“Si ka ndryshuar Edi Rama nga ai i vitit 1991”- Rrëfim unik i studiuesit të njohur, Aurel Plasari: PD të mbyllë ‘dyqanin’ nëse nuk sjell një program të ri dhe…








Aurel Plasari-Basha-Rama-PD-Dyqani-Paralamenti

Studiuesi dhe një nga intelektualët e spikatur të vendit, Aurel Plasari, shprehet se është fatale për Shqipërinë që ka humbur kohën e saj politike. I ftuar në emisionin “Opinion” me gazetarin Blendi Fevziu në “Tv Klan”, zoti Plasari flet për vonesa të Shqipërisë në disa momente kyçe të historisë së saj, duke sjellë në vëmendje 1912, shpalljen e pavarësisë, ku në dokumentin e Pavarësisë, aktin e nënshkruar nga Luigj Gurakuqi, thuhej se “pavarësia u shpall e shtërnguar nga rrethanat dhe jo si vetëdije dhe lëvizje e ndërgjegjes shqiptare”.

E njëjta gjë edhe në 1991, kur Shqipëria ishte vendi i fundit ish-komunist që shembi diktaturën, edhe kjo e ndikuar nga ngjarjet e Berlinit apo të Rumanisë. Duke analizuar misionin e politikanëve shqiptarë, zoti Plasari ndien zhgënjim kur sheh se në përgjithësi ata marrin përsipër të bëjnë punë që nuk dinë t’i bëjnë, por vetëm duke pasur parasysh se përmes politikës bëhesh i pasur. Ai flet për ndryshimet që kanë ndodhur tek Edi Rama që nga 1991, kur e ka takuar për herë të parë, ndërsa ringritjen e Partisë Demokratike e sheh përmes një riorganizimi strukturor, por sidomos programor, dhe jo çështjes se cili do ta drejtojë atë.

PJESË NGA INTERVISTA

Po si shpjegohet kjo vonesë e jona, në 1912 ne kemi qenë të fundit që u shkëputëm nga Perandoria Osmane, në 1990 ishim të fundit që u shkëputëm nga perandoria komuniste dhe në integrimin europian ne jemi të fundit.

Koncepti politik i kohës së humbur është koncept që na ndihmon të shpjegojmë shumë situata.

Për shembull?

Nëse diskutojmë një parti që ka problematika, ka humbur kohën, do ta rikuperojë ajo?

Po.

Mos mbaj shpresa ta rikuperojë!

Nuk ka shpresë ta rikuperojë ajo?

Jo, jo, sipas “Parimit të Kohës së humbur”. Qoftë edhe një parti që ka humbur kohën duhet t’i bëjë llogaritë mirë, sepse ka humbur kohën, nuk ka humbur hapësirën se ajo rikuperohet. Humbja e kohës në historinë politike është.. Shiko humbja e kohës dhe fitimi i kohës është mënyra më bashkëkohore e studiuesve që shpjegojnë ç’bëri Lenini. Që këta të tjerët i thoshin prit edhe ca. Ai tha jo, dua tani! Pra, çështja e kohës së humbur dhe e kapjes së momentit politik të kohës është çështje që shpjegon shumë ngjarje në historinë e kombeve.

Ju e keni jetuar atë kohë. Çfarë gabimi në kohë bëri Ramiz Alia në fund të viteve ‘80?

Edhe unë, edhe ti, jemi dakord që edhe aty ishim të vonuar. Pamë ç’ndodhi me murin, ç’ndodhi me Rumaninë edhe…

Është faji vetëm i individit apo edhe i shoqërisë?

Po, përderisa këto ngjarje janë ngjarje që lidhen me një shoqëri të tërë, me një shtet me politikën… Në radhë të parë, ta lëmë barrën tamam, mos t’i biem më shumë shoqërisë. Asaj duhet t’i biem në qafë vetëm si prodhues i elitave politike. Këtë përgjegjësi e mbajnë elitat politike. Elitat politike mbajnë pikërisht përgjegjësinë e vonesës.

Por elita e viteve ‘80 në Shqipëri ishte inekzistente. Ishte një elitë politike jashtë realitetit, krejtësisht e painformuar. Nëse veçojmë pak Ramiz Alinë, pjesa tjetër ishte skandaloze. Ju i keni ndjekur diskutimet e plenumit kur thoshin: “Ç’është kjo Europa e bashkuar, na e shpjegoni pak se ne nuk e kuptojmë çfarë është”?.

Po, Fevzi, por nëse futemi te ‘89-’90, me elitë të re politike, do kuptojmë atë prurje që erdhi nga inteligjenca plus nga studentët. Por në kuptimin e mendjes, produktit mendor që erdhi nga inteligjenca nga mjekë, inxhinierë, shkrimtarë, profesorë, doktorë etj., ata do vetëprodhoheshin si elitë ose ndoshta do promovoheshin me lista nga elita e vjetër, sepse duhet të kemi parasysh konceptin shkencor. Elitat janë produkt i seleksionimit. Elita politike është produkt i seleksionit politik, kulturorja produkt i seleksionit kulturor. Në rastin e marrëdhënies së elitave të vjetra me të reja, duhet të kemi parasysh që e vjetra ndihmon në promovimin e së resë. Ramiz Alia mund të japë edhe ai rekomandimet e veta, një listë me emra që këta e meritojnë të jenë elita e re. Mos të ma marrin për fakt, por po e them si lëvizin elitat. Edhe në art, edhe në letërsi, ndodh që elitat e vjetra kanë dëshirë të promovojnë një elitë të re. Nganjëherë, fatkeqësisht, promovojnë të ngjashmit e tyre e ky është një problem tjetër. Por kur flasim për ’90, në këtë vit e vetmja elitë që mund të quhej ishte ajo e sajuar në këtë mënyrë nga ato rrethana.

Ku dallon 1912 nga 1990?

Ne kemi diskutuar Dokumentin e Pavarësisë, atë aktin e nënshkruar nga Luigj Gurakuqi. Si u njoftua populli? Popullit i është njoftuar nëpërmjet një shkrese të shtypur në turqisht, ngjitur nëpër mure e nëpër shtylla në të gjithë territorin që mbulonte qeveria e Vlorës. Po ta përkthejmë fillon: “Të shtërnguar nga rrethanat, kemi shpallur pavarësinë e Shqipërisë”. Jemi në konceptin “të shtërnguar nga rrethanat”, që në vetvete tregon vonesën dhe që ti je vonë. Po të ishte për ne, do rrinim edhe ca, por të detyruar nga rrethanat sepse shpërtheu Lufta Ballkanike. Në Luftën Ballkanike, Shqipëria ishte e rrezikuar nga fqinjët, jo me nga turku. Dhe kjo erdhi pasi kërcënimi kryesor i shqiptarëve ishin fqinjët që duke mundur Turqinë, do merrnin toka që i quanin të Turqisë. Këtë e ka shpjeguar Fishta në konferencën që ka mbajtur Imzot Bumçi në Paris, gjatë Konferencës së Versajës, ku ka shpjeguar: “Duhet ta keni të qartë që lufta për pavarësi në ‘12-‘13 ishte kundër ushtrive të shteteve fqinje që filluan të depërtonin dhe thoshin që ne po mundim Turqinë dhe po marrim pjesën e Turqisë. Kjo ishte situata dhe këtë shpjegon shprehja “të shtërnguar nga rrethanat”.

Po në vitin 1990, ku ishte ngjashmëria?

Po, “të shtërnguar nga rrethanat” tani. Ra regjimi simetrik. Ra muri andej, ra edhe këtu. Shqipëria është e fundit nga vendet që rrëzuan komunizmin, por ti mund të thuash që vonesa qe e vogël, nuk qe e madhe. Sot jemi në vonesë në krahasim me ato shtete? Ju keni rastin e Selanikut, mbërritën grekët përpara bullgarëve, edhe sot është qytet grek. Po të kishin mbërritur bullgarët 4 orë përpara grekëve, sot do ishte qytet bullgar. Sot, a jemi të vonuar në procesin e integrimit në Bashkimin Europian?

Po, shumë të vonuar?

Kaq.

Ju keni qenë në Rumani pas rrëzimit të komunizmit dhe vrasjes së Çausheskut atje, sa kohë mbas asaj që ndodhi?

Ka qenë një fat i madh. Një nga ngjarjet më interesante në jetën time. Revolucioni kishte triumfuar, Çaushesku së bashku me gruan, Helena, i kishin vrarë. Gjithë bota ziente me ngjarjen e Rumanisë. Kishte mbaruar premiera, por nuk ishte zhbërë skena pasi kishte shenja kudo.

Iluzioni që u krijua pas shpalljes së pluralizmit, krijimi i Partisë Demokratike, a mendonit që gjërat do lëviznin më shpejt dhe në drejtim të duhur?

Sigurisht, ishte bindje që mbaroi ajo histori e vjetër. Madje, sot më vjen edhe për të qeshur pasi një pjesë të librave i hoqa, thashë s’do më duhen më, se do botohen të rinj. Sot, shpesh blej libra dhe rikuperoj nga ata që kam pas hequr, sepse konvertimi nuk paska qenë krejt ai që e mendoja unë.

Si e mendoje konvertimin, më radikal?

Jo, nuk e mendoja më radikal, përkundrazi, ajo pjesë e zhgënjimit që e kam, lidhet me metodat dhe teknikat radikale të prishjes dhe çuarjes në zero të strukturave. Fjala vjen, të prishësh një shtëpi të madhe botuese me një pasuri shumë të madhe dhe me një ndërtesë shumë të mirë e me një trashëgimi të jashtëzakonshme që me t’i hequr censurën asaj. ajo është një pasuri e madhe. Është si të themi Biblioteka Kombëtare që njihet. Çfarë problematike kishte Biblioteka Kombëtare që 50 ose 70 për qind të ndaluara të rezervuara, ia heq atë edhe liria e informacionit është një mrekulli. Ose shtypshkronja shumë moderne edhe për vendet e Europës Perëndimore t’i shkatërron e t’i ndash me copa se do t’ua japim punonjësve, pastaj ata t’ia shesin një ndërtuesi. Ky ka qenë një zhgënjim.

Ka ardhur nga padija, z.Plasari?

Nuk e gjykoj dot, ndoshta të themi pasioni im për vështrimin historik nuk mund të bëjë një analizë historike sepse janë ngjarje të bashkëkohësisë dhe historia e ka ndaluar aty. Ka edhe një botim shqip, “Teoricieni” nga mjeshtri i historisë Mark Blok, që thotë se duke e vënë kufirin tek e tanishmja, për prezentin nuk bëhet dot histori, kështu edhe unë nuk e analizoj dot nëse ishte dashakeqësi, padije. Ndoshta mund ta shpjegoj që ai grup politik, ajo kastë e vogël politike, u improvizua dhe improvizatorët rrezikojnë gjithmonë që të bëjnë edhe dëme, edhe të dështojnë. Ne sot jemi edhe mbas 30 vjetësh, çështja e legjislacionit për pronat, për kompensimet e dëmshpërblimet për të përndjekurit politikë gati në çdo fushë ka elementë që të zhgënjejnë. Ka zgjedhje që kanë qenë të gabuara, kanë vijuar të gabuara dhe nuk janë zgjidhur ende.

Cili ka qenë defekti më i madh i ynë në këto 30 vjet?

I kujt?

I shqiptarëve, i shoqërisë shqiptare?

Nuk ma mban të gjykoj shoqërinë shqiptare, ndoshta edhe nuk kam të drejtë për gjykim, por e grupimit të politikanëve, e zhganit të politikanëve, është marrja përsipër e punëve, për të cilat nuk janë të zotë, nuk janë të specializuar dhe ekspertë. Kjo mund të justifikojë në një moment të parë të konvertimit të ekonomisë, të shtetit etj., 1 deri në 5 vjet, por ne kemi parë nëpër vende të tjera të Europës Lindore se si morën dhe ecën. Kurse këtu politikanët vijuan me këmbëngulje, siç vijojnë edhe sot dhe unë nuk kam dashur ta besoj për çfarë vijojnë një kategori e tyre, mos të themi të gjithë. Jam tronditur kur e kam dëgjuar nga njëri prej tyre.

Përse?

I them njërit, ore çfarë është ky pasioni i të sëmurit me grindje, me thonj e kthetra?

Cila ishte përgjigjja?

E më thotë njëri: “Hë, more profesor, je mbrapa ti. Je mbrapa profesor se ti nuk e di që rruga më e mirë për t’u pasuruar është politika”. Sigurisht, kjo nuk është një shpikje shqiptare, por në botën demokratike, ky është një anormalitet, kurse të praktikohet e të thuhet me… Me thotë edhe mua budalla që nuk e kuptoja këtë që të pasurohesha duhet të ndiqja një rrugë tjetër. Pra, tashmë, mbasi kam dëgjuar atë tezë, jam në gjendje t’i gjykoj, të gjithë grupimin politik e quajmë klasë politike, klikën politike, zhganin politik. Sigurisht, nuk janë të gjithë se ka njerëz që janë futur për ide dhe ideale, por janë shumë të dallueshëm sepse në një moment të caktuar ata thonë “Unë po largohem”. Ndërsa i dalloj ata që me thonj dhe me dhëmbë nuk largohen. Çfarë kanë këta?! Nuk largohen! Nuk janë në profesion.

S’janë të aftë për asnjë profesion tjetër…

Atëherë dalim në një kategori tjetër, po na qeverisin njerëz që nuk janë të gatshëm për asgjë tjetër dhe kur doli ky profesion i ri, si u profesionalizuan që na qeverisin. Prandaj të thashë që marrja përsipër e punëve dhe e detyrave që nuk dinë t’i bëjnë dhe nuk kanë pse t’i bëjnë. Ky është shqetësimi dhe ky është ndryshimi me vendet e tjera, me të cilat ne duhet të bëjmë një krahasim me vendet e Europës Lindore.

Cili është ndryshimi me vendet e tjera? Që atje njerëzit largohen kur humbasin mundësinë?

Jo, ndryshimi është që fakti që janë integruar në BE, Bullgaria dhe Rumania. Ky fakt na tregon që me gjithë problematikat që kanë, ka një konkurrencë normale të specialistëve për të qeverisur. Për të mbledhur në Parlament jurist, ekonomistë sociologë. Me gjithë respektin tim për aktorët, ata kanë hyrë dhe kanë dalë kot. Kanë hyrë se bëhet llogari që e pëlqejnë shumë këtë aktor dhe i japin vota. Në Parlament mblidhen për një punë tjetër.

Ju e keni njohur Ramën herët, apo jo? Ramën e kam njohur në 1991. Ka një transformim brenda Ramës?

Njohja në ‘91 ka qenë një njohje në një udhëtim jashtë, në një veprimtari. Një person i këndshëm, miqësor, dashamirës. Po në nivel formimi? Shiko, ne nuk ishim në shkollë bashkë që të konkurronim, aq më shumë unë i bie që jam nja 10 vjet më i madh se ai. Por njohja ka ndodhur kur kam bashkëpunuar kur ai ka qenë ministër i Kulturës dhe kam pasur mendimin që detyrën e një ministri të Kulturës mund ta bënte edhe me ekstravagancën e tij, por edhe me komunikimin.

E ka armën e tij më të fortë?

Atëherë e ka pasur. Me publikun, por edhe me njerëzit që bashkëpunonte. Domethënë, Rama ishte një njeri që mund të debatoje dhe mund të argumentonte që e ke gabim dhe ti nga ana tjetër mund t’i argumentoje që e kishte ai gabim.

Por kjo mbase ndodh edhe sot?

Sot unë e shoh ndryshe, në shumë situata e shoh ndryshe. Por jam kufizuar të bëj ato kritika që kam menduar se lidhen me interesat e mia dhe fushën time. Siç ka qenë kauza e Teatrit Kombëtar, ose edhe të tjera. Por kam menduar që nuk më takon mua t’i bëj kritikën gjenerale, kritikën totale. Këtë të fundit le t’ia bëjnë ata që janë në konkurrencë politike me të. Gjithë këtë gjysmë viti politik, jam përpjekur të rri jashtë debateve politike.

Edhe pse është folur, z. Plasari, që mund të ishit deputet i Partisë Demokratike, keni afilacione të djathta?

Më kanë ftuar dhe sigurisht i kam falënderuar dhe u kam thënë që nuk kam moshën, as përgatitjen dhe as shëndetin, me thënë të drejtën.

Nuk keni përgatitjen për t’u bërë deputet?!

Po (qesh), për të bërë ligje.

Po jo të gjithë ata që shkojnë atje bëjnë ligje…

Do lë librat dhe do hap tekstet si bëhen ligjet.

Dhe e quani që nuk keni moshë të bëni këtë ndryshim në jetën tuaj?

Po, sigurisht, nuk kam moshë. Kam moshën për të dalë në pension.

Për t’u marrë me librat tuaj.

Po, sigurisht! Këtë nuk mund ta thosha se është element egoizmi që të them se më pëlqen më shumë të bëj libra sesa të shkoj në komisione. Gjithsesi, i kam falënderuar për propozimin, por është shumë vonë. Po të kishte ndodhur në kohën që flasim bashkë, do të kishte qenë gjë tjetër.

Meqë ju pyeta për Ramën dhe kërkova një mendim, ka një ngërç që po ndodh brenda Partisë Demokratike. A është në një moment delikat Partia Demokratike, duke pasur parasysh që të djathtët e Lindjes pothuajse të gjithë u zhbënë dhe u riorganizuan më pas?

Tani unë nuk jam anëtar i asaj partie. Mendoj që ka nevoja të ngutshme të një riorganizimi të një platforme të re, të një programi të ri. JO thjesht të konkurrencës jo unë, po ky. Nuk është çështje e një individi, por e një programimi të ri të asaj force, ose të mbyllë dyqanë.

Si të mbyllë dyqanë?

Po ka parti që e kanë kryer misionin, mbyllen. Ju mendoni që po nuk u riorganizua, po nuk u hap, nuk ka shanse të tjera? Po, patjetër.

Po mbase i ngelet në dorë pushtetit kur të lodhen njerëzit me Ramën?

Po demokracia nuk funksionin që meqenëse lodhen me të, vjen ky tjetri. Nuk është ky kushti në demokraci. Në demokraci konkurrojnë programet, platformat. Partia Demokratike është krijuar me një program, një platformë shumë të qartë kur u krijua.

Antikomunizmi?

Po mirë, por iku fantazma, është biznes i vjetër ai i antikomunizmit. Por të kontribuonte për pluralizmin, të kryente konvertimin e ekonomisë, të punonte për të drejtat dhe liritë e njeriut dhe të punonte për integrimin në Bashkimin Europian. Pak a shumë, këto parime i përkrahu edhe rivalja tjetër, madje edhe duke bërë garë kush e dashuron më shumë BEnë. Tani, mirë ose keq, këto misione mund të quhet të konsumuara. Tani çfarë ofron? Nuk jam unë i pari që e them, sepse e kanë thënë edhe të tjerë, edhe brenda partisë. Unë jam për një riorganizim strukturor, por sidomos programor. Kur unë them mbyll dyqanin, nuk do të thotë mbyllet partia, por nuk do arrijë të jetë parti qeverisëse.

A ka një dozë të hatërmbetjes dhe xhelozisë që e dominon shoqërinë shqiptare?

Smira dhe xhelozia janë njerëzore dhe është shumë e vështirë për t’i matur. Por me siguri që ndikon një faktor. Karakteristikë e shoqërive të vogla janë që këto pasione, forcohen dhe shfaqen më fort.

Pse?

Në shoqëritë e vogla të gjithë njohin të gjithë. I dinë çfarë ka në shpi, kë ka të dashur, këtë e atë.

Ju keni vuajtur nga fenomene të tilla?

Jo, nuk kam vuajtur. Edhe kur ka sulme ndaj meje, kam qenë krejt i qetë duke thënë: E bëri ai gabim, mos e bëj ti.

Ju u komentuat shumë në ditën që u sollën eshtrat e Mit’hat Frashërit në Shqipëri. Çfarë roli ka luajtur Mit’hat Frashëri në historinë e Shqipërisë dhe si duhet ta shohim atë? Një nga figurat që akoma nuk po vendoset aty ku duhet edhe për arsye politike më shumë se kulturore.

Nëse do ta dëgjonin sot fjalën time, do vinin re diçka që në asnjë vend nuk kam përmendur fjalën Balli Kombëtar. Pse? Duhet ta kuptojnë pse. Nuk e kam bërë rastësisht, por kam menduar që njerëzit do të kuptojnë kur unë kam folur që si të gjithë njerëzit e mëdhenj kanë edhe ata gabimet e tyre, ndonjëherë edhe faje, për të cilat gëzohen shumë kundërshtarët e tyre, fërkojnë buzët që gaboi. Sepse mediokri që nuk ka asgjë, të arrijë kur shikon tjetrin që gaboi njeriu i madh, ka një kënaqësi që i duket sikur mbushet. Pra, gabimi i njeriut të madh i duket sikur i shkon në favor të mediokrit, e mbush e zgjeron. Pra, në këtë kuptim, kam dashur të jap edhe mesazhin që, kush e ka kuptuar e ka kuptuar dhe nuk ka asnjë lloj diskutimi që ne po e vlerësojmë për kontributin e tij në historinë dhe kulturën e Shqipërisë.

Në kulturën shqiptare, jo në çati ose mure, por në themele, pra, në albanologji. Në periudhën kur ende albanologjia ishte shkenca e të huajve që Shqipërinë janë tre emra që themelojnë albanologjinë shqiptare dhe e marrin vetë në dorë. Qofshin edhe rivalë, siç ishin Mit’hat Frashëri këtej dhe Faik Konica në krahun tjetër. Pak më vonë vjen dhe Mjeda andej, por pak më i izoluar. Po këta të dy që kishin ndikim të madh edhe në opinion publik janë themelues të albanologjisë në Shqipëri. Pra, për mua ky është Mit’hat Frashëri. Gabime politike, bëjnë dhe mund të bëjnë të gjithë njerëzit e mëdhenj. Po t’u futemi ne njerëzve të mëdhenj të historisë shqiptare, nuk gjejmë asnjë pa gabime politik. Edhe Abdyl Frashërit do t’i thoshin ç’është ai projekti me Greqinë? Sepse është ai vesi i keq i shqiptarëve, i mbajtjes së qëndrimit. Kjo është banalizimi i historisë, që quhet marksiste. Historia ka faktet dhe interpretimin. Qëndrimi bëri mirë, bëri keq, është çështje tjetër. Prandaj, jo më kot te Mit’hati nuk e kam përmendur fare atë interval të tijin, duke e përfshirë në atë paragraf të madh që kam thënë që gabimet dhe fajet që bëjnë njerëzit e mëdhenj. Asnjë personazh të madh të historisë shqiptare nuk e gjen pa gabime dhe ndonjëherë edhe pa faje.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *