Skandalet në KOKSH/ Viron Bezhani letër Metës dhe Ramës: Po zvarritet hetimi!








Rreth dy vite më parë, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar përfundoi në qendër të skandaleve, të cilat siç dihet e dërguan KOKSH-in deri në prokurori. Viron Bezhani, president asokohe në KOKSH, denoncoi në prokurori për shkelje të rënda kryesisht financiare, sekretarin e Komitetit Olimpik, Stavri Bello dhe anëtarë të tjerë të Komitetit Ekzekutiv, teksa u hap një procedim për veprën penale “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”.

viron bezhani

Ndonëse kanë kaluar gati dy vite, duket se gjithçka ka mbetur në vendnumëro dhe këto akuza të forta ende janë pa përgjigje. Duke marrë shkas nga kjo situatë, Viron Bezhani ka bërë një ankesë, të cilën ia ka adresuar presidentit, kryeministrit dhe të gjitha instancave.

Ish-presidenti i KOKSH-it vazhdon të këmbëngulë, teksa këtë herë denoncon qëndrimin e prokurorit të çështjes, Sokol Malaj, të cilin e akuzon se po mbulon gjurmët e krimit dhe se po mbron shkelësit e ligjit, duke mos marrë asnjë masë për të ndaluar dëmtimin e provave.

Gazeta “Panorama Sport” ka arritur të sigurojë letrën e plotë ankimuese të Viron Bezhanit.

LETRA – “Ankesë, drejtuar: Presidentit të Republikës Z. Ilir Meta, Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë Z. Edi Rama, Ministrit të Drejtësisë Z. Ulsi Manja, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë Z. Artur Metani, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Ambasadës së SHBA-së në Tiranë. Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë Z. Olsian Çela. Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Të Nderuar Zonja dhe Zotërinj. Në cilësinë e Presidentit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar kam paraqitur një kallëzim ndaj shtetasit Stavro Bello, me detyrë Sekretar i Përgjithshëm i KOKSH-it.

Ky kallëzim është bërë pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Çështja është regjistruar dhe fillimisht hetimet i ka drejtuar Prokurori Z. Julian Zonja. Më pas, është ndryshuar prokurori i çështjes dhe aktualisht është prokuror Z. Sokol Malaj. Nga dokumentet që ka depozituar dhe ballafaqimi që kanë bërë oficerët në polici del që ka një vepër penale të rëndë dhe flagrante të kryer nga Stavro Bello.

Ai, në mënyrë të përsëritur ka abuzuar me detyrën dhe ka përvetësuar fondet publike duke shkelur haptazi ligjin. Duke pasur gjithë këto veprime dhe baza të mjaftueshme të përgjegjësisë penale, sot pas 2 vitesh akoma nuk ka asnjë veprim për të vendosur para ligjit përgjegjësit. Ndaj, dua të paraqes një ankesë ndaj prokurorit Z. Sokol Malaj, pasi vërej se ky prokuror është duke dëmtuar çështjen, është në neglizhencë totale dhe, në vend të hetojë, po mbulon gjurmët e krimit dhe po mbron shkelësit e ligjit.

Dua të shpjegoj se prej muajsh tashmë Prokurori i fundit i çështjes, Z. Sokol Malaj, nuk ka kryer asnjë veprim dhe madje nuk ka marrë asnjë masë për të penguar dëmtimin e provave që gjenden pranë Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar.

Ju sqaroj se në këtë rast, pranë KOKSH-it, nga ana e të kallëzuarit Stavro Bello janë kryer krime financiare me vlera të konsiderueshme dhe të gjitha këto dokumente ndodhen pranë KOKSH-it, në këtë rast Prokurori Sokol Malaj nuk i ka siguruar këto dokumente, por ka lejuar që të krijohen mundësitë që ato të zhduken.

Ky prokuror nuk ka shfaqur as përgjegjësinë minimale që të ndjekë hetimet dhe të kryejë detyrën e tij. Ky qëndrim i prokurorit është tërësisht i paligjshëm dhe përbën shkelje të rëndë të detyrës.

Për sa thamë më sipër, jam i gatshëm t’iu vë në dispozicion materiale shkresore dhe prova që lidhen me çështjen dhe, nëse është e nevojshme, jam i gatshëm të paraqes shpjegime të detajuara. Me respekt, Viron Bezhani”, shkruan ish-kampioni i madh i mundjes shqiptare, i cili për 8 vite ka mbajtur rolin e presidentit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *