Prej muajsh vazhdojnë të shtyhen afatet për hyrjen e Partizanit në kompleksin e ri. Para pak ditësh, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i shoqëruar nga kreu i klubit të kuq, Gazmend Demi, vizituan kompleksin. Nga pamjet e servirura shihet qartë se puna ka ecur, por ende kompleksi nuk është gati për të pritur skuadrën minimalisht në stërvitje.
Tapeti i fushës është shtruar, por ende detajet e fundit të instalimit të tij në terren, nuk e lejojnë skuadrën, që më në fund, të stërvitet në shtëpinë e re. Gazeta pyeti në klub në lidhje me këtë çështje. Nga Partizani nuk tregojnë shumë detaje, por mjaftohen me lajmin e ditur botërisht se punimet vazhdojnë, pa dhënë një afat se kur mundet që skuadra të vendoset në shtëpinë në Tufinë.
Në fund të vitit të shkuar, Demi u shpreh se në janar skuadra do të jetë në kompleksin e ri, por kaloi gjysma e shkurtit dhe ende nuk kemi të reja. Punimet për ndërtimin e kompleksit multifunksional të të kuqve kanë nisur para rreth gjashtë vitesh, por procedurat e shumta dhe ngecjet e shpeshta të punimeve i kanë detyruar të kuqtë të jenë ende pa strehë.
PANORAMASPORT.AL
© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al