Srebrenica, damka e gjenocidit për Millosheviç- (ët)izmin!

srebrenica damka e gjenocidit per milloshevic etizmin































NGA PIRO AHMETAJ piroahmetajkk

Siç është mirënjohur, më 23 maj 2024, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së shpalli 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë. Sigurisht një akt shumë i vonuar, por që i bën nder “institucionit të kujtesës” si dhe vlerave të qytetërimit në mbarë globin. E thënë më shkurt, nga 11 korriku do njihet botërisht si data e gjenocidit kryer në qytetin Srebrenicë (rreth 30 mijë banorë në vitet ‘90), ku u vranë më shumë se 8000 boshnjakë myslimanë, kryesisht gra, pleq, djem dhe vajza të moshës 12 deri 77 vjet.

Masakra u krye në 11-18 korrik 1995 nga Ushtria Serbe nën udhëheqjen e gjeneralit famëkeq Ratko Mlladiq, para-ushtarakë të MB të Serbisë, qindra vullnetarë rusë, etj.! Shumë më herët se OKB-ja, Gjykata e Hagës e kishte shpallur gjenocid. Rezoluta jo vetëm shpall gjenocidin në Srebrenicë, por edhe u bën apel/kërkon vendeve anëtarëve: “Dënimin pa rezerva të çdo mohimi ose veprimeve që i madhërojnë të dënuarve për krime lufte, si dhe të përfshijnë në programet arsimore fakte të vërtetuara gjyqësore për gjenocidin në Srebenicë”.

Sigurisht, Gjermania meriton mirënjohjen për iniciativën, si dhe 84 vendet demokratike, që e votuan këtë akt fisnik “mosharrese” ndaj 8000 të masakruarve në Srebrenicë, si dhe për mesazhet që i përcollën botës së qytetëruar “kurrë më/never again” për paqen dhe të ardhmen euroatlantike të qytetarëve jo vetëm të Ballkanin Perëndimor: “E vërteta vonon, por kurrë nuk harron”. E propozuar nga Gjermania (do të doja që bashkë-propozuese të ishte edhe RSH…), që ka vuajtur pasojat për krimet çnjerëzore të Hitlerit, i jep shumë vlerë dhe i bën nder shtesë lidershipit të Berlinit Zyrtar.

Nga ana tjetër, meriton damkosjen gjeopolitike lista e 19 vendeve, si Rusia, Bjellorusia, Kuba, Mali, përfshi çuditërisht Hungarinë (i vetmi vend i NATO/BE), që e refuzuan rezolutën si dhe ndaj mendjeve e ndryshkura jo vetëm në Beograd, Banja Luka, që nuk arritën ta lexonin këtë si një mundësi për të shpëtuar të ardhmen euroatlantike të qytetarëve të Ballkanit nga oshilacionet e krimeve çnjerëzore të Millosheviçit dhe interesat e Rusisë–Putiniste. Në mënyrë të posaçme, e gjej delekuente dalldisjen z. Vuçiç që flamurin e kombit serb në OKB e shpalosi mbi shpatullat/interesat e (mbi)pushtetit të tij, por në fakt e poshtëroi duke e unifikuar/shpërdoruar atë si leckë të gjakosur nga një masakër kriminale të Millosheviçit dhe zullumqarët rreth tij! Ndërsa për hartën, 68 vendet abstenuese (Greqi, Sllovaki Qipro, pra 2 vende të NATO-s dhe 3 të BE-së), zhgënjimi nuk do të mjaftonte për të përshkruar shterpësinë e intuitës dhe përgjegjësive gjeopolitike për moralin dhe dinjitetin e shteteve respektive në interes të jetës, paqes dhe vlerave të qytetërimit?!

Në shtesë, në “kapacitetin e Ekspertit të Sigurisë Kombëtare, Rajonit dhe NATO-s, e çmoj në kohën e duhur që përtej tallavasë bollshevike jo vetëm në Beograd – Moskë – Banja Luka, të sjellë një përmbledhje mbi rrethanat dhe përmasat e masakrës së Srebrenicës; hartën e qëndrimeve pro dhe kundër si dhe mësime/mesazhe strategjike që përcjell nga kjo masakër çnjerëzore për ballkanasit dhe mbarë njerëzimin.

* * *

Më 1991, BRSS u shpërbë paqësisht (në dhjetor 1991 Soviet Suprem u dha pavarësi dhe vetëqeverisje 15 republikave, përfshi Ukrainës). Ndërkohë në korrik 1991 ishte shpallur “i vdekur zyrtarisht” edhe Traktati Varshavës! Ndërsa ish-Federata e Jugosllavisë, që për 40 vjet kishte përfituar në të gjitha aspektet nga asnjanësia pragmatike e Titos: “as lindje as perëndim”. Vitet ‘90, e gjetën FY me një regjim ku e ku më të moderuar në raport me pronën, të drejtat e njeriut, besimin fetar si dhe ekonomikisht, krejtësisht tjetër psh., me RPSSH të rraskapitur dhe të gjunjëzuar nga regjimi 45-vjeçar i Enver Hoxhës. Por përkundër pritshmërive optimiste për oportunitetet gjeopolitike nga statusi asnjanës, zgjedhjet e para pluraliste në 1990, i fituan ekstremistët e Millosheviçit. Në mesin e 1991, Sllovenia, Kroacia dhe Maqedonia shpallën pavarësinë, ndërsa në vjeshtën e 1991 ushtria Serbe, rrafshoi Vukovarin dhe bombarduan si barbarë qytetin antik të Dubrovnikut! Konflikti etnik dhe fetar në Bosnje-Hercegovinë mbetet më i përgjakshmi.

Pavarësisht se pavarësia e B-H u njoh ndërkombëtarisht në prill 1992, ushtria e gjeneralit famëkeq Karaxhiç nuk e njohu dhe e mbajti të rrethuar Sarajevën për 1425 ditë (5 prill 1992 – 29 shkurt 1996). Krimet e luftës arritën kulmin me masakrën e Srebrenicës (11-22 korrik 1995), ku u vranë barbarisht 8000 burra, gra dhe fëmijë myslimanë. Kjo masakër jo vetëm damkosi përjetësisht si kriminel Millosheviçin dhe mbi 100 pasues të tij, por ngriti edhe pikëpyetje të forta zhgënjimi për pafuqinë e OKB-së (kaskave Blu), BE, etj. Mbas ndërhyrjes së NATO-s, Marrëveshja e Dejtonit (14 dhjetor 1995), i dha fund luftës 4-vjeçare. Bosnje-Hercegovina u njoh si shtet i tre popujve dhe dy entiteteve, B-H dhe Republika Sërpska.

Por disa strategjistë/kolegë të kohës, theksuan se: “Kjo nuk ishte një paqe 100% e drejtë, por sigurisht ishte më e drejtë se vazhdimi i luftës”! Fatkeqësisht, koha iu dha shumë të drejtë. 30 vjet mbas Dejtonit – Vuçiçët/Dodikët e frymëzuar nga Putini, kërcënojnë statuskuonë gjeopolitike të BH dhe të krejt rajonit. Kosova mbeti fushëbeteja e fundit e masakrës së Millosheviçit (1998 – qershor 1999), me mbi 15.000 të vrarë, 5000 të zhdukur dhe rreth 1 milion shqiptarë të dëbuar barbarisht nga trojet dhe pronat e tyre. Gjithsesi, do të ishte e padrejtë të mos përsërisnim mirënjohjen kombëtare pasi: “Pa ndërhyrjen e fuqisë ushtarake të SHBA/NATO/UK, një masakër ndaj shqiptarëve do kishte kaluar përmasat e Srebrenicës, ndërsa vetë çlirimi Kosovës ishte mision i pamundur”.

Pas luftës (1999), paqja pati më shumë se një “dekadë mjalti”, ku vendet e Ballkanit (me histori të përgjakshme) në vend të luftës u përfshinë në garë kush do të anëtarësohej më shpejt në NATO dhe BE. Falë mbështetjes së SHBA, sigurisht edhe aspiratës dhe përpjekjeve nacionale: “Kroacia, Sllovenia janë anëtare të NATO/BE. Shqipëria, Mal i Zi, MV në NATO-”, bashkë me Serbinë (që do të pijë nga 4 nëna – Moska, Brukseli, Uashingtoni, Pekini), presin te dera përmbushjen e standardeve të anëtarësimit në BE”! Kosova & B-H vijojnë përpjekjet dëshpërues drejt NATO & BE.

* * *

Lexim gjeopolitik i hartës pro dhe kundër gjenocidit të Srebrenicës:

Fatmirësisht, para dhe pas rezolutës kemi qëndrime, mbështetje dhe mesazhe të forta nga Uashingtoni, Brukseli, Berlini, Londra, etj.: “Rezoluta nuk shënjestron asnjë shtet anëtar dhe nuk ngarkon kurrsesi me përgjegjësi kolektive asnjë grup njerëzish (sigurisht as popullin serb), ndërsa të gjithë e kemi detyrim t’i pranojmë faktet, ta mësojmë të vërtetën, t’i nderojmë viktimat si dhe t’i mbështesim përpjekjet për t’i gjetur dhe identifikuar viktimat dhe për t’i ndjekur dhe dënuar autorët”. Ndërsa për sa paqen dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, Aleanca Euroatlantike (USA/NATO/BE) ka paralajmëruar se: “Nuk do të tolerohen përpjekjet për shpërbërjen e B-H si dhe mbeten të vendosur për mbrojtjen e Marrëveshjes së Dejtonit dhe për të mos lejuar një luftë tjetër në Rajon”.

Për më qartë, ambasadori i SHBA në OKB, z. Robert Wood, pas miratimit të gjenocidit për Srebrenicën, theksoi: “Rezoluta patjetër do të kontribuojë për të siguruar që gjenocidi i kryer nga forcat serbe në Srebrenicë në korrik 1995 nuk do të përsëritet më kurrë, ndërsa mirëpresim vendimin e Përfaqësuesit të Lartë për B-H për të ndaluar pjesëmarrjen në zgjedhje të personave që kanë kryer gjenocid”. Nga ana tjetër, këto qëndrime do të mbeten një mesazh për të qetësuar cinizmin e Rusisë/Lavrovit, i cili rezolutën në fjalë e cilësoi si: “shantazh për të nënshtruar Serbët që t’u bashkohen sanksioneve ndaj Rusisë”, si dhe kërcënoi se: “Kjo do të shkaktojë pasoja në stabilitetin dhe të ardhmen e Ballkanit Perëndimor”!? Sigurisht, fushata kundër rezolutës në OKB-së udhëhiqet nga presidenti serb Vuçic, ish-ministër i Millosheviçit bëri (por humbi) gjithçka për të penguar miratimin: “Rezoluta për Srebrenicën do të thotë hapja e kutisë së Pandorës për paqen e Ballkanit Perëndimor”.

Edhe politikanët serbë në B-H e paraqesin rezolutën si simbol të “turpit, frikës dhe trishtimit për çdo serb”? Kjo, pasi Srebrenica, keqpërdoret nga pushtetarët për të përhapur frikën mbi popullin serb, për rreziqet nëse nuk ndjekin liderët politikë si Dodikun dhe Vuçiçin?! Ndërsa politikanët boshnjakë iu referohen vendimeve të Gjykatës së Hagës, nga e cila dhjetëra politikanë dhe ushtarakë të RS u dënuan për gjenocidin në Srebrenicë. Presidenti i Partisë të Veprimit Demokratik, Izetbegoviq, paralajmëroi OKB-në se të dënuarit për gjenocid në Srebrenicë glorifikohen si “heronj Serbë” nga politikanët dhe opinioni publik në RS, ndërsa në vetëdijen kolektive përpjekjet për të vendosur fajësinë individuale “perceptohet si thirrje për faj kolektiv të serbëve në B-H dhe Serbi”.

Gjithsesi, besoj se rikthimi i mendjeve të ndryshkura dhe investimi shtetëror i Beogradit te burimet e luftës së përgjakshme, mund të kënaqë ekstremistët, krimin e organizuar, oligarkët dhe ushtrinë e pushtetarëve të korruptuar, por pa asnjë diskutim është një thikë mbas shpinës së paqës, masave të mirëbesimit reciprok dhe axhendës së integrimit Euroatlantik të 5 vendeve të rajonit. Ndërsa përkundër kësaj, rezoluta për Srebrenicën është: “Një mundësi e re për t’u përballur me të vërtetën si dhe një shans i ri për të mbjellë frymën e mirëbesimit dhe bashkëjetesës paqësore mes popujve dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

* * *

Pesë mësime si dhe 5 mesazhe strategjike që mund të nxjerrim nga gjenocidi i Srebrenicës:

Së pari, mësimi ulëritës: “Nëse harrojmë, e keqja përsëritet edhe më mizorisht”. Neonazistët e Rusisë-Putiniste; Kim-Jongët e Azisë dhe shtetet apo organizatat, terroriste; ushtarët/pasuesit e oshilacioneve të Millosheviçit në Beograd apo Dodikët e droguar nga interesat e Moskës dhe korrupsioni, jo vetëm po kërcënojnë sovranitetin territorial të Ukrainës martire; paqen në Lindjen e Mesme, sigurinë dhe axhendën e integrimit të 5 vendeve të Ballkanit Perëndimor, por po sfidojnë seriozisht vlerat themelore, rendin global, fuqinë e aleancës Euroatlantike (USA/ NATO/UK/BE) si dhe stabilitetin demokratik të shoqërisë njerëzore.

Së dyti, rezoluta për Srebrenicën do të shërbejë jo vetëm si ilaç shërimi nga urrejtja shekullore, por edhe si mundësi për t’u përballur me të vërtetën, ndërsa përgjegjësia për gjenocidin i mbetet makinerisë kriminale të Millosheviçit dhe kurrsesi e gjithë popullit serb.

Së treti, gjenocidi Srebrenicës mbetet ende si një kambanë zgjimi për 32 vendet NATO-s, rrjedhimisht edhe për vendin tonë: “Jo vetëm të mbështesim me deklarata diplomatike Ukrainën, NATOn, SHBA-të, por në këtë betejë ‘për jetë a vdekje’ me të keqen e përbashkët, të marrin përgjegjësitë, për të përmirësuar rrënjësisht Institucionin e mosharresës, sistemin dhe kapacitetet e sigurisë në përballjen neo-nazistët e rinj dhe sundimtarët e marrosur që po kërcënojnë më shumë se kurrë që nga Lufta e II Botërore, jetët njerëzore, rendin global, vlerat demokratike si interesat euroatlantike.

Së katërti, sigurisht, Srebrenica meriton të skalitet si gjenocid edhe për mesazhet aktuale dhe që mbeten të përjetshme për mbarë njerëzimin: “për lirinë, paqen, sigurinë, stabilitetin demokratik dhe vlerat themelore, do të na duhet të mos harrojmë kurrë. Për më tepër, ia vlen dhe duhet çdo ditë vigjilencë, solidaritet, pra duhet çdo ditë të punojmë/luftojmë fortë, me përgjegjshmëri dhe sakrifica”!

Së pesti/fundmi, “falni, por mos harroni (Forget but not forgive) që mbetet si “epitaf” jo vetëm për B-H e masakruar dhe Kosovën e martirizuar si dhe për MV, Malin e Zi, Kroacinë, Slloveninë, Shqipërinë, si dhe vetë Serbinë që e paguan shumë shtrenjtë marrëzinë e Millosheviçit, por edhe si mirënjohje e merituar për USA, NATO/GE/BE, që kontribuuan (dhe vijojnë të mbajnë peshë kritike) aq shumë për paqen e rajonit, fatkeqësisht ende të mbërthyer nga oshilacionet e urrejtjes dhe gjakderdhjes shekullore.

Ekspert për SK, Rajonin dhe NATO-n, Zv.President i Këshillit Atlantikut, & ish-Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në PD, Këshilltar i Presidentit, Zv.ShShPFA, Përfaqësues Ushtarak në SHAPE/NATO.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” <!–

–> © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.al

Spread the love

Similar Posts