
Edhe në shekullin e 21-të, lufta mund të ndikohet nga moti dhe kjo mund të bëhet një faktor negative për çdo ofensivë ruse në Ukrainë. Pyetja e ushtarëve ukrainas, por ndoshta edhe gjeneralëve rusë është: “A ka ardhur Rasputitsa herët”?
CNN shkruan, se Rasputitsa është termi që përdoret për baltën e pranverës, kur udhëtimi nga Rusia në Ukrainë bëhet akoma dhe më i vështirë. Zakonisht ndikimi i saj më i madh ndihet më shumë në muajin mars, pasi bora fillon të shkrihet.
Deri më tani, ky dimër ka qenë jashtëzakonisht i butë në pjesën më të madhe të Ukrainës.
Analistët ushtarakë po debatojnë nëse një vazhdim i dimrit të butë mund të ndikojë në ndonjë plan për një ofensivë. Kremlini ka mohuar vazhdimisht se ka ndonjë qëllim për të sulmuar Ukrainën, por më shumë se 100,000 trupa ruse janë mbledhur afër kufijve të Ukrainës, së bashku me armë të rënda, tanke dhe raketa balistike.
Videot e mediave sociale nga disa zona ku janë vendosur forcat ruse, disa të postuara nga vetë ushtarët, tregojnë tokë të butë dhe të përmbytur dhe shumë baltë.
Të dhënat nga Copernicus, programi i BE-së për Vëzhgimin e Tokës, tregojnë se pjesa më e madhe e Evropës Lindore përjetoi temperatura shumë mbi mesataren në janar. Ukraina pa temperatura nga 1 deri në 3 gradë Celsius më të larta se mesatarja e 30 viteve të fundit, një nga shumë ndryshimet që ka sjellë kriza klimatike në këtë rajon.
Copernicus vëren gjithashtu se në janar, “Evropa Lindore ishte kryesisht më e lagësht se mesatarja” dhe toka në Ukrainë ishte më e lagësht se normalja. Kombinimi do të thotë më pak acar dhe më shumë baltë.
Kjo nuk është befasi për Svitlana Krakovska, drejtuese e Laboratorit të Klimatologjisë së Aplikuar në Institutin Hidrometeorologjik të Ukrainës në Kiev.
“Ajo që ne po shohim në një trajektore afatgjatë është një numër më i ulët i ditëve me mbulesë dëbore si dhe netëve me ngrica. Ne padyshim shohim ngrohje shumë më të fortë që po ndodh këtu sesa mesatarja globale,” tha ajo për CNN.
Vlerësimi i SHBA-së është se një inkursion rus do të ishte më i lehtë nëse temperatura bie.
Dara Massicot, një studiuese e lartë e politikave në Korporatën RAND, thotë se “ndonëse toka e ngrirë do të ishte një avantazh për forcat ruse, nuk është një faktor përcaktues. Është e rëndësishme të kihet parasysh se raketat e drejtuara me saktësi dhe sulmet ajrore nuk ndikohen nga ky faktor”.
Forcat ruse janë përmirësuar ndjeshëm gjatë dekadës së fundit, thotë Massicot. Forca ajrore ka fituar shënjestrim dhe komunikim më të mirë dhe shumë nga pilotët e saj kanë fituar përvojë luftarake në Siri.
“Ushtria ruse stërvit gjatë gjithë vitit në mënyrë që ata të kenë përvojë me kushte të ndryshme të motit.”
Tanket ruse, qindra prej të cilave tani ndodhen brenda kufirit të Ukrainës, nuk pengohen shumë nga toka e butë, megjithëse ka të ngjarë të bëjnë përparim më të shpejtë mbi tokën e ngrirë.
(BalkanWeb)
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al