
21:20 30/08/2022
Kjo pritet të përkeqësojë marrëdhëniet mes Kinës dhe SHBA të cilat u përkeqësuan pas vizitës së Pelosit
Qeveria amerikane planifikon të mbështesë Tajvanin me armë në vlerë prej rreth 1,1 miliardë Dollarë.
Lajmin e ka bërë të ditur e përditshmja “Politico”, e cila citon tre persona të brendshëm të paidentifikuar. Ajo shkruan se qeveria kërkon nga Kongresi miratimin e një projektligji përkatës.
Paketa përfshin 60 raketa kundër anijeve dhe 100 raketa të tjera. Megjithatë, fokusi është në mirëmbajtjen e sistemeve aktuale ushtarake të Tajvanit dhe përmbushjen e kërkesave ekzistuese dhe jo në zgjerimin e sistemeve të armatimit.
Një dërgesë e tillë armësh ka të ngjarë të përkeqësojë marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës pasi arritën pikën më të ulët pas vizitës së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi në Tajvan, në fillim të këtij muaji.
Pas kësaj vizite Pekini nisi manovra ushtarake në shkallë të gjerë rreth ishullit të qeverisur në mënyrë demokratike. Pavarësisht kësaj, delegacione të tjera me politikanë amerikanë udhëtuan në Tajvan menjëherë pas manovrave. Të dielën, forcat amerikane lejuan anijet luftarake të kalonin nëpër ngushticën e Tajvanit për herë të parë që nga vizita e Pelosit. Kina foli për një “provokim”.
Republika e Tajvanit u nda nga Kina në vitin 1949 pas fitores së komunistëve nën Mao Ce Dunin në luftën civile. Deri më sot, Pekini e konsideron Tajvanin si një provincë të shkëputur që do të ribashkohet me kontinentin nëse është e nevojshme duke përdorur edhe forcën ushtarake.
Klan News