“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut besoj se i kanë përmbushur kushtet”, Merkel për integrimin europian: BE të mbajë premtimin për…





angela merkel 5

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, zhvilloi vizitën e fundit në këtë detyrë në Tiranë me mesazhe të rëndësishme për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe vazhdimin e nismës së saj të “Procesit të Berlinit”. Për Kancelaren Merkel, ky proces bëri të mundur rritjen e bashkëpunimit dhe thyerjen e barrierave politike dhe ekonomike midis vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kancelarja në largim u shpreh se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë përmbushur kushtet e caktuara për të nisur negociatat e anëtarësimit dhe BE duhet të mbajë premtimin e saj për anëtarësim. Në Tiranë Angela Merkel u takua edhe me krerët e qeverive të vendeve të tjera të Ballkanit, ku kërkoi vazhdimin e përpjekjeve të tyre për në BE.

TAKIMI ME RAMËN

Për humorin, ndoshta do të duhej të thelloheshim disi më shumë, për sa i përket diellit, jam dakord me ju. I dashur Edi Rama, unë dëshiroj t’ju falënderoj në rolin e Kryeministrit, që pjesën e parë të ditës mundëm të realizonim së bashku një vizitë bilaterale, duke trajtuar gjithashtu dhe tema bilaterale. Marrëdhëniet me Shqipërinë janë vërtet mjaft të mira. Ne mund ta zgjerojmë më tej bashkëpunimin tonë dhe këtë e kemi bërë të qartë në mënyrë të shumëfishtë. Do të dëshiroja të uroja dhe përgëzoj Shqipërinë për të gjitha përpjekjet që ka ndërmarrë vitet e fundit, për të ristrukturuar sistemin e vet të drejtësisë. Ishte një diskutim konstruktiv. Unë tani do të vijoj bisedat bilaterale me shefat e qeverive të vendeve të rajonit, të cilat nuk munda t’i vizitoj.

Që tani mund të themi që në datën 6 tetor do të takohemi sërish nën Presidencën Sllovene të Këshillit të Bashkimit Europian, duke shpresuar që deri në atë moment do të kemi arritur progres të caktuar. Ishin biseda të mira, konstruktive. Dëshiroj t’ju falënderoj lidhur me këtë.

INTEGRIMI

Sikundër Shqipëria, ashtu dhe Maqedonia e Veriut besoj se i kanë përmbushur kushtet e caktuara për të nisur negociatat e anëtarësimit. Për fat të keq, kjo nuk u realizua dot gjatë Presidencës së Këshillit nga Gjermania, për shkak të vetos së Bullgarisë, por ne kemi premtuar gjithashtu që do të jemi pranë këtij procesi, pasi në të është investuar vërtet shumë forcë dhe energji. Edhe një herë e qartësova, Procesi i Berlinit nuk është zëvendësim për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Negociatat e anëtarësimit të secilit prej vendeve do të zhvillohen. Vendet kanë statuse të ndryshme lidhur me këtë. Disa janë duke pritur konferencat ndërqeveritare, të tjerë kanë hapur kapituj anëtarësimi. Dikush nuk ka bërë ende një kërkesë për anëtarësim, pra, kemi shkallë të ndryshme. Në secilën prej këtyre shkallëve do të duhej që të ishim energjikisht të involvuar, por sigurisht, nga ana tjetër, paralelisht mund të vijohet edhe bashkëpunimi rajonal, i cili bën më tepër sens, sesa duke implementuar projekte kombëtare.

Fakti që unë jam e bindur që në këndvështrimin gjeostrategjik Bashkimi Europian apo më konkretisht Gjermania, vendi të cilin unë përfaqësoj këtu, ka një interes të vetin në anëtarësimin e këtyre vendeve në BE, por sigurisht është diçka tjetër, po themi, procesi i bashkëpunimit në nivel rajonal, një ide, e cila është pranuar nga BE-ja apo nga këndvështrimi gjerman. Zemra ime rreh për këtë rajon, edhe pse nuk do të kem mundësinë të vesh të njëjtën detyrë sikundër deri më tani. Sikurse ju e thatë, ndoshta do të më ngacmojë, nxisë dielli të vij e të ndjek zhvillimin e këtyre vendeve. I uroj mirëqenie, prosperitet, vende pune, paqe, të gjitha këto të vazhdojnë të ruhen në rajonin tuaj dhe ia vlen të punojmë që të jetë kështu.

Në fakt Bashkimi Europian, shtetet anëtare të BE-së, do të duhej që nga njëra anë të thonë se cilat janë kriteret, cilat janë kushtet për t’u përmbushur për t’u bërë pjesë e BE-së apo për të nisur procesin e anëtarësimi dhe këtë në rastin e Shqipërisë e kemi thënë qartësisht se çfarë duhet të ndryshojë në sistemin e drejtësisë apo në pikat e tjera, sektorë të tjerë e në momentin që këto kushte plotësohen, do të duhej që Bashkimi Europian të mbante fjalën e vet dhe jo të nxirrte kushte të tjera, sepse për shkaqe të politikës së brendshme në vende të caktuara, kjo nuk është e mundur. Kjo sjell pastaj zhgënjim dhe unë kam mirëkuptim për zhgënjimin që rezulton së këtejmi. Sigurisht edhe ne në Gjermani kemi nevojë dhe për çdo herë për miratimin e Parlamentit dhe Parlamenti im lexon me mjaft saktësi të gjitha raportet e Komisionit të Bashkimit Europian lidhur me përmbushjen e kushteve.

Ata vetë shkojnë në rajon, shikojnë vendin, flasin me NGO, me shoqërinë civile e të tjera dhe më duhet të them që pikërisht që në momentin që konstatohet që kushtet janë të përmbushura, atëherë duhet të mbahet fjala, sepse përndryshe kemi zhgënjim. Ne duhet të dimë t’i besojmë njëri-tjetrit.

PROCESI I BERLINIT

Në kuadër të drekës me të gjithë kryetarët e qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor, kam pasur kënaqësinë që prej idesë së vitit 2014 për inicimin e një procesi bashkëpunimi (“Procesi i Berlinit”), prej tij ka rezultuar tanimë një bimë mjaft e fuqishme. Procesi i Berlinit, nëse më lejoni të them, është bërthama e gjithçkaje dhe sigurisht, në këtë kontekst, Procesi i Berlinit nuk mund të zëvendësohet, gjërat thjesht mund të përshpejtohen brenda këtij Procesi. Pikë së pari, Ballkani Perëndimor vitet e fundit ka mësuar të bashkëpunojë me njëri-tjetrin dhe jo vetëm të qëndrojnë ulur me njëri-tjetrin. Shumëçka ka ndryshuar në bashkëqenësinë e këtyre popujve dhe vendeve me njëri-tjetrin. Kryetarët e shteteve dhe qeverive takohen në mënyrë të vazhdueshme dhe normale me njëri-tjetrin, çka më parë nuk ka qenë kështu.

Së dyti, i tërë bashkëpunimi, siç është shoqëria civile apo shkëmbimet rinore apo shkenca, bashkëpunimi në të gjitha këto dimensione është konsoliduar në mënyrë të vazhdueshme. Kemi folur gjithashtu dhe për projekte mjaft të rëndësishme infrastrukturore, në të cilat shikohen tanimë rezultatet e para. Kemi folur për nisjen e punimeve të Autostradës së Paqes. Një temë tjetër e rëndësishme që nuk duhet nënvlerësuar dhe rreth së cilës ne folëm ishte që në momentin që vendet e këtij rajoni do të bashkohen me Bashkimin Europian, do të jenë vende që do të vendosen përpara detyrimeve të “Fit for 55”, pra detyrime të cilat do duhet t’i përmbushin lidhur me neutralitetin e klimës, kushte të cilat do të duhet të ndryshoheshin në rajon.

Sigurisht, këtu ka shumë mundësi bashkëpunimi rajonal dhe unë përshëndes në mënyrë shprehimore edhe projektin e Tregut të Përbashkët Rajonal me katër marrëveshjet, sikundër i quajmë. Jo të gjithë janë duke bashkëpunuar në të njëjtin nivel në këto marrëveshje, disa janë tashmë brenda implementimit të tyre, disa të tjerë janë duke u menduar për t’iu bashkuar kësaj iniciative, por sot ne kemi rënë dakord që sa më shumë të bashkëpunojnë në këtë kontekst, aq më mirë e aq më i fuqishëm do të jetë Procesi i Berlinit. Nëse ju takoheni, kjo është e drejta juaj dhe unë këtë e përshëndes vërtet shprehimisht dhe shpresoj shumë që të vijoni në këtë drejtim. Nga ana e Gjermanisë do të vazhdojë të ketë vazhdimësi në interesimin dhe mbështetjen e mëtejshme.

Nuk mund të themi se është mbaruar ndërtimi i autostradave të synuara, por në planifikim janë procese të iniciuara, me një rrjet të shkëmbimeve rinore në vendet e Ballkanit kemi shkëmbime në nivel shkencor. Që nuk ka ndodhur gjithçka nuk mund ta themi absolutisht. Aleksandër Vuçiç dhe Edi Rama, duke pasur parasysh se për një kohë të gjatë nuk ka pasur shkëmbime qysh prej 1947-ës deri në 2017-ën, por mendoj se që prej këtij momenti që ata janë takuar, kanë ndryshuar shumë gjëra. Ndoshta diçka merr më tepër kohë se sa duhet, për sa u përket procedurave të planifikimit, ndoshta edhe BE-ja nuk është aq e shpejtë sa do të duhej në këtë drejtim, por shumëçka është në rrugën e duhur.

ROLI I MERKEL PAS TËRHEQJES

Unë nuk kam ndërmend të luaj një rol aktiv politik, por do të vazhdoj të mbetem mike e Ballkanit Perëndimor, do të vazhdoj të jap këshilla, nëse do të pyetem për këshilla dhe përvoja që dikush të vërë veton e vet për të bllokuar procesin, është një përvojë që e kemi bërë disa herë. Ky nuk është një specialitet që ka të bëjë vetëm me rastin e Shqipërisë apo të Maqedonisë së Veriut. Unë jam shpresëplotë dhe jemi përpjekur në këtë drejtim edhe në kontekstin e Presidencës gjermane të Bashkimit Europian, pikërisht për të dhënë mbështetjen tonë aktive në këtë drejtim. Kemi bërë njëfarë pune, kemi pasur disa arritje në këtë drejtim. Sigurisht që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë pasur mbështetjen e të gjitha vendeve të BE-së për të hapur negociatat. Bëhet fjalë tani për Konferencën Ndërqeveritare dhe me siguri ka mirëkuptim për të gjitha shenjat e padurimit që tregohen prej këtyre vendeve në këtë drejtim.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *