SHBA: Inteligjenca artificiale për të analizuar pamjet e kamerave të trupit të policëve

shba inteligjenca artificiale per te analizuar pamjet e kamerave te trupit te policeve
shba inteligjenca artificiale per te analizuar pamjet e kamerave te trupit te policeve

23:40 12/08/2023

Mbrojtësit e reformës në polici në Shtetet e Bashkuara argumentojnë prej kohësh se kamerat e trupit që mbajnë efektivët do të ndihmojnë në reduktimin e përdorimit të tepruar të forcës, si dhe për të rritur besimin e publikut. Por miliona orë filmime nga të ashtuquajturat “kamera të trupit” janë të vështira për t’u monitoruar nga mbikëqyrësit. Siç njofton korrespodentja e Zërit të Amerikës Shelley Schlende, inteligjenca artificiale, mund të vijë në ndihmë.

Kamerat e trupit që mbanin efektivët e policisë në Memfis filmuan momentin kur një ndalim për shkelje të rregullave të qarkullimit u kthye në një tragjedi. Pesë oficerë policie përballen me akuza në lidhje me vdekjen e Tire Nichols-it.

Rishikimi i pamjeve të kamerave të trupit të oficerëve do të jetë pjesë e procesit penal. Por sipas Anthony Tassone-t, drejtuesit të kompanisë “Truleo” që përdor inteligjencën artificiale, pamjet e kamerave të trupit që mbajnë efektivët rrallë shqyrtohen nëse nuk ndodh diçka e madhe.

“Për mua, duke parë videon dhe duke folur me kolegët dhe miqtë e mi të zbatimit të ligjit, kjo nuk është hera e parë, që këta oficerë kanë përdorur këtë lloj gjuhe, ose kanë qenë në atë lloj situate”, thotë ai.

Sipas tij programi i inteligjencës artificiale për kamerat e trupit të policisë, do t’i ndihmojë mbikëqyrësit e policisë të ndërhyjnë më herët, njësoj si mbikëqyrësit në sektorë të tjerë që monitorojnë komunikimet e punonjësve të tyre me klientët. Shembulli që zoti Tassone jep janë bankat.

“Ideja e transkriptimit dhe analizimit të punonjësve për të përmirësuar shërbimin ndaj klientit, ka ekzistuar për një kohë të gjatë”, thotë ai.

Sistemi i inteligjencës artificiale “Truleo” jep vlerësime të larta kur policia përdor formalitete të tilla si “zonjë”, “faleminderit” dhe shpjegon se çfarë po bëjnë. “Truleo” tregon po ashtu kur një oficer përdor fyerje, kërcënime ose sharje.

Shefi i policisë së qytetit Aurora, në shtetin e Kolorados, Art Acevedo së fundmi filloi që ta përdor këtë program për një periudhë 1-vjeçare. Qëllimi është përmirësimi i sjelljeve negative të policëve.

“Ne do të studiojmë për zakonet e këqija të policëve si dhe për sjelljet e mira të tyre. Sjelljet e mira do t’ja u tregojmë edhe efektivëve të tjerë”, thotë ai.

Unioni Amerikan i Lirive Civile paralajmëron se qeveritë duhet të mbrojnë të drejtat e grupeve që mund të preken nga analiza përmes inteligjencës artificiale të pamjeve të kamerave të trupit të policëve.

“Ne duhet të dimë saktësisht se si po i përdorin ato pamje, ne duhet të dime saktësisht se çfarë nuk lejohen të bëjnë me to”, thotë Anaya Robinso nga Unioni Amerikan i Lirive Civile në Kolorado.

Sipas tij ky rregullim duhet të bëhet përpara se forcat policore të miratojnë gjerësisht përdorimin e inteligjencës artificiale./VOA

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne :bopta sotwww.botasot.al

Spread the love

Similar Posts