SOT PROTESTA PARA PD/ Apeli i Lulzim Bashës: Demokratët të rrinë larg skenarëve të dhunës








MARIGLEN KUME/ Pak orë para protestës së thirrur nga Sali Berisha, sot në orën 12:00, para selisë së PD-së, Lulzim Basha doli në një deklaratë për shtyp, ku u kërkoi demokratëve të qëndronin larg skenarëve të dhunës.

dje

Kryedemokrati Basha akuzoi liderin historik të PD-së, Sali Berisha, se në protestën e sotme i ka thirrur vetëm për fasadë, pasi në të vërtetë, sipas Bashës, ish-Kryeministri ka përgatitur një skenar të dhunshëm për t’u futur në selinë e PD-së. Po ashtu, Basha akuzoi Berishën se gënjen demokratët që e besojnë se protestën e bën kundër tij, por në të vërtetë sipas kryedemokratit protesta është kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që e shpallën non grata.

LULZIM BASHA

“Lëvizjet e Sali Berishës, që nga shtatori kur unë mora vendimin për pezullimin e tij, e sot e gjithë ditën, kanë shërbyer për të zhurmuar e devijuar fokusin e betejës sonë opozitare, rrjedhimisht duke i dhënë oksigjen qeverisë. Për hallin e tij, që as e ka nga ne, as ia zgjidhim dot ne, Sali Berisha ka thirrur një protestë kundër Partisë Demokratike, në të vërtetë kundër SHBA. Ka një pikë kur boll është boll. Unë dua t’u drejtohem sot të gjithë demokratëve, e sidomos atyre që kanë dashur me sinqeritet thirrjen e një Kuvendi të jashtëzakonshëm të Partisë Demokratike, të cilin Kryesia e PD-së e thirri në datë 18 dhjetor edhe në reflektim të kërkesave të tyre.

Pa dashur të përsëris çfarë kam thënë disa herë rreth përpjekjeve të mia për të gjetur bashkë me Sali Berishën zgjidhjen më të mirë për PD në radhë të parë, por në bindjen time edhe për atë vetë, përpjekje që rezultuan të pasuksesshme, e ndjej si detyrim politik e njerëzor t’ju them: Sali Berisha ju ka mashtruar kur në nisje të lëvizjes së tij për të marrë e shndërruar Partinë Demokratike në bunker antiamerikan pas shpalljes së tij non grata, ju tha se unë kam shkelur statutin sepse nuk e kam votuar në Kryesi dhe në Këshillin Kombëtar vendimin e pezullimit të tij. Në kulmin e lëvizjes së tij, koha tregoi se megjithë diversionet e parreshtuara të Sali Berishës, Kryesia, Këshilli Kombëtar përfshirë Grupin Parlamentar dhe Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike i mbajtur më 18 dhjetor, si dhe shumica e demokratëve kanë vendosur t’u qëndrojnë me vendosmëri qëndrimeve zyrtare të PD-së për korrupsionin dhe përcaktimin non grata të SHBA-së dhe të zbatojnë në partinë tonë atë që kemi kërkuar prej vitesh nga të gjitha institucionet shqiptare.

Sali Berisha ka mashtruar dhe ka dashur t’ju bëjë për budallenj me sajesat dhe trillimet e tij qesharake rreth arsyeve përse është shpallur non grata nga SHBA, në një kohë kur motivacioni ka qenë dhe është i qartë për çdokënd që nuk ka dëshirë të gënjehet. Shpallja non grata si instrument i anti-korrupsionit dhe mbrojtjes së demokracisë nga minuesit e saj, po ngrihet si stuhi në Shqipëri dhe në rajon. Kushdo ka mundësi të qartësohet përmes shembujve konkretë për arsyet e këtyre shpalljeve që po shoqërohen me sanksione ndaj pasurisë së paligjshme të personave të shpallur non grata dhe sipërmarrjeve që i mbështesin. Sali Berisha ka mashtruar me përpjekjet e tij të vazhdueshme për t’jua mbajtur të fshehtë procedurën e shpalljes non grata që merr kohë dhe përfshin disa institucione e agjenci ligjzbatuese në shtetin më të fuqishëm të botës, që nga Departamenti i Shtetit, te Departamenti i Drejtësisë, Departamenti i Thesarit dhe agjencitë e Sigurisë Kombëtare dhe Ligjzbatimit.

Sali Berisha ju ka mashtruar e ushqyer me iluzione sikur non grata amerikane është një vendim politik i një administrate që mund të hiqet nga administrata tjetër dhe jo një vendim institucional që piqet për shumë kohë dhe merret përmes bashkëpunimit e bashkërendimit të shumë institucioneve e agjencive të zbatimit të ligjit. Shpallja non grata për korrupsion nuk i është hequr kurrë, askujt. Sali Berisha është treguar gënjeshtar me ju duke e përjashtuar veten e tij nga vendimmarrjet me të rëndësishme të PD-së gjatë tetë viteve tona në opozitë, në një kohë kur ai ka qenë pjesë e vendimmarrjes, madje edhe duke i paraprirë me deklarata mediatike, dhe me protagonizmin e tij rivalizues me institucionet e zgjedhura të PD-së. Unë kam pranuar përgjegjësitë e mia për këtë situatë, por Sali Berisha nuk mund të bëjë sikur ka qenë në ndonjë ishull prej nga u kthye pas tetë vjetësh.

APELI

Demokratëve u bëj thirrje t’u rrinë larg skenarëve të dhunës që duan destabilizim dhe shkatërrimin e PD-së. Sepse edhe tani Sali Berisha po ju gënjen, manipulon dhe mashtron. Ai kërkon t’i përdorë demokratët si fasadë, sepse nesër ai ka mobilizuar kriminelë e trafikantë për dhunë. Unë e di fare mirë se demokratët janë kundër dhunës, por kjo është mënyra e tij e vetme. Dhuna është streha e tij e fundit. PD ka marrë masa të përballet dhe t’u tregojë vendin me fuqinë e ligjit agresorëve që nuk kanë asnjë lidhje me PD dhe misionin e saj. Shqipëria nuk mund të turpërohet duke prodhuar një ngjarje të shëmtuar antiamerikane në selinë e PD-së dhe as demokratët nuk ia kanë borxh Sali Berishës kundërvënien përballë njëri-tjetrit që ai nxit dhe provokon prej dëshpërimit të tij.

PD nuk mund ta mbajë e nuk ka për ta mbajtur këtë turp. Demokratëve, mbështetësve të mi, mbështetësve të forumeve të PDsë, kritikëve të mi, kundërshtareve dhe rivalëve të mi u them të qëndrojmë të bashkuar përballë regjimit të Edi Ramës, përballë skenarëve të dhunës e shkatërrimit të PD-së. Dua të përsëris se ndërsa nuk jam më i hapur për asgjë ndaj personit të shpallur non grata, që ka vënë hallin e tij, mbi interesat e demokratëve dhe të Shqipërisë, jam i gatshëm të dëgjoj dhe po dëgjoj, po reflektoj e do të vazhdoj të reflektoj me qëndrime e vendime demokratike ndaj kritikave, kundërshtimeve, kërkesave dhe propozimeve që forcojnë bashkimin tonë në diversitet, që shërbejnë për modernizimin e Partisë Demokratike dhe fitoren e saj.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.