S’ka konsensus në KQZ për fletën e votimit, PS vjen me propozim surprizë! Ja debati i plotë

MARIGLEN KUME/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dështoi dje pasdite që të gjente konsensus për të miratuar përmbajtjen e fletës së votimit për zgjedhjet e 25 prillit.

KQZ

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i propozoi Komisionit Rregullator tri variante të fletës së votimit.

Në dy variantet e para në fletën e votimit kandidatët e secilit subjekt zgjedhor në fletën e votimit do të identifikoheshin me emra, ndërsa në variantin e tretë kandidatët do të identifikoheshin me numra.

“Janë 12 projektvendime që u korrespondojnë 12 qarqeve për faktin se numri i mandateve në 12 qarqe është i ndryshëm. Kemi gjykuar që vendimi të jetë i mëvetshëm. Në fakt propozimin tim, si komisioner nuk kam paraqitur një propozim konkret se si do jetë fletë e votimit. I kam propozuar Komisionit Rregullator 3 variante, sipas të cilave mund të jetë fleta e votimit. Në dy prej këtyre varianteve fleta e votimit reflekton edhe emrat e kandidatëve. Dhe në një variant të tretë është pa emrat e kandidatëve, por ata janë shënuar me numrin e renditur në listën e subjektit të tyre zgjedhor. Secili prej varianteve reflekton përcaktimet e ligjit. Zgjedhja pastaj varet duke marrë parasysh rrethana dhe faktorë të tjerë. Nëse kërkoni një variant, edhe këtë mund ta bëj”, tha Kryekomisioneri Celibashi.

DEBATI

Por teksa debati pritej të shtrohej se cila fletë votimi do të ishte më e thjeshtë për të votuar për qytetarët, përfaqësuesi i Partisë Socialiste në KQZ, Eridjan Salianji, kërkoi që Komisioni Rregullator të ndërpriste shqyrtimin e aktit për fletën e votimit, pasi sipas tij, nuk ishte në kompetencën e Komisionit Rregullator, por në kompetencën e kryekomisionerit. Kjo kërkesë surprizë e tij shkaktoi debat në mbledhjen e KQZ-së.

Eridian Salianji (përfaqësuesi i PS në KQZ): Sa i përket procedurës dhe së drejtës që ka Komisioni Rregullator me shqyrtimin e këtij projektakti, unë e çmoj me vend që duke u referuar nga ligji zgjedhor ku përcaktohen kompetencat e Rregullatorit, nuk e gjej në Kod që ju të merrni vendim për këtë. Këtë kompetencë e ka Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve. Neni 20, pika A nuk ju jep juve të drejtën që të diskutoni përmbajtjen e fletës së votimit. Këtu doja të pushonte shqyrtimi administrativ dhe ju këtë akt t’ia kaloni komisionerit për rishqyrtim.

Helga Vukaj (anëtare e Komisionit Rregullator): Erdhëm edhe tek akti më i rëndësishëm. Një akt i cili është në kompetencën e Komisionit Rregullator për ta miratuar. Vjen në vijim të një akti pararendës ku miratuam standardin e fletës së miratimit. Por në kuadrin kur propozuesi na ka paraqitur 3 variantet, unë kam paqartësinë e ndarjes që duhet t’i bëjmë rregullshmërisht në momentin kur propozuesi duhet të na paraqesë një akt. Ai paraqitet një dhe i vetëm dhe në këtë rast na fut në dilemë se cili është qëndrimi definitiv dhe t’i japim vullnetin tonë apo jo këtij versioni.

Ivi Kaso (sekretar për çështjet ligjore të PD): Mendoja se Komisioni Rregullator do ta zgjidhte vetë. Besoj se është e kundërta e asaj që thotë kolegu i PS-së. Kërkesën për procedurë që përmbante edhe kërkesën për pushimin nga ana juaj është e lidhur ngushtësisht me shqyrtimin në themel të aktit, ndërkohë që kërkesa e znj. Vukaj, kërkesa ishte për Komisionerin që me një kërkesë ka vënë në lëvizje Komisionin Rregullator. Znj. Vukaj thotë se akti që është përpara jush përmban tri lloj aktesh. Dhe përpara se ju të shikoni titullin e aktit dhe bazën ligjore, besoj se duke qenë se nuk është akti juaj, t’ia ktheni komisionerit dhe të saktësojë natyrën e aktit. Pastaj do të diskutohen më pas nëse është në kompetencën tuaj nëse do të diskutohet akti.

Muharrem Çakaj (anëtar i Komisionit Rregullator): Në nenin 20, germa A, pika 1, parashikohet që Komisioni Rregullator ka të drejtë të shqyrtojë dhe të miratoj projektaktet me karakter normativ. Besoj se kjo është ezauruese. Meqë kolegu i PS-së nuk e gjente bazën zgjedhore.

Eridjan Salianji (PS): Nuk dua të shtyhet mbledhja. Çohuni ju nga tavolina, të ulet Celibashi aty dhe të miratojmë po sot fletën e votimit.

Helga Vukaj: Celibashi është koshient dhe i vetëdijshëm se ne jemi kompetentë për të miratuar fletën e votimit. Ai ndaj na e ka sjellë neve në tryezë. Në përfundim mbledhja u mbyll pa vendimmarrje dhe kryekomisioneri Celibashi kërkoi që të paraqitet me një akt konkret me një variant të fletës së votimit.

Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *