
08:56 22/03/2021
Rezultatet nga prova e shumëpritur e SHBA-së për vaksinën Oxford-AstraZeneca kundër Covid janë dhënë dhe konfirmojnë se vaksina është e sigurt dhe shumë efektive.
Në testimin e kryer morën pjesë më shumë se 32,000 vullnetarë, kryesisht në Amerikë, por edhe në Kili dhe Peru.
Vaksina doli të jetë 79% efektive në parandalimin e Covid dhe 100% efektive në lehtësimin e sëmundjes te njerëzit e infektuar.
Vaksina AstraZeneca nga provat e bëra nuk kishte asnjë lidhje me mpiksjen e gjakut. Ky testim i SHBA-së, mund të sigurojë disa vende të BE-së, që kohët e fundit ndaluan përdorimin dhe shpërndarjen e vaksinës me shqetësimet për lidhje të vaksinës me mpiksjen e gjakut.
Pasi edhe rregullatori i ilaçeve në Evropë ka përfunduar rishikimin e vaksinës dhe ka dalë më të njëjtat rezultate se vaksina është e sigurt dhe efektive, disa nga vendet e BE-së kanë rinisur përdorimin e saj.
Megjithatë, disa vende nuk autorizonin përdorimin e vaksinës tek të rriturit mbi 65 vjeç. Ndërsa, është bërë e ditur se rreth 1/5 e vullnetarëve në provën e AstraZenecës ishin mbi 65 vjeç dhe vaksina e dhënë me dy doza, me katër javë diferencë, siguroi më shumë mbrojtje për ta sesa për grupmoshat më të reja.
Këto rezultate janë jetike për SHBA-në dhe pritet të hapin rrugën që vaksina të miratohet nga rregullatorët amerikanë brenda një ose dy muajve të ardhshëm./tvklan.al

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al