Skenaret nga rritja e çmimit te rritja e borxhit për të blerë energji/ Rama paralajmëron krizë edhe për karburantet! Ja 7 propozimet e Lulzim Bashës








ramabashaenergjiaelektrike

Kryeministri Rama në një konferencë të pazakontë dje tha se kemi përballë një krizë të jashtëzakonshme energjetike dhe Shqipëria nuk do të mbesë e paprekur.

Vetëm pak ditë pas debatit publik për rritje të çmimeve të mallrave të shportës, bukës, qumështit, vajit, miellit, sheqerit me 15-20 për qind, rritje e cila është cilësuar nga eksponentë të qeverisë si e përballueshme, vjen paralajmërimi i Kryeministrit për një goditje të jashtëzakonshme të ekonomisë shqiptare nga rritja e çmimeve në rang botëror të burimeve energjetike, si energjia elektrike, nafta dhe gazi natyror, të cilat do të reflektojnë kosto shtesë për bizneset dhe prodhimin, e cila do të reflektohet në çmimet e ngritura të mallrave të konsumit.

Ai tha se shumë shpejt do të përballemi me çmime marramendëse. Duke sjellë në vëmendje pritshmëritë e çmimeve të energjisë elektrike në disa vende të Europës, si Britania, Italia apo dhe Bullgaria, kreu i qeverisë la të kuptohet se as Shqipëria nuk do t’i shpëtojë rritjes së çmimit të saj.

“Në Britani, 15 milionë familje pritet të afektohen negativisht nga rritja e çmimit të energjisë. Në Itali, qeveria ka njoftuar qytetarët për një rritje prej 40% të faturave të tyre gjatë muajve të ardhshëm. Po kështu, në Bullgari, çmimet shënojnë një rritje prej 72% nga fillimi vitit, duke e çuar çmimin mesatar të energjisë në 133 euro/MWh”, tha Rama, por duke kujtuar pandeminë dhe tërmetin, u shpreh besimplotë se qeveria do të marrë të gjitha masat për ta përballuar.

“Përgjegjësia e detyra numër një e qeverisë shqiptare është të mbrojë medoemos dhe sido e sado që të jetë e mundur, nga goditja e kësaj fatkeqësie të re, shtresat më në nevojë, konsumatorët familjarë, si edhe biznesin e vogël; fiks në këtë rend prioritetesh. Tanimë besoj se të gjithë ju, të dashur bashkëqytetarë e bashkëqytetare, i keni provat se ne as nuk rrëzohemi, as nuk dorëzohemi përballë sfidave të rënda të kësaj natyre”, tha Rama gjatë daljes së tij para qytetarëve.

Fjala e kryeministrit Rama

Të dashur bashkëqytetarë dhe bashkëqytetare, vala goditëse e një tjetër fatkeqësie natyrore, kësaj radhe e kombinuar me faktorë gjeopolitikë dhe manovra tregtare, po vjen drejt Shqipërisë. Nuk është as tërmet, as virus, as përmbytje dhe lavdi Zotit nuk kërcënon jetë njerëzish. Por në aspektin ekonomik e social ka një energji negative që mund të ketë efekte gjithaq tronditëse, mbi jetën e familjeve, bizneseve, shoqërisë. Kjo është kriza e jashtëzakonshme energjetike, e cila vetëm sapo ka nisur të japë shenjat e saj tejet shqetësuese në tregjet e mëdha të botës, duke nisur nga Kina e Koreja e Jugut, në Amerikë, në Britaninë e Madhe dhe në hapësirën e Bashkimit Europian, e deri në vendet fqinje, si Italia e Greqia. Temperatura e kësaj krize po rritet kudo, tanimë me orë jo me ditë, ndërkohë që ulja e temperaturave të motit po afron bashkë me dimrin dhe me rritjen e natyrshme të nevojës edhe për ngrohje.

Tamam kur shpresat për rikthimin në normalitet pas tragjedisë së shkaktuar nga pandemia, së cilës njerëzimi po i paguan koston e humbjeve njerëzore të një lufte botërore, janë rritur ndjeshëm, falë vaksinimit masiv dhe ritmeve të larta të rimëkëmbjes ekonomike, kjo krizë e re, na vendos me detyrim-përcaktim përpara një sprove të re, po aq të fortë sa tërmeti e sa pandemia, në aspektin ekonomik e social. Dukuria e rritjes marramendëse të çmimit të gazit e të karbonit në të gjitha tregjet ndërkombëtare, si edhe trendi i fortë i rritjes së çmimit të naftës, shoqëruar me një rritje të përgjithshme çmimesh të prodhimeve të konsumit të përditshëm qëndrojnë sot para të gjitha vendeve si siluetat e një ushtrie armike në horizontin e dimrit të vështirë që bota ka përpara.

Rritja eksponenciale e kërkesës konsumatore pas hapjes së ekonomisë si rezultat i vënies nën kontroll të pandemisë ka rritur eksponencialisht edhe kërkesën e industrive prodhuese për energji, duke vënë në vështirësi shumë serioze edhe vetë kolosët ekonomikë të planetit; që nga Kina, ku mungesa e kapaciteteve energjetike të nevojshme për përballimin e kësaj kërkese kërcënon afro gjysmën e kapaciteteve industriale të atij vendi, deri në Europë, ku kërkesa e lartë dhe oferta e pamjaftueshme për gaz ka detyruar qeveritë të përballen me rritje marramendëse çmimesh e të paralajmërojnë deri edhe politika kufizimesh në furnizimin me energji elektrike. Ritmet e larta të rimëkëmbjes nga pandemia dhe nevoja e tejrritur për energji e kanë rritur çmimin e gazit me rreth 250%, atë të karbonit me rreth 80%, ndërkohë që çmimi i naftës ka kërcyer lart, nga rreth 60$ për fuçi në gusht të 2021-shit te rreth 80$ në momentin që flasim dhe sipas projeksioneve të sotme, çmimi mund të arrijë në $100 për fuçi deri në fund të vitit. Për Shqipërinë, çmimi mesatar vjetor i blerjes së energjisë nga importi është thuajse trefishuar në krahasimin me vitin e kaluar.

Në bursën HUPX, energjia elektrike është tregtuar me mesatarisht 39 eur/Mwh vitin e shkuar, ndërsa sivjet ky çmim ka arritur shifrën e 110 eur/Mwh, duke shënuar një rritje prej 182%. Për shumë studiues e analistë financiarë, kjo krizë energjie është e ndryshme nga të tjerat. Ajo lidhet kryesisht me ndryshimet klimatike dhe përpjekjet për t’i frenuar ato, por po ashtu edhe me një kombinim faktorësh të tjerë. Një seri eventesh të motit ekstrem, me tipare të pazakonta sezonale, kanë impaktuar si kërkesën, ashtu edhe ofertën për gaz. Dimri jashtëzakonisht i ftohtë i fillimvitit në hemisferën veriore, Azi, apo edhe ngricat e jashtëzakonshme në SHBA, ndikuan në reduktimin drastik të eksporteve të gazit të lëngshëm gjatë muajit shkurt. Pranvera e ftohtë dhe përmbytjet në Europë automatikisht rritën kërkesën për gaz për ngrohje. Po njësoj valët e të nxehtit ekstrem gjatë verës në Kinë, Europë dhe SHBA rritën kërkesën për gazin për ftohje. Prodhimi i energjisë nga burimet alternative është zvogëluar. Impiantet e prodhimit të energjisë së erës në Europë kanë prodhuar shumë më pak energji se nivelet mesatare. Rrjedhimisht, mungesa e prodhimit të energjisë alternative ka ndikuar në rritjen e kërkesës dhe çmimeve të gazit dhe të qymyrit.

Në Gjermani, mbyllja e tre reaktorëve të tjerë bërthamorë, si pjesë e programit të stopimit të prodhimit të energjisë nukleare, ka reflektuar në rritje të kërkesës për energji edhe nga burimet natyrore të parinovueshme. Rimëkëmbja ekonomike pas pandemisë ka qenë e fortë si në Europë dhe në Azi, duke rritur kërkesën për energji nga konsumatorët familjarë, fabrikat dhe sipërmarrjet në përgjithësi. Pavarësisht rritjes së kërkesës dhe çmimeve bazë në tregje me 250%, Rusia nuk e ka shtuar furnizimin drejt Bashkimit Europian, duke u kufizuar vetëm në përmbushjen e detyrimeve kontraktuale afatgjata. Së fundi, vetë politika për adresimin e ndryshimeve klimatike ka ndikuar indirekt në rritjen e çmimeve. Në Britani, 15 milionë familje pritet të afektohen negativisht nga rritja e çmimit të energjisë. Në Itali, qeveria ka njoftuar qytetarët për një rritje prej 40% të faturave të tyre gjatë muajve të ardhshëm. Po kështu, në Bullgari, çmimet shënojnë një rritje prej 72% nga fillimi vitit, duke e çuar çmimin mesatar të energjisë në 133 euro/MWh.

E gjithë kjo panoramë e situatës energjetike, me vetëm disa prej shembujve larg e afër nesh, vlen për të krijuar një ide të përgjithshme të kësaj krize, ku duam s’duam, edhe Shqipëria si të gjitha vendet e tjera, është e përfshirë dhe e detyruar që të përballet pa u shmangur dot me këtë furtunë globale. Ekspertët mendojnë se pavarësisht implikimeve të mundshme sistemike, që kriza e jashtëzakonshme energjetike mund të ketë mbi të gjitha vendet, beteja kulmore do të zhvillohet dhe do të vendoset deri në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit të ardhshëm. Dhe përgjegjësia e detyra numër një e qeverisë shqiptare është të mbrojë medoemos dhe sido e sado që të jetë e mundur, nga goditja e kësaj fatkeqësie të re, shtresat më në nevojë, konsumatorët familjarë, si edhe biznesin e vogël; fiks në këtë rend prioritetesh. Tanimë besoj se të gjithë ju, të dashur bashkëqytetarë e bashkëqytetare, i keni provat se ne as nuk rrëzohemi, as nuk dorëzohemi përballë sfidave të rënda të kësaj natyre.

Kini besim të plotë, siç kam edhe unë besim të palëkundur, se siç ia dolëm me tërmetin e me pandeminë, do t’ia dalim edhe kësaj sfide të madhe me energjinë dhe jini të sigurt se siç nuk na vunë përfund rrënojat e pafundme të tërmetit e siç nuk na gjeti të papërgatitur sulmi i armikut të padukshëm, ashtu nuk na gjen të papërgatitur e as nuk na ve dot përfund as kjo krizë e jashtëzakonshme. Fatkeqësisht dhe pavarësisht prej dëshirës apo vullnetit tonë, këto vitet e fundit u bënë si ajo fjala “nga lufta vijmë, në luftë shkojmë”, por siç dolëm më të fortë nga tërmeti e siç po dalim më të fortë edhe nga pandemia, çka e tregojnë kopshtet, shkollat, shtëpitë, lagjet e reja në rindërtim, siç e tregojnë edhe shifrat e ritmeve të rimëkëmbjes ekonomike, pas mbylljes dramatike të ekonomisë, kështu do të dalim edhe nga kjo fatkeqësi e re natyrore e kombinuar me faktorë gjeopolitikë e manovra tregtare që nuk i kemi ne në dorë. Asnjë frikë, asnjë pasiguri, vetëm vendosmëri, durim e besim, se më e mira do të bëhet dhe Shqipëria do të vazhdojë të synojë majën që i kemi vënë vetes qëllim, në rrugëtimin sfidues të kësaj dekade të re ku sapo kemi hyrë.

OPOZITA / Tri mundësitë e qeverisë për të përballuar çmimet në rritje

Familjet shqiptare dhe biznesi i vogël pritet të gjenden para një sulmi të pazakontë çmimesh në rritje, duke filluar që nga çmimi i energjisë elektrike dhe të gjitha produktet e konsumit. Rritja e çmimit të energjisë elektrike, naftës apo gazit natyror që përdoret si burim energjie në linjat e prodhimit pritet të sjellë dhe rritje të kostos së prodhimit, çka do të reflektohet dhe në çmimin e mallrave që bizneset prodhojnë.

Qeveria, në këto kushte kur rritja e çmimit të energjisë është një fenomen botëror, do të duhet të ndërhyjë për ta menaxhuar këtë situatë. Ajo do të duhet të përdorë 300 milionë euro për të blerë sasinë e energjisë që i duhet konsumit vendas, para këto që pritet të vijnë nga një huadhënie e jashtme përmes bankave. Por që të kompensojë këtë borxh, pritet që në janar të vitit tëardhshëm të kemi një rritje të çmimit të energjisë elektrike për kilovat/orë, duke rënduar buxhetet familjare dhe ato të biznesit. Këtu pritet edhe një ndërhyrje e qeverisë te shtresat në nevojë, duke bërë subvencionimin e energjisë elektrike për pensionistët, familjet që përfshihen në skemën e ndihmës ekonomike etj. Edhe kjo skemë pritet të rrisë shpenzimet e buxhetit të shtetit për të përballuar këtë krizë e duke ia pakësuar ato zërave të tjerë në infrastrukturë apo sektorë të tjerë.

Por nëse situata do të vazhdojë gjatë, edhe pse Kryeministri përcaktoi gjashtëmujorin e parë të vitit të ardhshëm për të dalë nga kjo gjendje, nuk përjashtohet mundësia edhe e kufizimeve të gjata me furnizim me energji elektrike, duke na kujtuar periudhën e errët të 2001-2002 kur familjeve shqiptare u mungonte energjia elektrike për 7-8 orë në ditë. Por nëse do t’i referohemi deklaratës së djeshme të Kryeministrit, qeveria do t’ia dalë edhe kësaj krize siç ia doli me sukses pandemisë dhe tërmetit. “Kini besim të plotë, siç kam edhe unë besim të palëkundur, se siç ia dolëm me tërmetin e me pandeminë, do t’ia dalim edhe kësaj sfide të madhe me energjinë dhe jini të sigurt se siç nuk na vunë përfund rrënojat e pafundme të tërmetit e siç nuk na gjeti të papërgatitur sulmi i armikut të padukshëm, ashtu nuk na gjen të papërgatitur e as nuk na vë dot përfund as kjo krizë e jashtëzakonshme”, u shpreh Kryeministri.

Basha i përgjigjet Ramës me 7 propozime kundër krizës

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, reagoi dje ndaj deklaratës së Kryeministrit Rama në lidhje me krizën e ardhshme energjetike duke dhënë dhe propozimet e tij për përballimin e saj.

Ai tha se një krizë energjetike sapo ka filluar, duke ndikuar në rritjen e çmimit të karburanteve. Ndër propozimet e Bashës për zbutjen e krizës së pritshme energjetike është heqja e taksës 240 lekë për litër karburanti, ulja e TVSHsë për ushqimet nga 20 në 6 për qind, si dhe ristrukturimin e buxhetit.

Fjala e Lulzim Bashës

Tellalli i së keqes doli sot për të larë duart para shqiptarëve, për atë që po përgatit për ta, rritjen e mëtejshme të çmimeve të energjisë, ndërsa tashmë të gjitha çmimet janë rritur ndjeshëm duke pamundësuar për qindra-mijëra shqiptarë të përballojnë nevojat bazë. Vërtet bota po përballet tani, por shqiptarët kanë 8 vite që përballen me çmimet më të larta në rajon e ndër më të lartat në Europë, të energjisë dhe karburanteve. Në ato vende ku ndodhin rritje të diktuara nga tregjet ndërkombëtare, qeveritë e përgjegjshme u vijnë në ndihmë qytetarëve të tyre. Por a mund të ndodhë kjo më këtë qeveri? Shqiptarët e dinë mirë që jo.

Ata e kanë parë se si në momentet më të vështira të këtyre viteve, kjo qeveri dhe ky Kryeministër i ka braktisur. Kështu ndodhi me tërmetin, kështu ndodhi me pandeminë. Shqiptarët e kanë parë se si fondet e rindërtimit u përdorën për të majmur ortakët e Edi Ramës dhe po këto fonde të jepeshin jo për njerëzit në nevojë, por për të marrë në këmbim votën e tyre. Shqiptarët e kanë vuajtur në lëkurën e tyre braktisjen gjatë pandemisë kur babëzia e kësaj pakice të korruptuar dha ndihmën më të ulët ekonomike në Europë, duke shkaktuar rritjen më të madhe të jetëve të humbura në kontinent, varfëri dhe papunësi. Me këtë bilanc të zi, me këtë qeverisje që fatkeqësitë e njerëzve i kthen në gosti milionash për ortakët e tij, detyra jonë si opozitë është të ushtrojmë, edhe me ndihmën e qytetarëve, të gjithë presionin e duhur që askush të mos braktiset, askush të mos vuajë makutërinë e kësaj pakice.

Ndaj prioritetet në këtë moment të parë janë të qarta dhe të domosdoshme:

1- heqja e taksës “Rama” prej 240 lekësh për litër karburanti;

2- ulja e TVSH-së nga 20% në 6% për ushqimet, ashtu siç kemi kërkuar prej javës së parë në Kuvendin e Shqipërisë;

3- faturimi me çmime dhe sasi reale i konsumit të oligarkëve të cilët favorizohen në kurriz të konsumatorëve;

4- subvencionim i çmimit të energjisë për qytetarët;

5- mirëmenanxhim dhe ndalje e shpenzimeve të shfrenuara, luksoze të OSHEE dhe KESH, që janë kthyer në zhvatës të parave të shqiptarëve.

6- ristrukturim të buxhetit për t’u përballur me një krizë që nuk mund të ndalet me propagandë dhe fjalime;

7 – më shumë para për shtresat në nevojë dhe ristrukturim të ekonomisë aktuale, e cila për shkak të politikave të kësaj qeverie, është e varur nga paraja e pisët dhe monopolet e oligarkëve. Të dashur qytetare dhe qytetarë, nisur nga eksperiencat e hidhura që përmenda pak më parë, vetëm këmbëngulja jonë e përbashkët i pamundëson këtij Kryeministri dhe kësaj pakice të korruptuar të përdorë fatkeqësitë tuaja për t’u pasuruar vetë dhe miqtë e tyre. Shqipëria është e juaja, jo e një pakice.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *