SHBA nxjerr shifrat: Bllokohen 30 miliardë dollarë në pasuri e fonde të oligarkëve rusë

Një grup pune shumëkombësh, krijuar me qëllimin për të konfiskuar pasuritë e oligarkëve rusë, ka bllokuar dhe ngrirë në 100 ditët e para të funksionimit të tij, 30 miliardë dollarë në prona e fonde që u përkasin individëve ndaj të cilëve janë vendosur sanksione. Lajmi u bë i ditur të mërkurën nga Departamenti amerikan i Thesarit.

Zyrtarë të Departamentit thanë se kjo sasi është krahas jahteve, mjeteve të tjera lundruese, e pasurive të patundshme luksoze të konfiskuara, si dhe 300 miliardë dollarëve, fonde të Bankës Qendrore ruse që janë bllokuar.

“Ne po vazhdojmë të rrisim koston mbi Rusinë lidhur me luftën e saj në Ukrainë”, thanë zyrtarë të Departamentit të Thesarit, duke iu referuar rezultateve të grupit të punës, që ka si objektiv të tij Elitat, Bashkëpunëtorët dhe Oligarkët rusë (akronimi REPO).

Grupi u krijua me synimin për të shteruar burimet që furnizojnë “makinerinë ruse të luftës” teksa Presidenti Vladimir Putin vazhdon agresionin e tij në Ukrainë, por aktivistët e të drejtave civile kanë ngritur shqetësime për tejkalim të mundshëm të kompetencave.

Sekretarja e Thesarit Janet Yellen dhe Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland mblodhën grupin e punës (REPO) në mars, në bashkëpunim me disa vende të tjera, për të hetuar dhe ndjekur penalisht oligarkët si dhe personat që konsiderohen si aleatë të Presidentit Vladimir Putin. Komisioni Evropian ka ngritur një grup të tijin për ngrirjen dhe konfiskimit e pasurive dhe pronave, i cili bashkëpunon me REPO-n.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, në fillim të këtij muaji, Shtetet e Bashkuara njoftuan sanksione ndaj God Nisanovit, një nga personat më të pasur në Evropë, dhe Alexey Mordashovit, një nga miliarderët më të pasur të Rusisë. Sanksione u vendosën edhe ndaj bashkëshortes dhe dy fëmijëve në moshë të rritur të zotit Mordashov.

“Grupi do të vazhdojë të gjurmojë pronat dhe pasuritë e shtetasve rusë ndaj të cilëve janë vendosur sanksione, e të parandalojë që ata të minojnë masat që vendet anëtare të REPO-s kanë ndërmarrë së bashku”, thanë zyrtarë të Departamentit të Thesarit.

Por me zgjerimin e sanksioneve, janë rritur dhe shqetësimet se konfiskimet po kryhen ndaj shtetasve jo-amerikanë dhe pa procese gjyqësore, çka mund të sjellë pasoja të mëdha për individët e sanksionuar, të cilët mund të mos jenë në gjendje t’i kundërshtojnë vendimet për konfiskim.

Juristi Tom Firestone, i specializuar në hetimet ndërkombëtare, thotë se konfiskimet “mund të kenë pasoja për njerëzit e pafajshëm që nuk kanë asnjë lidhje me luftën”. “Duhet të jemi të kujdesshëm që të mos penalizojmë njerëzit e pafajshëm”, shton ai.

“Kemi parë një zgjerim të jashtëzakonshëm të sanksioneve. Qeveria amerikane po zbaton një sërë objektivash dhe ka shumë pasiguri se ku po shkon e gjitha kjo”, thotë zoti Firestone.

Unioni Amerikan i Lirive Civile ka kundërshtuar disa projektligje të diskutuara në Kongres, sikurse të ashtuquajturin Akti për Konfiskimin e Pronave për Rindërtimin e Ukrainës, i miratuar tashmë nga Dhoma e Përfaqësuesve. Ky akt synon t’ia lehtësojë qeverisë procesin e sekuestrimit të pronave.

Autoritetet qeveritare thonë se në kohë lufte dhe në kushtet kur është shkaktuar një krizë ushqimore në mbarë botën: “ajo që po synohet është të bëhet maksimumi i mundshëm që sanksionet të ndikojnë ndaj personave dhe subjekteve të përcaktuar, duke u siguruar që kjo të mos prekë tregjet globale të mallrave dhe zinxhirin e furnizimit ushqimor”./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb


Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.