Sot Këshilli Kombëtar, Jorida Tabaku: Votojmë sekretarët e rinj dhe kryetarin e Këshillit! Në fund të Komisionit Hetimor për inceneratorët, dosja shkon në SPAK









MARIGLEN KUME/ Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike do të votojë sot në orën 17:30 për të zgjedhur 4 sekretarët e rinj dhe 5 anëtarët e kryesisë së Partisë Demokratike.

 

Në një intervistë për gazetën “Panorama”, nënkryetarja e PD-së, Jorida Tabaku, u shpreh se mbledhja e sotme bëhet për të zëvendësuar sekretarët, anëtarët e kryesisë dhe kryetarin e këshillit, të cilët u angazhuan në një aktivitet politik antistatusor. Pavarësisht problemeve brenda PD-së që edhe sipas nënkryetares Tabaku nuk mund të fshihen, ajo thotë se qëllimi i të gjithë Grupit Parlamentar të PD-së është oponenca ndaj qeverisë. Tabaku foli edhe për pengesën që po shkakton maxhoranca për hetimin e inceneratorëve.

Jorida Tabaku: Mbledhja e komisionit hetimor dështoi sepse maxhoranca nuk mori pjesë. Jam përpjekur që ditën e diel me znj. Ermonela Felaj që të bie dakord për një datë dhe orë për mbledhjen e radhës. Fillimisht më tha që nuk ka asnjë problem për të hënën apo të martën. Më pas më tha që ka përfunduar sesioni parlamentar. Ndërkohë që Parlamenti është akoma në sesion.

Ju jeni sot në kryesinë e Kuvendit dhe e shikoni që ka dy komisione të tjera që po vazhdojnë punë. Por ky është një arsyetim teknik sepse arsyeja e vërtetë politike është se nga frika për ta zbuluar të plotë aferën sepse Lefter Koka është vetëm fillimi i personave që duhet të jenë para drejtësisë. PS ka vendosur që të veproj kështu për të bllokuar punën e komisionit. Kjo tendencë është vënë re edhe mbledhjet e kaluara. Është tentuar të bllokohet nisja e shkresave. 

Janë dhënë justifikime për të mbrojtur ato që nuk kthejnë përgjigje. Për të mbrojtur kompaninë e inceneratorëve, për të mbrojtur sektorin bankar që nuk kthen përgjigje. Pra, që në fillimet komisioni është penguar për të vazhduar punën. Unë jam e sigurt që ne do të dalim me dy raporte, por kjo nuk do na frenojë ne të vazhdojmë e të tregojmë që afera e inceneratorëve është afera më korruptive.

tabaku-keshilli kombetar i pd

Nga hetimi i deritanishëm, a kanën dalë shkelje të reja?

Ka një sërë shkeljesh. Për të tre inceneratorët, Tiranë, Elbasan e Fier, procedurat janë bërë në shkelje të ligjit. Pa konkurrencë, pa thirrje, pa marrë miratimin e ministrive. Janë bërë në një kohë shumë të shkurtër. Elbasani i ka bërë brenda një dite. Ne kemi informacione nga raporti i KLSH se kosto është fryrë, sidomos në inceneratorin e Tiranës. Kontrata shkon në 430 milionë euro, ndërkohë që është firmosur në 129 milionë euro. Kryetari i Bashkisë së Tiranës e ka firmosur këtë kontratë në shkelje të ligjit. 

Ka marrë përsipër detyrim edhe për bashkinë e Vorës, Kamzës, Kavajës e Rrogozhinës. Ai ka marrë përgjegjësi që ligji ia jep Këshillit Bashkiak dhe jo kryetarit. Por përveç procedurave, fakti që kompania s’ka asnjë lidhje me incenerimin, lidhjeve politike që kanë personat e inceneratorëve njëkohësisht është edhe afera kriminale e rritjes së tarifës së pastrimit për të mbyllur aferën. Në inceneratorin e Fierit kemi zbuluar se është përdorur një kompani italiane për të marrë koncesionin dhe aksionet janë shitur një javë mbasi kjo kompani ka marrë koncesionin. 

Në koncesionin e Tiranës kemi zbuluar se kompania është regjistruar në Holandë, por atje nuk ka një zyrë. Por sërish kompania koncesionare nuk jep përgjigje. Kemi indicie që janë krijuar 40 kompani fiktive për të bërë pagesa fiktive. Këtë informacion ua kemi kërkuar tatimeve dhe po analizojmë çdo kompani. Ndërkohë, sektori bankar s’kthen përgjigje.

Materialet që do nxirrni nga ky komision do t’ia bashkëngjisni kallëzimit penal?

I gjithë raporti që nuk do biem dakord me palën tjetër, por edhe dosja e plotë do të shkojë në SPAK, për të vazhduar hapat e mëtejshëm. Duke pasur parasysh që kemi bërë një padi para një viti, kemi dërguar edhe atëherë informacione, por tani do të dërgojmë edhe të tjera.

Për të kaluar në një temë tjetër që nuk është më pak e rëndësishme. Në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar të PD-së u votua për shkarkimin nga funksioni të disa anëtarëve të kryesisë dhe të disa sekretarëve të PD-së. Sot ka mbledhje sërish, çfarë vendimmarrje priten sot?

Dëshira ime do të ishte që ne të ishim fokusuar te qeveria pikërisht në një moment që është në kulmin e skandaleve. Afera e inceneratorëve është vetëm fillimi. Ndërkohë, ka dalë edhe një databazë me informacione për paga. Po ashtu, është rritur çmimi i energjisë për bizneset. Rritja e çmimit të energjisë do ndikojë në rritjen e çmimit të çdo produkti. Ne na kanë votuar shqiptarët për të qenë përballë qeverisë. Por, nga ana tjetër, ne kemi një situatë në PD, që nuk e mohojmë dot dhe s’mund të themi se nuk ka ndodhur asgjë.

Në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar u mor vendimi për t’u hequr përgjegjësitë disa personave që ishin angazhuar në aktivitete antistatutore, 4 sekretarë dhe 5 anëtarë kryesie. Mbledhja e sotme do jetë për të plotësuar strukturën me këto vende, bazuar edhe në vendimin e fundit të kuvendit të 18 dhjetorit. Është e vërtetë se po bëjmë mbledhje më shumë se normalist këto javë, por janë ditë të ngarkuara politikisht dhe kushdo ka interes primar sesi do të zhvillohen ngjarjet dhe sesi opozita do bëhet më e fortë për tu përballur me qeverinë?

Në PD, një pjesë e deputetëve janë pozicionuar me z. Berisha. Pra, janë dy grupe. Si do funksionojë Grupi Parlamentar i PD-së, do jenë më qëndrime të unifikuara? Si do jetë funksionimi?

Nuk të them dot për njoftimet sepse nuk jam marrë ndonjëherë as me njoftimet dhe as me protokollin e partisë. Por di të them që njoftimi shkon për të gjithë njësoj. Ju e patë që në mbledhjen e Komisionit Hetimor ne ishim të gjithë aty. 

Nuk ka dyshim se ne kemi përballë Edi Ramën. Më vjen mirë që të gjithë ishim aty për t’u përballur me Ramën. PD ka një Grup Parlamentar dhe ky grup është votuar për të çuar përballë betejën me qeverinë.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.