Spekulimet në treg/ Zbardhen masat e Bordit Kombëtar: Gjobat, nga 2 mln lekë deri në heqje të licencës






bordiPasi Bordi Kombëtar i Administrimit të Karburanteve vendosi çmimin fiks të shitjes së naftës, qeveria dje publikoi edhe masat që do të merren ndaj bizneseve që nuk zbatojnë vendimet e bordit.

Gazeta “Panorama.al” zbardh masat administrative, të parashikuara për çdo biznes që nuk zbaton vendimin e marrë nga Bordi. Gjobat variojnë nga 2 mln lekë për ato që tregtojnë me pakicë, deri në 10 mln lekë për shumicën dhe të gjitha paratë do të shkojnë 100% në buxhetin e shtetit. Në rast përsëritjeje, është parashikuar edhe heqja e licencës së tregtimit.

“Në rast të mosrespektimit të çmimit tavan përkatës, të vendosur nga Bordi, zbatohen sanksionet e mëposhtme: a) Shoqëritë e tregtimit me shumicë të produkteve të naftës dhe gazit dënohen me gjobë, në masën 10 (dhjetë) milionë lekë; b) Shoqëritë e tregtimit me pakicë të produkteve të naftës dhe gazit, të cilat nuk respektojnë çmimin tavan përkatës të vendosur nga Bordi, dënohen me gjobë, në masën 2 (dy) milionë lekë; c)Në rast përsëritjeje, masave të mësipërme, të përcaktuara në shkronjat “a” dhe “b”, të këtij neni, u shtohet edhe heqja e licencës së tregtimit”, thuhet në vendim.

Duke qenë se kompanitë e kanë detyrim që të mbajnë rezerva për 90 ditë në avancë për të shmangur një krizë, nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë, biznesi përjashtohet për një periudhë 3-vjeçare nga mundësia për të marrë pjesë në një tender. Gjithashtu, do të ndëshkohet me gjobë për 50% të vlerës të produkteve rezervë që u mungon.

“Të gjitha shoqëritë që tregtojnë me shumicë produktet dhe nënproduktet e naftës dhe gazit, janë të detyruara të marrin masa për mbajtjen e rezervave përkatëse, sipas përcaktimeve në legjislacionin në fuqi, dhe të ofrojnë këtë shërbim të pandërprerë, në përputhje me vendimet e Bordit. 2. Të gjitha shoqëritë, që tregtojnë me pakicë produktet dhe nënproduktet e naftës dhe gazit, janë të detyruara të marrin të gjitha masat e nevojshme për të siguruar furnizimin e pandërprerë të konsumatorit/ qytetarit, në përputhje me vendimet e Bordit. 3. Mosmarrja e masave nga shoqëritë private, sipas përcaktimeve në pikat 1 dhe 2 të këtij neni, dënohet sipas legjislacionit të fushës dhe këto shoqëri përjashtohen nga procedurat e prokurimit publik për një periudhë 3-vjeçare nga Agjencia e Prokurimit Publik”, thuhet në Aktin Normativ.

Zbatimi i tyre monitorohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, nëpërmjet verifikimit të faturave të lëshuara nga shoqëritë gjatë periudhës së masave të veçanta dhe nga Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut, që vepron kryesisht nëpërmjet kontrolleve ose ankesave nga konsumatorët.

Parashikimet në aktin normativ mbeten në fuqi për aq kohë sa zgjat periudha e situatës së emergjencës në tregun hidrokarbur, që në rastin konkret është ndikuar nga lufta në Ukrainë. Çmimi tavan vendoset në varësi të çmimit në tregjet ndërkombëtare. Deri me datë 15 mars, çmimi i naftës në vend do të jetë 217 lekë, ai i benzinës 217, ndërsa gazi 93 lekë për litër.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published.