Shqipëria, Kosova dhe M. Veriut me rritjen më të madhe të vdekjeve shtesë në Europë nga fillimi i pandemisë deri në shtator 2021

Lokalet e mbushura plot, qëndrimet në ambientet e brendshme dhe lëvizjet në urbanë pa maska, mungesa e distancimit social, të pranishme prej shumë muajsh, të krijojnë idenë se në vend pandemia është vetëm një kujtesë e largët.

Por, të dhënat e Eurostat dhe statistikat kombëtare përkatëse tregojnë se Shqipëria, së bashku me dy vendet e tjera të rajonit, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut janë tre shtetet që kanë shënuar rritjen më të lartë të vdekshmërisë shtesë që nga marsi i vitit 2020, kur pandemia “pushtoi” gradualisht Europën deri në shtator 2021.

Ndërsa viti 2020 u mbyll me Shqipërinë që shënoi vdekshmërinë më të lartë shtesë në Europë (+26%), duke i shtuar dhe periudhën 9 mujore 2021, vendi ynë ka kaluar i treti pas Kosovës, që ka pasur goditjen me të fortë nga pandemia për humbjen e jetëve të njerëzve, sidomos në verën e 2021, dhe Maqedonisë së Veriut.

Sipas të dhënave zyrtare të ASK (Agjencisë së Statistikave të Kosovës), në Kosovë, vdekshmëria kumulative shtesë për periudhën mars 2020-shtator 2021 në krahasim me periudhën përkatëse mesatare 2018-2019 ishte +43.4%.

Në Kosovë situata u rëndua në verën e vitit 2021 pas problemeve të shfaqura me furnizimin me oksigjen në spitale dhe fillimit të vaksinimit me vonesë (shiko grafikun: Vdekjet sipas muajve, Kosova).

Për Maqedoninë e Veriut, rritja e fataliteteve për të njëjtën periudhë është +42.6%, sipas të dhënave të Zyrës së Statistikave të Republikës së Maqedonisë, të përpunuara nga Monitor.

Të dhëna të tjera të Eurostat, për vdekjet javore, ku raporton dhe Shqipëria, tregojnë se për periudhën 2 mars 2020-19 shtator 2021, fatalitetet shtesë u rritën me 34.6%, duke e renditur vendin tonë të tretin në Europë.

Fillimi i vaksinimit në Shqipëri në prill 2021, pak më herët se në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut duket se ka qenë faktori kryesore që ka frenuar fatalitetet në Shqipëri në raport me vendet fqinjë. Por, tashmë të dy këto shtete kanë ritme më të larta ose të njëjta vaksinimi me ne. Sipas të dhënave të Worldindata, Maqedonia e Veriut deri në 26 dhjetor 2021 kishte vaksinuar 40% të popullsisë. Kosova, deri në 9 janar 2022 kishte dhënë doza për 50% të popullsisë dhe Shqipëria po deri në 9 janar kishte vaksinuar 41% të popullsisë. Të tria shtetet mbeten shumë më pas mesatares së bashkimit Europian, që deri në fillim të janarit ka dhënë të paktën një dozë për 73% të popullsisë dhe 70% i kanë marrë të dyja dozat.

Të dhënat e deritanishme po tregojnë se sa më i varfër një shtet aq më e ulët është vëmendja ndaj shëndetit dhe kapacitetet për të përballuar kriza pandemike. Në vend të katërt renditet Mali i Zi, që deri në 4 korrik 2021 kishte një rritje të vdekshmërisë shtesë prej 24%. Më mirë në rajon e ka përballuar situatën Serbia, me rritje të fataliteteve shtesë deri në 19 shtator prej 12.2%.
Pas Malit të Zi, është Bullgaria që ka pasur pasoja më të rënda nga pandemia, me rritje 22.4% të vdekshmërisë shtesë për periudhën në fjalë, e ndjekur nga Polonia (20.8%), Sllovakia (20.3%), Çekia (19.7%)- (shiko grafikun: Vdekje shtesë progresive, 2 mars 2020-19 shtator 2021, krahasuar me periudhën përkatëse mesatare 2018-2019).

Renditja vijon me Italinë, shtetin që u përball i pari në Europë me valën pandemike dhe që deri në 19 shtator 2021 kishte shënuar një rritje kumulative të vdekjeve shtesë prej gati 16%.
Më pak fatalitete në Europë kanë shënuar vendet nordike. Norvegjia është e vetmja në Europë që me fillimin e pandemisë nuk ka njohur rritje të vdekshmërisë shtesë (-1.2%). Në Danimarkë, Islandë, Finlandë, rritja ishte minimale midis 1 dhe 3%. Gjermania, shteti që ka qenë i rreptë me masat kufizuese ka parë një rritje të fataliteteve shtesë që nga marsi 2020 me 4.2%. Suedia, shteti që refuzoi që në fillim ndërmarrjen e masave kufizuese, në mënyrë që të mos shkelte lirinë e banorëve të saj ka rezultuar me një rritje të vdekjeve shtesë prej gati 6%, më të lartë sesa fqinjët e saj, por më të ulët se shtetet e tjera të Europës.

Të dhënat e Eurostat, ku nuk përfshihen Kosova dhe Maqedonia e Veriut tregojnë se Shqipëria ka marrë “kryesimin” vdekshmërisë shtesë që në javën e dytë të nëntorit 2020, kur rritja progresive ishte 25%, ka kulmuar në mesin e muajit mars 2021 me +41%, dhe zbriti lehtë në 35% deri në 19 shtator (shiko grafikun: Vdekje shtesë progresive javore, 2 mars 2020-19 shtator 2021, krahasuar me periudhën përkatëse mesatare 2018-2019).

Muajt e dimrit pritet ta kenë përkeqësuar tendencën, teksa edhe sipas deklarimeve zyrtare ka pasur një shtim të fataliteteve, duke filluar nga tetori.

Të dhënat e tjera kombëtare të INSTAT bëjnë të ditur se në vend. që nga prilli 2020, kur vala e pandemisë filloi të jepte pasojat e para në Shqipëri deri në fund të shtatorit 2021, në vend janë shënuar rreth 11 mijë vdekje shtesë në krahasim me mesataren e periudhave përkatëse 2016-2019./Monitor

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.