“Shkëlqejmë pas pauzës”, bomberi i momentit: Dua të shënoj 15 gola me Laçin!





Dejan Zarubica është befasia më e madhe e tri javëve të para në “Abissnet Superiore”. Sulmuesi malazez i Laçit është në krye të listës së golashënuesve të kampionatin shqiptar, teksa ka arritur të shënojë katër herë deri më tani. Zarubica bëri dopietë në javën e parë kundër Vllaznisë dhe gjithashtu realizoi dy herë në ndeshjen ndaj Kukësit.

zarubica

“Nga sulmuesi priten gola dhe veçanërisht kur je i huaj në një kampionat kërkesat janë më të mëdha. Sezoni filloi për mua ashtu siç doja. Këtë verë erdha te Laçi dhe u përshtata shpejt. Në ndeshjen e fundit shënova dy herë dhe ndihmova ekipin ta shmangë humbjen. Besoj se do të vazhdojë kështu”, deklaroi fillimisht Zarubica në një prononcim për mediat malazeze. Sulmuesi u transferua te kurbinasit pasi u shpall kampion në sezonin e kaluar me Buduçnostin. Në Malin e Zi ai është aktivizuar edhe për ekipe si Sutjeska, Iskra dhe Lovcen.

28-vjeçari nga Nikshiqi kujton me nostalgji ndeshjet në Europë, ku Laçi arriti të kalojë dy ture, teksa eliminoi Podgoricën dhe Universitatea Krajovën. “Kam shënuar një gol ndaj ekipit rumun dhe kam dhënë dy asiste në ndeshjet e Ligës së Konferencave. Ne bëmë rezistencë të fortë edhe ndaj Anderlehtit në Bruksel. Patëm një udhëtim vërtet të bukur në skenën ndërkombëtare. E dija që kishim cilësi dhe kjo u konfirmua nga lojërat dhe rezultatet në garat evropiane. Kjo ndikoi që klubi dhe opinioni në Shqipëri të na shihte si një nga kandidatët për titull këtë sezon”, thekson Zarubica.

KAMPIONATI

Pas largimit të Shpëtim Duros, kurbinasit afruan si trajner malazezin Dejan Vukiçeviç, i cili është bashkëkombësi i Zarubicës. Vetë sulmuesi foli për startin jo të mirë të kampionatit, ku pas tri ndeshjesh, bardhezinjtë kanë vetëm dy pikë. “Kampionati nisi një muaj pasi ne mbyllëm angazhimin në Europë. E nisëm jo mirë dhe mendoj se kryesisht për shkak të mungesës së fatit. Unë pres që ne ta përmirësojmë ekuilibrin në lojën tonë dhe t’i fitojmë ndeshjet e radhës. Besoj se pas pushimit prej ndeshjeve të Kombëtareve do të jemi në një nivel të lartë. Ne jemi shumë mirë të përgatitur fizikisht dhe jam i sigurt se do ta përmirësojmë performancën tonë”, siguroi sulmuesi malazez.

SYNIMET

I pyetur se çfarë synimesh i ka vendosur vetes në aventurën te Laçi, Zarubica u shpreh: “Sa më shumë gola, aq më mirë për mua në këtë sezon të parë në Shqipëri. Të jem realist, dua të shënoj 15 gola, edhe pse kjo është një ligë e vështirë dhe kërkuese. Më pëlqen mjedisi i ri, klubi është i organizuar shkëlqyeshëm dhe unë jam përshtatur mirë. Shpresoj të jem efikas në vazhdimësi”. Golashënuesi i Laçit nuk e ka realizuar ende ëndrrën e tij, që është aktivizimi me Kombëtaren e Malit të Zi. “Shpresoja që të merrja një ftesë pas lojërave të mira në Europë me Laçin.

Unë nuk e kuptova pse s’më grumbulluan, por kurrë nuk do ta di këtë. Ëndrra e çdo lojtari është të luajë për vendin e tij. Më takon mua të punoj dhe të luaj sa më mirë të jetë e mundur me ekipin aktual. Shpresoj që të tërheq vëmendjen me golat që po shënoj në Shqipëri, në pritje të një ftese”, përfundoi 28- vjeçari.

Sfida e radhës për kurbinasit do të jetë kundër Tiranës, të dielën në orën 13:45 në stadiumin “Selman Stërmasi”. Problemi i madh i bardhezinjve në këtë start të kampionatit ka qenë fakti se skuadra ka pësuar shumë gola, plot 8 në vetëm tri ndeshje të luajtura. Gjithsesi, në ekip ka besim te kthesa duke filluar nga trajneri, lojtarët dhe drejtuesit.

PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *