Spanjë, vandalizohet një xhami në rajonin Murcia

Një xhami në rajonin spanjoll Murcia u vandalizua gjatë natës, më pak se një muaj pas vrasjes brutale të një marokeni në të njëjtin rajon.

Xhamia në qytetin Cabezo de Torres, e përuruar në vitin 2018, u vandalizua me spërkatje me frazat “jo islamit”, “ndalo pushtimin” dhe “Sovraniteti i Spanjës nuk mund të negociohet”.

Vandalët gjithashtu lanë jashtë xhamisë kokën e një derri me një thikë në të.

Ky është episodi i fundit i një vale sulmesh ksenofobike në rajonin jugor Murcia, një ndër rajonet spanjolle më të dendura me imigrantë.

Më 13 qershor, Younes Bilal, një emigrant maroken, u qëllua nga afër teksa ishte ulur në një kafene me miqtë. Dëshmitarët thonë se vrasësi, një veteran spanjoll, qëlloi Bilalin pasi drejtoi fyerje raciste ndaj tij dhe njerëzve të tjerë në kafene.

Më herët, në muajin qershor, Momoun Koutaibi, një mekanik në ndërmarrjen Primafrio, pretendohet se u sulmua nga një bashkëpunëtor.

Mediat lokale raportuan se bashkëpunëtori i tij spanjoll u pushua nga puna pasi shefi i tij i tha: “Ky Moor është një punëtor më i mirë se ti”, duke iu referuar Koutaibit me termin e përdorur nga të krishterët në mesjetë për të emëruar myslimanët në Spanjë.

Ky koment e zemëroi njeriun që u pushua nga puna deri në atë pikë sa ai filloi ta rrahë Koutaibi-n me një shufër hekuri, duke i thyer kafkën dhe duke e dërguar në koma. 22-vjeçari mbetet në gjendje kritike, ndërsa familja e tij këmbëngul se ishte një sulm racist.

Më 18 qershor, një grua ekuadoriane u godit me thikë teksa po priste në radhë në një vend ku shpërndahej ushqim falas. Agresorja, një grua spanjolle, dyshohet se e kishte fyer atë me një sharje raciste, duke thënë se emigrantët po “vidhnin” punë dhe ushqim.

Gruaja e sulmuar përfundoi në njësi të kujdesit intensiv, por po shërohet.

Në fillim të këtij viti, një xhami tjetër u vandalizua gjithashtu në qytetin San Javier të rajonit Murcia, ndërsa u vandalizua edhe selia e partisë së majtë Podemos në Cartagena.

Deri më tani, qeveria qendrore e Spanjës ka qëndruar kryesisht e heshtur ndaj valës së sulmeve në Murcia.

Murcia është një bastion i partisë Vox të ekstremit të djathtë. Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2019, ky ishte i vetmi rajon ku Vox ishte partia më e votuar.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *