Shkrirja e gjykatës së Bajram Currit/ Deputeti i PD-së ngre shqetësimin: E pamundur për banorët e varfër të Tropojës të bëjnë 110 km deri në Kukës për një firmë








Deputeti i Partisë Demokratike, Isuf Çela, ka ngritur shqetësimin për problematikën që mund të lind për qytetarët e Tropojës nëse gjykata e rrethit do të transferohet nga Bajram Curri në Kukës.

isuf cela 2

Përmes një postimi në rrjete sociale, Çela atakon planin e Ministrisë së Drejtësisë për ndryshimin e hartës së gjykatave në vend. Deputeti thekson se do të jetë një kosto shumë e madhe financiare për banorët e Tropojës nëse do tu duhet të shkojnë në Kukës për të marrë shërbimet gjyqësore.

Reagimi i plotë

Tropoja rrezikon të izolohet edhe nga drejtësia.

Siç e kam theksuar në fjalën time në seancën plenare të datës 14 tetor, ndjej sërish detyrimin në emër të banorëve të Tropojës që të ngre përsëri shqetësimin e madh për shkrirjen e Gjykatës së Tropojës, çka do të sjellë një ndëshkim për banorët e Tropojës.

Në emër të qytetarëve dua ti bëj thirrje ministrit të drejtësisë, Ulsi Manja, duke qenë se është nga veriu dhe e di fort mirë se çfarë do të thotë për një banor të varfër të Tropojës të udhëtojë 110 kilometra vajtje e po kaq në kthim vetëm e vetëm për një firmë apo për një çeshtje të thjeshtë gjyqësore, meqë ministrja e mëparshme e drejtësisë as e kishte haberin dhe as e mori ndonjëherë mundimin që të mendojë njëmijë e një hallet që krijon mungesa e drejtësisë në Tropojë: Mos ia bëni këtë tropojanëve. Mos e izoloni këtë trevë që vuan kushtet më të rënda ekonomike dhe sociale.

Një apel e kam edhe për grupin e punës që po merret me hartën e re gjyqësore, që para se ti vënë kyçin derës së drejtësisë në Tropojë, të marrin mundimin e ta bëjnë njëherë atë rrugë e të kuptojnë se çfarë kosotoje sjell transferimi i Gjykatës nga B.Curri në Kukës.

Banorët e Tropojës nuk duan që të mbyllet institucioni i vetëm i drejtësisë, ndaj dhe unë në emër të tyre iu bëj thirrje sa ende jemi në kohë: Mos e ndëshkoni Tropojën! Mos ia shtoni hallet tropojanëve të varfër e të izoluar nga mungesa e vëmendjes së shtetit e pushtetit gjygjësor. Mos ia mbyllni derën e vetme ku mund të marrin drejtësi. Gjykata e Tropojës jo vetëm që nuk duhet mbyllur, por përkundrazi ajo duhet të rikonstruktohet e të investohet në paisje e mjete të punës si dhe me burime njerëzore të kualifikuara e të vihet në shërbim të njerëzve që kanë kaq shumë nevojë që të marrin të drejtën e tyre pa kostot e shumta që krijon transferimi në Kukës i saj.

Mos e vrisni shpresën për drejtësi të këtyre qytetarëve.

Tropoja do drejtësi dhe jo ndëshkim me mungesë të drejtësisë dhe institucionit të saj!

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *