SHBA: Rusia ka paraqitur kërkesa të papranueshme

23:20 08/01/2022

Bisedimet SHBA-Rusi do të fillojnë më 10 janar në Gjeneve

Stërvitjet ushtarake dhe mobilizimi i forcave ruse përgjatë kufirit me Ukrainën do të shërbejnë si sfondi i bisedimeve SHBA-Rusi të hënën në Gjenevë, të drejtuara nga Zv/Sekretarja e Shtetit Wendy Sherman dhe Zv/Ministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov.

Moska ka paraqitur kërkesa të shumta, ndër to edhe reduktimin e pranisë së NATO-s në Evropën Lindore dhe mos-anëtarësimin e Ukrainës, kërkesa këto të papranueshme për Shtetet e Bashkuara dhe Evropën.

“Është qartë pjesë e skenarit. Paraqesin një listë kërkesash plotësisht të papranueshme dhe pastaj pretendojnë se pala tjetër nuk është angazhuar, për ta përdorur këtë si një lloj justifikimi për veprime agresive. Por realiteti është se Rusia e di mirë se çfarë e papranueshme. Sidoqoftë ekzistojnë fusha, subjekte dhe çështje për të cilat mund të angazhohemi, të zhvillojmë dialog dhe të përpiqemi të përmirësojmë sigurinë e përgjithshme”, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Nga ana tjetër, Rusia thotë se nuk po përgatit pushtimin e Ukrainës dhe këmbëngul se zgjerimi i NATO-s është kërcënim për sigurinë e saj.

“As edhe një centimetër drejt Lindjes, na thanë në vitet 1990. Dhe çfarë ndodhi? Na mashtruan me paturpësi”, tha Presidenti rus Vladimir Putin.

Raundi i parë i bisedimeve duket se do të shërbejë më shumë për të prezantuar mosmarrëveshjet dhe nuk pritet të prodhojë një rezultat të sigurtë për Ukrainën.

Ndërsa presidenti rus Putin përpiqet ta mbajë fokusin tek Ukraina, në protestat anti-qeveritare në Kazakistan, një tjetër vend fqinj i Rusisë, janë vrarë dhjetëra persona dhe plagosur qindra të tjerë.

Shtëpia e Bardhë ka mohuar të ketë hartuar përpara bisedimeve opsione për tërheqje të forcave amerikane nga Evropa Lindore. Pas takimit të Gjenevës, më 12 janar do të mblidhet në Bruksel vendet e NATO-s dhe Këshilli me Rusinë. Bisedime të tjera me format më të gjerë, ku do të përfshihen Shtetet e Bashkuara, NATO, Rusia, Ukraina dhe vende të tjera ish-sovjetike, do të vazhdojnë në Vjenë më 13 janar.

Klan News

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.