Shqipëria sfidon Uellsin, flet Kumbulla: Po pres me padurim Bejlin! Ronaldo…






“Special One’ do të nisë aventurën e tij me skuadrën kryeqytetase të Italisë dhe një prej talenteve më premtues të Serisë A po e pret me padurim të luajë”, kjo është hyrja e rrëfimit ekskluziv që Kumbulla bën për “Goal.com”. Marash Kumbulla po pret me padurim trajnerin e tij të ri, Hoze Murinjon, me të cilin do të tentojë ta bindë për t’i rezervuar një vend në formacion teksa në këtë 90-minutësh do të mund të përballet dhe me Garet Bejl.

kumbulla 1

“Jam shumë i lumtur. Uellsi ka lojtarë shumë të talentuar dhe është një ndeshje që do t’i shërbejë Shqipërisë për t’u rritur. Po pres me padurim që të përballem me Bejlin. Jam gjithmonë shumë i lumtur të përballem me kampionë të mëdhenj, pasi më ndihmon që të fitoj eksperiencë”, tha Kumbulla për “Goal.Com”.

LUKAKU & RONALDO – Kumbulla e di këtë ndjesi, teksa përmend Paolo Dibalën dhe sulmuesin që është shpallur së fundmi fitues i Serisë A me Interin, Romelu Lukakun, si kundërshtarët më të fortë. Gjithashtu, është përballur katër herë me Kristiano Ronaldon. “Kur je në fushë nuk e mendon faktin që po luan kundër tij, sepse duhet të jesh i përqendruar te ndeshja. Mirëpo, kur sheh më vonë se çfarë ke kaluar në karrierë, është një ndjesi e çuditshme, por e bukur, sepse që kur kam qenë i vogël e kam parë atë që të luajë për ekipet më të mira. Ndeshjet kundër tij kanë qenë të çuditshme, por më kanë kënaqur shumë”, vijon 21-vjeçari.

ROMA – Këto raste e kanë përgatitur atë dhe në momentin që kaloi nga Verona te Roma, nuk ndjeu presion verën e shkuar. Pati interesime të shumta, mes tyre edhe nga Totenhemi pas një sezoni fantastik me Veronën. “Isha i përkëdhelur sepse shumë skuadra më kërkuan. Mirëpo, kur dëgjova Romën, ka qenë vendim shumë i lehtë. Në pak orë e vendosa të shkoja në Romë me kënaqësinë më të madhe”, tregon mbrojtësi. Këtë vit, ka luajtur vetëm 21 ndeshje, 14 prej të cilave në kampionat, edhe pse është një prej qendërmbrojtësve më të vlerësuar në Europë.

“Kisha marrëdhënie të mira me trajnerin Fonseka. Sigurisht që doja të flisja më shumë, por kur je pjesë e një ekipi të mirë me lojtarë cilësorë, është shumë e vështirë të gjesh hapësira. Smolling? Përpiqem të flas anglisht me të sepse nuk e flet mirë italishten. Kam mësuar prej tij, jo prej gjuhës, por më shumë nga veprimet e tij, brenda dhe jashtë fushe”, vijon Kumbulla për Smolling.

PËR MURINJON – Roma e mbylli në vend të shtatë dhe kjo nuk mjaftoi për vazhdimësinë e Fonsekës, i cili do të zëvendësohet nga Murinjo. “Akoma nuk më besohet që do të jetë Murinjo. Kjo është një ëndërr të stërvitem prej tij. Do të jetë një arsye më shumë që të mësoj dhe të rritem akoma më shumë. Nuk kam folur ende me të, por e di që do të flas sapo të vijë te Roma dhe do të jetë një eksperiencë e jashtëzakonshme. Gjëja më e rëndësishme që besoj se do të na sjellë Murinjo te Roma, është mentaliteti fitues”, shprehet shqiptari.

“EURO 2020” – Kumbulla do të ketë dy ndeshje përpara me Uellsin dhe Republikën Çeke, ekipe që do të jenë në Europian, ndërsa Shqipëria nuk ka siguruar një biletë në finalet e këtij edicioni. Ylli i lindur në Itali, bën tifo për të besuarit e Roberto Mançinit. “Do t’i ndjek shokët e mi dhe do të bëj tifo për Italinë. Nuk jam i sigurt se cili mund të fitojë, sepse ka shumë ekipe të forta. Uroj ta fitojë Italia, sepse është vendi im i dytë”, deklaron Kumbulla për Europianin.

PUSHIMET DHE RINISJA – Pas këtyre dy ndeshjeve, pak pushime dhe më pas një punë e madhe rinis nën drejtimin e trajnerit të ri. “Personalisht dua që të luaj gjithmonë në maksimumin tim, për të dhënë kontribut çdo herë që skuadra zbret në fushë. Gjëja më e rëndësishme, është sigurisht objektivi i ekipit. Kjo është më e rëndësishme se këtë vit nuk i realizuam objektivat e ekipit, ndaj arritja sezonin tjetër është dyfish e rëndësishme. Murinjo është zgjedhja më e mirë për të na ndihmuar ne sepse ka fituar thuajse me çdo ekip që ka stërvitur. Do të na sjellë ide të reja dhe një mënyrë të re loje që do të na shërbejë shumë”, ka përfunduar Marash Kumbulla për “Goal.Com”./ PANORAMASPORT.AL 

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *