Sllovenia merr Presidencën e BE-së

10:57 01/07/2021

Më 1 Korrik, Sllovenia merr drejtimin e presidencës së Bashkimit Europian. Kjo është hera e dytë e në historinë e këtij vendi. Presidenca sllovene është deklaruar se do të bazohet në katër shtylla, të përmbledhura në sloganin “Të bashkuar, qëndrueshmëri, Europë”.

Vetë shteti i ka dhënë prioritet forcimit të strukturës së unionit, rimëkëmbjes ekonomike dhe autonomisë strategjike. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet mekanizmit të rimëkëmbjes dhe Paketës së Gjeneratës së Re të BE-së, bazuar në tranzicionin e gjelbër dhe atë digjital.

Në fokus do të jetë gjithashtu e ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Për shefin e diplomacisë sllovene, vazhdimi i procesit të zgjerimit duhet të kthehet në interesin strategjik të BE.

Kjo çështje do të vihet në dukje në samitin mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, që do të zhvillohet në vjeshtë në Slloveni. Gjatë presidencës portugeze, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk morën dritën e jeshile për Konferencën Ndërqeveritare me BE-në, që do t’i çonte dy vendet më pranë hapjes së negociatave të anëtarësimit.

Marrja e drejtimit të unionit për gjashtë muajt e ardhshëm vjen në një moment kyç, kur blloku europian po miraton paketa të rëndësishme në lidhje me klimën, rinovimin digjital dhe forcimin e qëndrueshmërisë së tij.

Për ministrin e Jashtëm slloven, Anze Logar, presidenca është një shans për të përforcuar integrimin brenda BE-së dhe brenda institucioneve të tij, si dhe për të nxitur zhvillimin drejt një komuniteti inovativ dhe kreativ, të bazuar tek zhvillimi i qëndrueshëm.

Klan News

Burimi informacionit @TvKlan: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *