Shkëlqeu me të dyja ekipet, Igli Allmuça: Ndeshje jetike, Dinamo mund ta godasë Kukësin






Dinamo dhe Kukësi luajnë të dielën në Kamzë në orën 13:45 aktin e tretë mes tyre për këtë kampionat. Në dy ndeshjet e para kanë ndarë nga një fitore, ndërsa këtë herë, për situatën që po kalojnë të dyja skuadrat, përplasen si në një finale, ku pikët janë jetike. Kështu e konsideron këtë ndeshje edhe Igli Allmuça, ish-lojtar i Dinamos dhe Kukësit, si dhe ish-trajner i bluve. Ish-mesfushori kryeqytetas që ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit në të dyja ekipet, në një intervistë për “Panorama Sport” thekson se për mënyrën e lojës që kanë dy skuadrat, fusha e stadiumit të Kamzës do të favorizojë Dinamon. Ai parashikon një ndeshje shumë të kujdesshme, ku sipas tij do të vendosin episodet.

igli allmuca

Igli, Dinamo dhe Kukësi luajnë mes tyre në një moment delikat të sezonit. Si e parashikoni këtë ndeshje?

Mendimi im është se ndeshja këtë herë është shumë e rëndësishme për të dyja skuadrat. Në këtë moment pikët janë jetike si për Dinamon, ashtu edhe për Kukësin. Për Dinamon mund të duken më jetike pikët, sepse kërkon të qëndrojë në Superiore, por edhe për Kukësin janë po ashtu, sepse luan për Europën dhe një tjetër shkarje këmbe do të ishte me pasoja, duke ditur që nuk është as në Kupën e Shqipërisë. Në këtë kuptim, pres një ndeshje të kujdesshme, ku fokusi do të jetë te marrja e pikëve dhe jo loja.

Çfarë avantazhesh ka secila skuadër për këtë përballje?

Për Dinamon do të thosha se ka avantazh gjendjen më të mirë psikologjike në këtë moment, sepse vjen pas një fitoreje shumë të rëndësishme në Korçë. Vjen nga një fitore ndaj një rivali direkt dhe ka moral më të lartë. Kukësi vjen pas disa rezultatesh jo të mira dhe duhet që ta kalojë patjetër këtë moment. Avantazh për Dinamon, për mendimin tim, është edhe fusha. Kukësi është skuadër që luan me shumë pasime, e nis sulmin gradualisht që nga porta e tij dhe për këtë kërkon një fushë të mirë. Me sa dimë, fusha e Kamzës nuk është aq e mirë dhe ndoshta Dinamo e ka zgjedhur vetë atë për këtë arsye.

Në fakt, Dinamo kërkonte një tjetër fushë dhe nuk kishte opsion tjetër…

Gjithsesi, unë mendoj se Kukësi do të hasë vështirësi me fushën, ndërsa avantazhi i tij lidhet me faktin se është lart në renditje, nuk ka presion qëndrimi. Dinamo duhet të sigurojë patjetër mbijetesën.

Do të jetë si një lojë shahu apo skuadrat do të guxojnë për gjithçka?

E thashë që fusha nuk të lejon shumë për lojë me ritëm Besoj se Dinamo do të mundohet të bëjë lojë të kujdesshme, pastaj për parashikimin është e vështirë shumë. Mund të vendoset nga një kundërsulm, nga një goditje standarde. Pra, çdo gjë mund të ndodhë.

Duke pasur parasysh grupin e lojtarëve, kush mund ta zgjidhë një ndeshje të tillë?

Shikoni, për nga organika e lojtarëve Dinamo mund të jetë afër Kukësit, pavarësisht se si shkoi sezoni dhe tani luftojnë për mbijetesë. Këto dy skuadra nuk janë për të pasur atë diferencë pikësh që kanë aktualisht në renditje. Me ata lojtarë që ka, Dinamo u ndërtua për vendet e kreut, jo për mbijetesë, por gjërat shkuan ashtu si shkuan. Besoj se blutë mund të luajnë si të barabartë me Kukësin në këtë moment. Kur gjërat nuk ecin, dihet që fillojnë edhe problemet dhe kjo vlen edhe për Kukësin. Të dyja skuadrat kanë lojtarë me nivel në përbërje, që të zgjidhin ndeshje të caktuara.

Dinamo vuan shumë për të shkuar te goli, ndërkohë që Kukësi ka çeduar në mbrojtje këto javët e fundit…

Po, është e vërtetë. Dinamo ka pasur vështirësi për të shënuar, por ka lojtarë që mund të bëjnë mirë. Do të veçoja Mehmetllarin, i cili ka dhënë sinjale pozitive për aq sa ka luajtur në ndeshjet me Vllazninë dhe Skënderbeun. Nëse do të kishte shënuar në rastin që pati në Shkodër, sot do të flisnim ndryshe. Por mendoj se i duhet dhënë besim si lojtar, pasi ka kualitet, është formuar në Kroaci. Do të ishte mirë që te Dinamo të mos përsëritej një rast tjetër si ai i Skukës. Kukësi ka një mënyrë tjetër loje, por siç e thatë edhe ju, ka pësuar shumë gola javët e fundit dhe Dinamo mund ta godasë.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.