
10:48 09/07/2022
Reuters: Disa nga emrat që mund ta zëvendësojnë atë
Këto pamje ndoshta mund të përshkruajnë më së miri karrierën politike të Boris Xhonson e cila morri të tatëpjetën. I nxitur nga presioni mjaft i madh atij nuk i mbeti rrugë tjetër veçse të dorëhiqej.
“Arsyeja pse kam luftuar kaq shumë ditët e fundit për të vazhduar ta dorëzoj personalisht mandatin nuk ishte vetëm sepse doja ta bëja këtë, por sepse ndjeva se ishte puna ime, detyra ime, detyrimi im ndaj jush që të vazhdoja të bëjmë atë që kemi premtuar në 2019”.
Festat e organizuara në rezidencën e kryeministrit gjatë kohës kur i gjithë vendi ishte në izolim e deri tek emërimi i Chris Pincher, në një post të rëndësishëm të grupit parlamentar i cili u akuzua për ngacmime seksuale ishin disa nga skandalet.
Këto ngjarje nuk ishin të lehta për tu përtypur qoftë nga qytetarët, por edhe atyre në mesin e anëtarëve të Partisë Konservatore të cilët i kthyen shpinën. Por të kënaqur për largimin e tij nuk duket të jenë vetëm këta londinezë të cilët brohorasin me thirrjet: Mirupafshim Boris. Edhe Rusia është e lumtur për largimin e tij .
“Sigurisht, situata në Britaninë e Madhe, kriza qeveritare, nuk mund të jetë prioritet për ne. Ne po ndjekim para së gjithash atë që po ndodh këtu në vendin tonë. Por, sigurisht, kemi parë se ka një krizë qeveritare në shkallë të gjerë. Për sa i përket zotit Johnson, ai me të vërtetë nuk na pëlqen ne, as ne nuk e duam atë.”
Lufta në Ukrainë, por edhe të tjera arritje gjatë qeverisjes së tij janë të qarta edhe për vetë qytetarët të cilët ende pas dorëheqjes së të tij vlerësojnë pozitivisht Xhonson.
“Unë mendoj se ai ka bërë shumë gabime, por ka bërë edhe shumë gjëra të mira. Ekonomia jonë ishte e para që doli nga pandemia. Ai solli Brexit, nga e cila vendi do të ketë një përfitim afatgjatë”.
Por kush do ta zëvendësojë tani Boris Johnson? Reuters, agjencia prestigjioze e lajmeve ka dhënë disa emra të mundshëm për fytyrën e re në krye të udhëheqjes britanike.
Ministrja e Jashtme Liz Tras është një figurë mjaft e dashur në mesin e konservatorëve. Ajo evokon imazhin e kryeministres së parë grua në Britaninë e Madhe, Margaret Thatcher, e njohur ndryshe edhe si “Zonja e Hekurt”.
Xherëmi Hant i cili ka qenë më parë në postin e Tras përfundoi i dyti pas Xhonson në garën e lidershipit 2019. Ai do të ofronte për britanikët një stil lidershipi më serioz dhe më pak të diskutueshëm pas skandaleve të kryeministrit Boris Xhonson.
Emri tjetër është ai i Ministri i Mbrojtjes, Ben Uallas i cili ka fituar mjaft popullaritet për qasjen e tij për të trajtuar krizën në Ukrainë. Emri tjetër është, Rishi Sunak, ministri i Financave i cili deri vitin e kaluar ishte favorit për të pasuar Johnson.
Ai ka merita për një paketë shpëtimi për ekonominë gjatë pandemisë së koronavirusit, që parandaloi papunësinë dhe që mund t’i kushtonte buxhetit të shtetit deri në 410 miliardë Paund.
Nadhim Zahavi dallon nga konkurrentët e tjerë konservatorë për shkak të historisë së tij personale. Një ish-refugjat nga Iraku, i cili erdhi në Britaninë e Madhe kur ishte fëmijë e që iu besua posti i ministrit të Arsimit.
I fundit emër është ish-ministrja e Mbrojtjes, Peni Mordan, e cila u shkarkua nga Xhonson kur u bë kryeministër pasi kjo e fundit mbështeti rivalin e tij politik Xheremi Hant gjatë garës së fundit për në krye të Partisë Konservatore. Aktualisht ministrja e re e Tregtisë, dënoi festat e qeverisë gjatë koronavirusit duke i quajtur ato si “të turpshme”.
Por pavarësisht se kush do të jetë në drejtimin e qeverisë britanikët kërkojnë vetëm një gjë, t’u përmirësohet jetesa e cila është vëshirësuar nga rritja e çmimeve pas luftës në Ukrainë.
Klan News