tjetër armësh nga SHBA-ja

Përveç paketës financiare SHBA-ja po planifikon për Ukrainën gjithashtu edhe ndihma të mëtejshme ushtarake që shkojnë në një miliardë dollarë. Ndër të tjera bëhet fjalë për dërgimin e më shumë raketahedhësve të tipit Himars, të cilat ushtria ukrainase i konsideron veçanërisht efektive në luftën kundër trupave pushtuese ruse, siç njoftoi Departamenti Amerikan i Mbrojtjes.

Sipas ushtrisë ukrainase raketahedhësit e tipit Himars, të cilat mund të godasin objektiva deri në 80 kilometra larg, janë vendimtare në luftën kundër Rusisë. Ato mund të përdoren gjithashtu për të sulmuar bazat përtej vijave të frontit. Sipas Pentagonit ndihma e re ushtarake amerikane përfshin gjithashtu raketa tokë-ajër për t’u mbrojtur kundër avionëve dhe raketave ruse, raketa antitank dhe municione të tjera.    

Humbje të ushtrisë ruse

Sipas vlerësimeve të Departamentit Amerikan të Mbrojtjes në luftën në Ukrainë nga pala ruse janë vranë ose plagosur 70,000 deri në 80,000 vetë. Ushtria ruse ka pësuar humbje të jashtëzakonshme, sepse ushtria ukrainase po funksionon mirë dhe ka marrë shumë mbështetje, tha zyrtari i lartë i Pentagonit, Colin Kahl. Ai e quajti luftën si “konfliktin më intensiv konvencional në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore”. Nga organet zyrtare në Rusi nuk ka asnjë informacion aktual për numrin e viktimave./DW

Të ngjashmeBurimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.