Sot 3 ditë nga hyrja në fuqi e vendimit për targat, çfarë po ndodh në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak

Sot mbushen 3 ditë nga vendimi që ka marrë qeveria kosovare, për vendosjen e reciprocitetit sa i takon targave serbe. Si pasojë e këtij vendimi, dy rrugët, që lidhin Kosovën dhe Serbinë mbeten të bllokuara nga serbë lokalë, që po e kundërshtojnë këtë masë. Lidhur me situatën e shkaktuar në veri, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje u takua me ambasadorët e QUINT-it.

Sipas një njoftimi për media të Zyrës së Kryeministrit, Kurti tha se në Jarinjë dhe Bërnjak qytetarët serbë vazhdojnë t’i mbajnë të bllokuara rrugët, por sipas tij, njësitë speciale të Policisë së Kosovës “janë aty vetëm për të mbrojtur policinë kufitare dhe vendkalimet kufitare”.

“Te ky reciprocitet i targave të përkohshme për vetura ose Kosova dhe Serbia kanë të dyja të drejtë, ose e kanë të dyja gabim. Pra, ose do t’i mbajmë aso lloj targash të dyja shtetet, ose le t’i heqim ato edhe Kosova edhe Serbia. Ambasadorët dhe kryeministri Kurti u pajtuan që duhet ruajtur paqen dhe qetësinë, stabilitetin dhe sigurinë, dhe se dialogu duhet të vazhdojë e situata duhet të de-eskalojë”, thuhet në njoftim, ku përveç ambasadorëve të QUINT-it mori pjesë edhe shefi i misionit të Bashkimit Evropian në Prishtinë, Tomas Szunyog.

Ky takim i Kurtit me QUINT-in vjen pak orë pasi në Serbi, presidenti serb, Aleksandar Vuçicc mblodhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare për shkak të gjendjes së krijuar nga vendimi i 20 shtatorit për reciprocitetin për targat. Qytetarët serbë kanë vazhduar protestën edhe gjatë të martës, ndërkohë që situata vazhdon të jetë e qetë. Mediat kosovare shkruajnë se numri i protestuesve serbë gjatë natës është zvogëluar edhe për shkak të temperaturave të ulëta që kanë shoqëruar orët e vona të mbrëmjes, ndërsa ata që kanë qëndruar, kanë ndezur zjarr. Aktualisht rrugët, të cilat çojnë në Jarinje, ashtu si edhe në pikëkalimin tjetër kufitar Bërnjak, vazhdojnë të jenë të bllokuara me një kolonë të gjatë të makinerive të rënda që janë vendosur nga protestuesit serbë.

Edhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka folur për vendimin rreth reciprocitetit për targat. Ajo ka thënë se vendosja e reciprocitetit sa i përket targave me Serbinë, është “në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar nga të dyja palët në Bruksel”. Gërvalla ka thënë se “tensioni i shkaktuar duhet të shihet si veprim i njëanshëm i Serbisë”. Gjatë raundit të fundit të dialogut me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Kosova kishte paralajmëruar vendosjen e masës së reciprocitetit për targat.

Kjo ishte bërë e ditur nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili kishte thënë se marrëveshja për targat skadon më 15 shtator dhe se Kosova nuk do ta respektojë atë njëanshëm. 5 ditë pas skadimit të marrëveshjes, forca të mëdha policore u vendosën të hënën në pikën kufitare Jarinjë -Bërnjak për të zbatuar reciprocitetin. Dhe sipas kësaj, makinat me targa të Serbisë do të mund të qarkullojnë në Kosovë vetëm nëse i heqin ato dhe pajisen me targa të përkohshme ‘RKS’ Në vendim përcaktohet se të gjithë shoferët me targa të lëshuara nga Serbia, duhet të paguajnë 5 euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *