
09:41 08/11/2022
Kina ka përsëritur angazhimin e saj të palëkundur ndaj politikës së gjatë zero-Covid, megjithë zhgënjimin në rritje të qytetarëve, të cilët thonë se këto masa të rrepta po rrezikojnë jetët që po synojnë të mbrojnë.
Thashethemet për një dalje nga strategjia zero-Covid u hodhën poshtë nga zyrtarët kineze të shëndetësisë gjatë një konference për shtyp. Ata thanë se do të vazhdojnë me strategjinë e zero Covid për elimiminin e rasteve me koronavirus sapo ato të shpërthejnë. Fushata e pandërprerë ka mbajtur të ulët numrin e infeksioneve dhe të humbjeve të jetës si pasojë e virusit Sars-Cov2.
“Praktika ka vërtetuar se politika jonë e parandalimit dhe kontrollit të pandemisë dhe një sërë masash strategjike janë plotësisht të sakta, më ekonomike dhe më efektive. Ne duhet t’i përmbahemi parimit të vendosjes së njerëzve dhe jetës në radhë të parë”, tha Hu Xiang, një zyrtar i kontrollit të vurusit Covid-19 kur u pyet nëse Kina do të ndalonte politikën e saj për zero raste me koronavirus.
Njoftimi i dha një goditje të rëndë shpresave për një lehtësim të kufizimeve, të nxitur nga thashethemet e paverifikuara të mediave sociale se Kina po formonte një komitet të nivelit të lartë për të hequr dorë nga politika zero-Covid.
Vazhdimi i politikës zero-Covid erdhi gjithashtu si një zhgënjim i madh për kinezët, shumë prej të cilëve janë lodhur nga testimi masiv i pandërprerë, karantina dhe bllokimet e rrepta që ndonjëherë zgjasin me muaj të tërë./tvklan.al