SHBA, mërgimtarët nga Hong Kongu reflektojnë për ndryshimet

Në pamje të jashtme, Hong Kongu është ende një epiqendër financiare globale në Azi. Por, brenda qytetit kanë ndryshuar shumë gjëra gjatë 24 viteve të fundit. Në vitin 1997, kjo koloni britanike iu rikthye Kinës, me qeverisjen sipas idesë të “një vendi, dy sistemeve”. Anna Cheung ende e ruan gazetën me dorëzimin në faqen e parë.

“Ishte si një moment historik në atë kohë, pasi mund të ishte një shans i mirë që Hong Kongu t’i përkiste tashmë Kinës dhe të rikthente vlerat demokratike dhe universale në Kinë”, thotë Anna Cheung, aktiviste pro-demokracisë në Hong Kong.

Por, në vend që vlerat demokratike të Hong Kongut të ndikonin në Kinë, e kundërta ka ndodhur – me ndryshimet më të mëdha të ndjera gjatë vitit të kaluar, pasi Kina zbatoi Ligjin e Sigurisë Kombëtare në përgjigje ndaj protestave të vitit 2019 kundër një projekt-ligji ekstradimi, duke shkaktuar muaj të tërë konfrontimesh midis aktivistëve pro-demokracisë dhe policisë.

Takime të tilla si përkujtimi këtë vit i shtypjes së lëvizjes pro-demokracisë në vitin 1989 në Sheshin Tiananmen nuk lejohen më.

“Ne duhet të përmirësohemi së bashku me zhvillimet, që policia e Hong Kongut të përdorë çdo masë për të ruajtur rendin publik dhe sigurinë publike”, deklaroi Liauw Ka-Kei, drejtor i policisë.

“Ndjeva që Pekini po humbte reputacionin dhe se duhej ta ndreqnin me shpejtësi”, thotë zonja Cheung.

Këtë vit, ligjet zgjedhore janë ndryshuar dhe filmat e Hong Kongut tani do të inspektohen. Ligji i Sigurisë Kombëtare i jep Kinës kompetenca të gjera për të arrestuar këdo që përfshihet në aktivitete anti-qeveritare… duke krijuar frikë në të gjithë Hong Kongun dhe më gjerë, thotë mërgimtarja Frances Hui.

“Ndryshimi më i madh që kam parë është autocensura. // Njerëzit filluan të fshijnë postimet e tyre në mediat sociale, postimet që ata kanë bërë në lidhje me lëvizjen, në lidhje me Kinën – gjithçka që mendohet se mund të kritikojë qeverinë ose që po mbështet lëvizjen”, thotë zonja Hui.

Ka patur arrestime masive të aktivistëve, të cilat i shtynë disa aktivistë të Hong Kongut të largoheshin nga territori, përfshirë ish-ligjvënësin e Hong Kongut, Baggio Leung.

“Ndjeva se duhet të largohem, përndryshe do të rrezikohesha”, thotë Baggio Leung, ish-ligjvënës i Hong Kongut.

Gjithashtu në mërgim është edhe një person, i cili e quan veten “Chuilao”, i gjendur tashmë në Shtetet e Bashkuara.

“Vendet e tjera janë të gatshme të na pranojnë ne, banorët e Hong Kongut. Duhet të largohemi (nga Hong Kongu). Nëse një anije po fundoset dhe kemi varka shpëtimi, sigurisht që do të hipim në to. Nuk ka kuptim të fundosesh me anijen”, thotë ai.

”Nuk doja të largohesha. Dhe duke menduar faktin se nëse largohem tani, kurrë nuk do të jem në gjendje të kthehem në shtëpi. Kjo është, si, (torturë) për mua”, thotë zonja Hui.

Tashmë në Shtetet e Bashkuara, zonja Hui dhe hongkongasit e tjerë në mërgim, do ta vazhdojnë punën e tyre aktiviste jashtë vendit, në mënyrë që Hong Kongu të mos bëhet thjesht një tjetër qytet kinez.

“Ne i përkasim tokës së Hong Kongut dhe jemi hongkongas dhe duhet të kemi pronësinë e asaj toke”, thotë ajo.

Disa aktivistë thonë se Hong Kongu është më shumë sesa thjesht një vend.

“Mos e humbni Hong Kongun, sepse Hong Kongu nuk është një vend. Është një person.// Nëse humbni pozicionin në fushën e betejës, mundeni ta rifitoni. Por kur një popull vdes, nuk mund ta riktheni më”, thotë “Chuilao”.

Mërgimtarët pro-demokracisë nga Hong Kongu thonë se do ta vazhdojnë lëvizjen për të shpëtuar kulturën dhe popullin e Hong Kongut që është i veçantë nga Kina kontinentale.//VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *