Spiunimi i aleatëve është një akt normal dhe i zgjuar

Aleatët evropianë të Danimarkës u“tronditën” këtë javë kur zbuluan se vendi i vogël nordik i kishte ndihmuar Shtetet e Bashkuara të spiunonin Gjermaninë, Francën dhe aleatët e tjerë evropianë midis viteve 2012-2014.

Quelle horreur! (Çfarë tmerri), u shpreh ministri francez për Evropën, Clément Beaune, duke theksuar se zbulimet se Kopenhaga e lejoi Agjencinë e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, NSA, të përdorte sistemet daneze të përgjimit për të dëgjuar bisedat e udhëheqësve të lartë evropianë, përfshirë kancelaren gjermane Angela Merkel dhe presidentin gjerman Franz-Walter Steinmeier, janë “jashtëzakonisht serioze”.

“Kjo gjë nuk është e pranueshme nga aleatët”-ishte vlerësimi i shefit të tij presidentit francez Emmanuel Macron. Edhe Peer Steinbrück, ish-kandidat i socialdemokratëve për kancelar të Gjermanisë dhe një objektiv tjetër i NSA, deklaroi se kjo çështje ishte një “skandal politik”.

Por këta burra e dinë më mirë se si qëndrojnë gjërat, ose duhet ta dinin në parim. Sigurisht, ju ose unë mund të kemi një reagim të ngjashëm nëse zbulojmë se një mik ka ndihmuar dikë tjetër të përgjonte bisedat tona telefonike. Kombet nuk kanë miq, por vetëm interesa,thoshte dikur një udhëheqës i famshëm francez.

Dhe spiunimi midis aleatëve të ngushtë nuk është vetëm një praktikë e zakonshme, por shpeshherë një ide e mirë. Kur u raportua për herë të parë lajmi se SHBA kishte spiunuar aleatët e saj, kryeministri i atëhershëm francez Jean-Marc Ayrault tha se ishte “thellësisht i tronditur”.

Por qëndrimi i tij u kundërshtua menjëherë nga Bernard Squarcini, kreu i larguar së fundmi i agjencisë franceze të kundërzbulimit. “Unë jam i habitur nga një naivitet i tillë”- deklaroi Squarcini për të përditshmen franceze “Le Figaro”.

“Kështu krijohet përshtypja se politikanët tanë nuk shqetësohen të lexojnë raportet që marrin nga shërbimet e inteligjencës”-theksoi ai. Dhe as Berlini nuk ka më arsye për t’u ankuar. Gjashtë vjet më parë, Gjermania ishte në vendin e Danimarkës, kur e mediat raportuan se kishte lejuar NSA-në amerikane të spiunonte kompanitë evropiane të mbrojtjes.

Gjermanët e dinë më mirë se kushdo tjetër, se spiunimi ndaj aleatëve ka një histori të gjatë, pikërisht pasi ai është kaq shumë i nevojshëm. Në vitet 1970, besimi midis shërbimeve sekrete amerikane dhe gjermano-perëndimore ishte aq i dobët, sa që mendohej se këta të fundit nuk ndanin disa të dhënat me homologët e tyre amerikanë, nga frika se mos ekspozoheshin në Kongresin Amerikan.

Ndërkohë, agjencitë amerikane të inteligjencës ishin të bindura se agjencitë homologe gjermano-perëndimore ishin infiltruar nga spiunët e Gjermanisë Lindore, dhe për këtë arsye mbanin për vete shumë nga informacionet. Dhe ky supozim rezultoi të ishte i saktë.

Në vitin 1974 krahu i djathtë i kancelarit gjerman Willy Brandt, Günther Guillaume u demaskua si një spiun i Gjermanisë Lindore.

Në një rast unë kam pasur privilegjin të intervistoja Markus Wolf, spiunin legjendar të Gjermanisë Lindore, operacionet e të cilit përfshinin edhe futjen e Guillaume në rrethin e ngushtë të kancelarit Brandt. Ndër të tjera, ne biseduam mbi përpjekjet e CIA-s për ta rekrutuar atë pas shembjes së Gjermanisë Lindore.

A mendon dikush se agjencitë e inteligjencës së Gjermanisë Perëndimore, i vlerësuan SHBA-të për faktin që po përpiqeshin të rekrutonin asetin e tyre më të madh? Apo mendon dikush se CIA do të kishte lënë ti shpëtonte shansi për të punuar me Wolf, i konsideruar nga miqtë dhe armiqtë si mjeshtri i spiunazhit? Jo.

Vendet kanë një interes të arsyeshëm për ta informuar veten e tyre mbi zhvillimet e vazhdueshme dhe të mundshme në të gjithë botën, duke përfshirë edhe atonë vendet mike. Dhe kjo sepse ato vende mund të kenë prioritete të ndryshme në lidhje me atë që është e rëndësishme, dhe ashtu si Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania Perëndimore në vitet 1970, ata mund të hezitojnë që ta ndajnë atë që dinë edhe me aleatët e tyre më të ngushtë.

Kujtoni pak rastin e ish-Ministres së Jashtme të Austrisë, Karin Kneissl, e cila kërceu me presidentin rus Vladimir Putin gjatë dasmës së saj 3 vjet më parë. Ka shumë të ngjarë që agjencitë austriake të inteligjencës të kenë bërë një vlerësim të ndryshëm të asaj ngjarjeje në krahasim me homologët e tyre aleatë.

Ju nuk mund ta dini nëse vlerësimi i aleatit tuaj është i besueshëm, derisa ta keni kryer vetë një gjë të tillë. Ajo çfarë e bën unike grupin Five Eyes (Pesë Sytë) është angazhimi i tyre për të mos spiunuar njëri-tjetrin. Kudo tjetër, nuk ka një angazhim të tillë.

Sikurse u shpreh dikur ish-presidenti amerikan Ronald Reagan, duke iu referuar çarmatimit bërthamor:Beso, por verifiko!Liderët evropianë si Steinbrück, Beaune dhe Macron kanë të drejtë të zemërohen. Por ata nuk duhet të sillen sikur janë të tronditur nga kjo gjë.

Çdo udhëheqës di atë që dinte çdo qytetar pas “Perdes së Hekurt”: Vetëm bisedat me një person tjetër, të zhvilluara gjatë shëtitjeve në natyrë, janë të sigurta nga përgjimi. Madje edhe në atë rast kjo nuk është domosdoshmërisht e sigurt. Dhe është e sigurt të supozohet se Merkel, udhëheqësja e aftë e lindur në Gjermanisë Lindore, nuk ka diskutuar asnjë sekret shtetëror në bisedat e zhvilluara në telefonin e saj celular./ Nga Nga Elisabeth Braw – bota.al

Shënim: Elisabeth Braw, është anëtare e think-tankut American Enterprise Institute.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *