Skandali me pagat, drejtori i FSHZH paguhet tri herë sa Rama/ Ja çfarë zbulon databaza









Skandali me të dhënat mbi pagat po nxjerr në pah çdo dite anomali të nepotizmit në administratë dhe abuzime me paratë publike.

dritan agolli

Në databazën e pagave të prillit zbulohet se 5 shoferët e Fondit Shqiptar të Zhvillimit kanë paga bruto nga 1500 dollarë, ose 153,120 lekë në muaj, deri në 1900 dollarë, ose 196,636 lekë në muaj, afërsisht sa paga e një deputeti që paguhet 156,770 lekë dhe në disa raste më shumë se e një ministri, që përfiton 174,760 lekë pagë në muaj. “Vend pune pëllumbash” quhet në zhargonin popullor. Kështu, shoferi i FSHZH, me rreth 1900 dollarë në muaj, ose 196,636 lekë, konkurron me zëvendëskryeministrin për pagën.

Vetë drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, përfiton një pagë prej afro 7 mijë dollarësh, ose 701,100 lekë në muaj, gati 3 herë më shumë se shefi i tij i drejtpërdrejtë, Kryeministri Edi Rama, që paguhet rreth 2200 dollarë, ose 228,730 lekë dhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta, që përfiton afro 2500 dollarë në muaj, ose 257,000 lekë.

Dritan Rreshka, një ish-prokuror i larguar nga vetingu, ka një pagë bruto prej rreth 5800 dollarësh, ose 580,800 lekë, si përgjegjës sektori në Fondin Shqiptar të Zhvillimit, po aq sa drejtuesi i SPAK, Arben Kraja, që përfiton 593,978 lekë në muaj. Ndërkohë, një punëtor pastrimi në Fondin Shqiptar të Zhvillimin përfiton bruto 1200 dollarë në muaj. Krahasimi me pagat e larta të administratës shtetërore është njëra anë e medaljes, pasi po t’i krahasosh me mësuesit, shoferët e Fondit Shqiptar të Zhvillimit paguhen sa dy të tillë, apo sa tre policë rendi që kanë një pagë prej 50,000 lekësh.

Kurse pjesa tjetër e administratës së FSHZH, juristë dhe specialistë të ndryshëm, futin nëpër xhepa me mijëra dollarë çdo muaj si pagë fikse (170,100 – 601,800 lekë). Fondi Shqiptar i Zhvillimit është një institucion buxhetor, me vende pune që sulmohen nga të afërm zyrtarësh, por kjo ka pak rendësi, pasi çdokush ka të drejtë të synojë një pagë dinjitoze. Ajo që e bën të padrejtë është krahasimi me ushtrinë prej dhjetëra mijëra nëpunësish të administratës shtetërore, mësuesish, policësh, mjekësh e kështu me radhë, që merr çdo muaj një pagese mbijetese.

PAGA PËR POSTE

Databaza që qarkullon prej ditësh në “WhatsApp”, tregon ndarjen e pagave sipas pozicioneve të punës, ashtu si në çdo institucion tjetër buxhetor. Gentian Këri, që mban postin e drejtorit në Drejtorinë e Administratës Shtetërore në Tiranë, ka një pagë prej 601,800.00 mijë lekësh në muaj. Arben Skënderi, që mban detyrën e drejtorit të departamentit në administratën e FSHZH, ka një pagë bruto prej 595,200.00 lekësh në muaj. Ilda Kuçova , që mban postin e drejtoreshës së burimeve njerëzore në këtë institucion, paguhet 590,400.00 lekë në muaj. Po ashtu, edhe posti i drejtorit të financave në FSHZH, që ushtrohet nga Enkelejd Myftari, ka një pagë prej 580,800.00 në muaj.

Ajo që bie në sy gjatë vëzhgimit të kësaj databaze është fakti që inxhinier/supervizor në ndërtim, ka një pagë relativisht të konsiderueshme për një institucion buxhetor. Paga për këtë pozicion pune varion nga 228,028.00 deri në 558,281.00 lekë në muaj. Po ashtu, databaza tregon për nivel pagash të larta edhe për të punësuarit si specialistë apo juristë. Punonjësi social i FSHZH ka një pagë bruto prej 496,843.00 lekësh në muaj, ndërsa pozicioni i administratorit të bazës së të dhënave në FSHZH ka një pagë prej 484,823.00 lekësh në muaj.

fshz

Çfarë tregoi skandali me pagat në shtet

Skandali i “patronazhistëve” u përsërit nga një tjetër skandal i rrjedhjes së të dhënave të qytetarëve shqiptarë, pagat mujore të të cilëve tani janë vetëm një kërkim automatik larg. Databaza me të dhënat e pagave të mbi 690 mijë qytetarëve tregoi hierarkinë dhe nivelin e rrogave të zyrtarëve shtetërorë dhe pagën e vetëdeklaruar nga biznesmenë e qytetarë të thjeshtë. Të dhënat që qarkulluan në një dokument në formë “Exel”-i në javën e fundit të dhjetorit treguan më së shumti një fryrje të administratës shtetërore dhe pagat e krerëve të institucioneve dhe punonjësve.

Ajo listë e pagave për janarin dhe dhjetorin tregoi se me pagën më të lartë rezulton të jetë Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili merr 257 000 mijë lekë, i ndjekur nga Kryeministri Edi Rama me një pagë mujore prej 228 730 lekësh. Ndërsa, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka një pagë të deklaruar në muajin prill prej 150,000.00 lekësh në muaj për pozicionin “kryetar i një partie politike”.

Po ashtu, databaza tregoi se ka biznesmenë, drejtues mediash, moderatorë emisionesh, gazetarë apo analistë të cilët kanë një pagë disa milionë lekë në muaj. Paga më e lartë e evidentuar në databazën që qarkullon në “WhatsApp” është ajo prej 24,756,130.00 lekësh për muajin janar. Publikimi i këtyre të dhënave nxori në pah edhe numrin e lartë të këshilltarëve të institucioneve dhe pagat e tyre. Sipas databazës, bashkitë rezultojnë me këshilltarë po aq sa qeveria.

Kryetarët e bashkive marrin këshilla prej të punësuarve të tyre, të cilët kanë një pagë të ndryshme në varësi të llojit të këshillimit apo edhe bashkive. 121,000 është paga bruto maksimale për një këshilltar të një kryetari bashkie. Paga më e lartë jepet në Bashkinë e kryeqytetit. Por këshilltarë kanë edhe ministrat, të cilët sipas analizës së bazës së të dhënave, rezulton se kanë më shumë sesa shefi i tyre. Nga taksat e shqiptarëve për të këshilluar kreun e qeverisë për politikat e tij shërbejnë 5 persona, me pagë bruto maksimale prej 173,300 lekësh në muaj. Këshilltari i parë në Ministrinë e Mbrojtjes ka një pagë bruto prej 255,730 lekësh të rinj në muaj. Databaza zbuloi edhe pagat e institucioneve të reja të drejtësisë (SPAK, Prokuroria e Përgjithshme etj.), që arrinin deri në mbi 500 mijë lekë. Në të njëjtën databazë u bënë publike edhe pagat e VIP-ave, rroga mujore e të cilëve arrinte deri në mbi 1 milion lekë.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.