Situata në PD/ Zheji: Sulmi ndaj Bashës po orkestrohet nga Berisha dhe Rama! Lubonja: Nuk besoj se kreu i PD vjen me ide të reja për të goditur politikanët e vjetër








Analisti Artur Zheji, i ftuar ditën e sotme në emisionin “Pikat mbi i”, në News 24, foli mbi situatën e brendshme në Partinë Demokratike, të krijuar pas përplasjes mes liderit historik Sali Berisha dhe kryedemokratit Lulzim Basha.

pikat mbi i

Zheji e cilësoi “Foltoren” e Berishës si një demagogji të pastër për t’ia hedhur demokratëve dhe për të rikthyer Berishën në krye të PD-së, ose dikë që është i kontrolluar prej tij.

Nëse kjo ndodh sipas analistit, atëherë Partia Demokratike do të kthehej në periferinë e vëmendjes së shqiptarëve. Madje Zheji theksoi se sulmet e kohëve të fundit që janë bërë ndaj kryedemokratit Basha janë orkestruar nga Sali Berisha dhe Edi Rama.

“Doja të ndalesha tek deklarata e Bashës se nuk do të lejojë Berishën ta hedh Partinë Demokratike në greminë.

Doktor Berisha reagoi ndaj të keqes Basha, kur i miri Basha, i përkëdheluri Basha, i përzgjedhuri Basha, i pazëvendësueshmi Basha ishte bërë kryetar i Partisë Demokratike me konsensusin e Berishës. Që tani na del që ka dhe fuqi të plotë kontrolluese mbi partinë.

Në strategjinë e tij Berisha ka ndjekur tre nënstrategji. E para tha në të nxehtë dhe në të ngrohtë që Basha vepron nën presion, i kërcënuar dhe nën frikë, për ta nxjerrë si të pafuqishëm.

Pastaj kaloi momenti i dytë, ishte një kërkesë faljeje që Berisha bëri, duke thënë që ai i kërkoi Bashës të jepte dorëheqjen në 2017-ën, por që ai nuk e kishte dëgjuar.

Momenti i tretë i Berishës është se “Unë e kam gjetur se çfarë duhet të bëjmë, ne duhet të mbajmë një Kongres reflektiv që të rrëzojmë Bashën dhe që unë të vi në krye”.

Në një foltore janë 3 kuaj krejt të ndryshëm nga njëri tjetër, nga zhgënjimi personal, te mea kulpa “pse ua lashë zotin Bashan në krye të PD”, tek heqja e zotit Basha dhe te “vi unë Berisha dhe e ndreq situatën dhe e heq për 6 muaj Edi Ramën”. Demagogji e pastër e Berishës për t’ia hedhur demokratëve.

Nuk është mohuar kurrë që Basha ka qenë delfin i Berishës. Unë mendoj dhe prandaj më krijohet një moment solidariteti me Bashën, sulmi që i bëhet atij është nga të gjitha anët këto kohë është i orkestruar nga Rama dhe Berisha. Sot Berisha do ta heqi fare dhe ka kaluar në fazën e tretë që do të bëhet kryetar i Partisë Demokratike. Kuptohet gjithmonë e më qartë që nuk ka një konspiracion Rama-Basha. Nëse Berisha merr Partinë Demokratike do rikthejë disa asete që janë konsumuar dhe nuk mbledhin vota. Do të vendosi aty një delfin tjetër ose nuk e di mund të vendoset dhe vetë, por praktikisht mendoj se kjo e çon në periferi të vëmendjes së shqiptarëve Partinë Demokratike”, tha Zheji.

Nga ana tjetër analisti Fatos Lubonja u shpreh se nuk mendon se Lulzim Basha është një politikan me ide të reja që mund të godasë politikanin e vjetër Berisha. Lubonja theksoi se opozita duhet të ketë kurajo që të rrëzojë rregjimin e kryeministrit Rama. Një regjim, i cili sipas Lubonjës është i ngjashëm me atë të Maduros në Venezuelë, por që ka dhe mbështetjen e amerikanëve.

“Unë mendoj që ne kemi nevojë për një opozitë që të ketë kurajo. Vazhdoj ta them se ne kemi një regjim si Maduro, por që mbështetet nga amerikanët. Një opozitë që nuk ndërgjegjësohet për këtë nuk bën kurrë hajër. Po ju japë shembullin e talebanëve, ajo e qeveri e korruptuar e mbështetur nga amerikanët bëri që populli të shkonte te talebanët.

Unë konfliktin Basha-Berisha e shoh si një konflikt idesh. A po më vjen Basha me ide të reja për të goditur këtë politikanin e vjetër, apo vjen me idenë që ka thënë Konica se në Shqipëri ka disa që kanë lindur prapa dhe disa që kanë lindur para. Dhe unë mendoj se Basha është nga ata që kanë lindur prapa.

Unë mendoj se Basha do të mund ta bënte këtë nëse do të kishte popullin me vete dhe nëse nuk është i shantazheshëm. Nëse do të kishte popullin me vete, pa parti fare, me një lëvizje civile kundër plehrave u bë mosardhja e plehrave kimike në Shqipëri. Basha shantazhohet pasi figuron Bashkë me Berishën në ato akuza që i janë ngritur atij”, tha Lubonja.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *