Shtëpia e Bardhë hedh poshtë njoftimet për tërheqjen e mundshme të forcave amerikane nga Evropa Lindore

Shtëpia e Bardhë hodhi poshtë njoftimet se administrata amerikane po shqyrton mundësinë e tërheqjes së forcave amerikane nga Evropa Lindore, para bisedimeve me Rusinë javën e ardhshme. Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë e bëri sqarimin në përgjigje të një kërkese nga Zëri i Amerikës, pasi rrjeti NBC News njoftoi të premten se zyrtarët amerikanë janë të gatshëm të propozojnë diskutime për reduktimin e dislokimeve të trupave amerikane dhe ruse dhe stërvitjeve ushtarake në Evropën Lindore, nëse Moska tregon se është serioze për negociata.

“Ne kemi qenë të qartë me Rusinë, publikisht dhe privatisht, se nëse Rusia ndërhyn më tej Ukrainë, ne do t’i përforcojmë partnerët tanë të NATO-s në krahun lindor, ndaj të cilëve kemi një detyrim të shenjtë si aleatë”, i tha Zërit të Amerikës zyrtari i Shtëpisë së Bardhë. Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara po “bashkëpunojnë ngushtë me aleatët e NATO-s ndërsa e përballojnë krizën së bashku”. Moska ka paraqitur kërkesa gjithëpërfshirëse, përfshirë që NATO të zvogëlojë praninë në Evropën Lindore dhe të mos anëtarësojë Ukrainën– kërkesa të papranueshme për SHBA-në dhe Evropën.

“Kjo është padyshim pjesë e skenarit të njohur (të Moskës), të paraqesë një listë kërkesash absolutisht të papramueshme, për të pretenduar më pas se pala tjetër nuk po angazhohet dhe për ta përdorur si justifikim për veprime agresive”, është shprehur Sekretari i Shtetit, Antony Blinken.

NATO përjashton mundësinë për ndalimin e zgjerimit
Ndërkohë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, përjashtoi të premten çdo mundësi për ndalimin e zgjerimit të vazhdueshëm të aleancës ushtarake për të trajtuar shqetësimet e sigurisë që vijnë nga Rusia, duke hedhur poshtë një pjesë themelore të kërkesave të Presidentit Vladimir Putin për lehtësimin e tensioneve me Ukrainën.

“Ne nuk do të bëjmë kompromis mbi parimet themelore, përfshirë të drejtën e çdo vendi për të vendosur rrugën që do të ndjekë, përfshirë çdo lloj marrëveshje sigurie që dëshiron të jetë pjesë e saj”, tha për gazetarët zoti Stoltenberg në Bruksel pas një takimi të jashtëzakonshëm të ministrave të jashtë të aleancës. Sekretari Blinken, dhe homologët e tij të aleancës zhvilluan bisedime virtuale përmes internetit për t’u përgatitur për takimin e parë të Këshillit NATO-Rusi në më shumë se dy vjet.

Takimi, që pritet të mbahet të mërkurën në Bruksel, do t’u japë ambasadorëve të NATO-s mundësinë për të diskutuar ballë për ballë me të dërguarin e pasaçëm rus mbi propozimet e sigurisë të Presidentit Putin. Pjesa më e madhe e propozimeve, të bëra publike nga Moska, mes tyre një projekt-marrëveshje me vendet e NATO-s dhe oferta për një traktat mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, duket të jenë e papranueshme për aleancën ushtarake të përbërë nga 30 vende, pavarësisht frikës se Putini mund të urdhërojë forcat ushtarake ruse të futen në Ukrainë.

Në dokumente thuhet se, NATO-ja duhet të pranojë të ndalojë të gjitha planet e anëtarësimit, jo vetëm me Ukrainën, si dhe t’u japë fund manovrave ushtarake pranë kufijve të Rusisë. Në këmbim, Moska do të respektojë angazhimet ndërkombëtare që ka nënshkruar për kufizimin e manovrave luftarake, si dhe për t’i dhënë fund incidenteve të zhurmës me avionë dhe armiqësive të tjera të nivelit të ulët.

Miratimi i një marrëveshjeje të tillë do të kërkonte që NATO-ja të hedhë poshtë një pjesë themelore të traktatit mbi të cilin u formua aleanca. Në bazë të ligjit 10 të Traktatit të Uashingtonit të vitit 1949, organizata mund të ftojë çdo vend evropian që i plotëson kushtet për të kontribuar për sigurinë e zonës së Atlantikut të Veriut, si dhe të përmbushë detyrimet e anëtarësimit.

Zoti Stoltenberg tha se ka vazhduar rritja e pranisë ushtarake ruse pranë Ukrainës, veprim që ngjalli shqetësime për një ndërhyrje të mundshme. “Po vërejmë njësi të blinduara, artileri, trupa luftarake të gatshme, shohim pajisje të luftës elektronike si dhe shumë aftësi të ndryshme ushtarake”, tha ai.

Shtimi i prezencës ushtarake, i kombinuar me kërkesat e sigurisë dhe të kaluarën ruse ndaj Ukrainës dhe Gjeorgjisë, “dërgon një mesazh se ekziston një rrezik real për një konflikt të ri të armatosur në Evropë”, tha zoti Stoltenberg. Në vitin 2014, Rusia aneksoi nga Ukraina Gadishullin e Krimesë dhe më vonë mbështeti një rebelim separatist në lindje të Ukrainës. Mbi 14,000 njerëz kanë humbur jetën gjatë luftimeve shtatë vjeçare duke shkatërruar Donbasin, ku është e përqendruar industria e Ukrainës.

Rusia mohon se ka plane të reja për të sulmuar Ukrainën, por Presidenti Putin dëshiron garanci ligjore që do të përjashtonin zgjerimin e NATO-s dhe dislokimin e sistemeve mbrojtëse. Moska thotë se këtë muaj pret përgjigje mbi propozimet e saj të sigurisë./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.