Shkarkimi i Metës/ Parlamenti nuk humbet kohë, fillon puna e komisionit. Alket Hyseni mbyll mandatin duke hetuar Presidentin



meta-kuvendi-shkarkimi i presidentit

Komisioni Hetimor që do të hetojë shkelje kushtetuese të kryera nga Presidenti Ilir Meta nuk ka humbur kohë dhe do të nisë menjëherë nga puna. Komisioni Hetimor që mori dritën jeshile dje do të zhvillojë mbledhjen e parë sot në orën 11:00.

Takimi do të zhvillohet në ambientet e kryesisë së Kuvendit, ku mbledhja do të drejtohet nga kryetari i Komisionit Hetimor Alket Hyseni dhe nënkryetari Myslim Murrizi.

Në mbledhjen e parë pritet që të bëhet konstituimi i komisionit dhe anëtarët të miratojnë kalendarin e punës.

Ky është komisioni hetimor me afatin kohor më të shkurtër të punës. Socialistët dhe deputetët e opozitës në Parlament janë të detyruar që të çojnë në Parlament raportin final para datës 8 korrik kur është edhe seanca e fundit parlamentare për këtë legjislaturë. Ky është komisioni i dytë hetimor që ngrihet për hetimet e shkeljeve kushtetuese për Ilir Metën brenda 2 viteve, ku maxhoranca kërkon shkarkimin e tij nga detyra.

Ngritja e këtij Komisionit Hetimor, nuk është njohur nga vetë Meta, i cili përmes zëdhënësit të tij u shpreh se “s’do tolerojë asnjë intimidim nga mafia lokale e ndërkombëtare” dhe se ky vendim ishte antikushtetues dhe antiligjor.

Në raportin e miratuar një ditë më parë në Komisioni i Ligjeve argumentohet se “Meta ka shkelur rëndë Kushtetutën me angazhimin e hapur në fushatë në krah të opozitës dhe kundër maxhorancës.

Deklaratat e tij kanë cenuar rëndë të drejtat kushtetuese të individëve, imazhin dhe reputacionin e vendit, si dhe marrëdhëniet me partnerët strategjikë të Shqipërisë, me Bashkimin Evropian dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në raport.

Gjithashtu, të tjera arsye se pse duhet hetuar dhe më pas shkarkuar kreu i shtetit, në raport theksohet se “Ilir Meta, para dhe gjatë zgjedhjeve, ka nxitur dhunë, urrejtje, ndasi si dhe vetëgjyqësi dhe sjelljet dhe mesazhet e tij publike janë në kundërshtim me parimin e unitetit të popullit dhe të papajtueshme me Kushtetutën”.

PËRBËRJA E KOMISIONIT HETIMOR

KRYETAR

Alket Hyseni

NËNKRYETAR

Myslym Murrizi

SEKRETAR:

Klotilda Bushka

ANËTARËT

Vasilika Hysi

Elena Xhina

Spartak Braho

Halil Jakimi

Nikolin Staka

Arlind Çarçani

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *