Shtetet e Bashkuara kanë shpallur bojkot diplomatik të Lojërave Olimpike Dimërore 2022, që do të zhvillohen në Pekin. Shtëpia e Bardhë tha se asnjë delegacion zyrtar nuk do të dërgohet dhe kjo për shkak të shqetësimeve në lidhje me të drejtat e njeriut në Kinë.
Lajmin e njoftoi të hënën sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.
“Administrata Biden nuk do të dërgojë asnjë përfaqësim diplomatik ose zyrtar në Lojërat Olimpike Dimërore dhe Paraolimpike të Pekinit 2022, duke pasur parasysh gjenocidin e vazhdueshëm dhe krimet kundër njerëzimit në Xinjiang dhe abuzimet e tjera të të drejtave të njeriut. Atletët e ekipit të SHBA-së kanë mbështetjen tonë të plotë”, tha Psaki.
SHBA e ka akuzuar Kinën për gjenocid ndaj ujgurëve – një grup minoriteti mysliman që jeton kryesisht në rajonin autonom të Xinjiang.
Tensionet janë rritur gjithashtu për mënyrën se si Kina ka vepruar për të shtypur liritë politike në Hong Kong.
Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al