Stadiume të reja dhe rregulla strikte, ja si Katari pret Botërorin








Tashmë ka nisur numërimi mbrapsht dhe vetëm 389 ditë na ndajnë nga edicioni i 22-të i kompeticionit më të rëndësishëm të futbollit, Botërorit që do të mbahet në Katar dhe do të kujtohet si një nga më të veçantët, jo vetëm për faktin që është i fundit që do të luhet me 32 kombëtare (nga 2026 do të jenë 48), por edhe për faktin që ndryshe nga zakonisht, do të luhet në vjeshtëdimër.

katar

Sipari do të ngrihet në 21 nëntor 2022 dhe perdja do të ulet në 18 dhjetor me shfaqjen kryesore të finales së madhe. Por, kurioziteti është i madh për Katarin, vendin mikpritës, që edhe pse më shumë se një vit larg, ka filluar të jetojë që tani me ajër futbolli.

STADIUMET – 6.5 miliardë dollarë janë shpenzuar vetëm në stadiume dhe fusha stërvitore. Botërori do të luhet në tetë stadiume (shtatë të reja dhe një i rinovuar) të vendosura në pesë qytete: Doha, Al Khor, Al Uakrah, Ar Rajan, Lusail. Për momentin, përveç Katarit, janë kualifikuar edhe Gjermania dhe Danimarka. Ndeshjet janë caktuar në orën 18:00 dhe 22:00 me orën lokale, por disa sfida të fazës së parë do të zhvillohen në orën 13:00. 98% e strukturave tashmë janë përfunduar dhe pas Kupës së Botës, shumë prej këtyre impianteve do të çmontohen pjesërisht ose tërësisht. Çdo stadium është i frymëzuar nga një aspekt i historisë dhe kulturës së Katarit. Shtatë nga tetë stadiume kanë ajër të kondicionuar jo vetëm në tribuna, por edhe në fushë. Katari ka garantuar ndërtimin e stadiumeve moderne, me sistem ftohjeje dhe mbyllje çatish.

PRIVATËSIA – Luksi është kusht: në stadiumin “Al Bayt”, ku do të mbahet përurimi, ka suita dhe dhoma gjumi me pamje nga fusha. Një perde e errët siguron privatësinë dhe izolimin nga pjesa tjetër e spektatorëve. Një nga problemet me të cilat do të përballet FIFA në muajt në vijim do të jetë shpërndarja e ekipeve kombëtare në fushat stërvitore. Është e mundur bashkëjetesa e dy skuadrave në qendrat e mëdha sportive që presin disa fusha. Për të dekurajuar spiunët, do të aktivizohen disa masa mbrojtëse, por gjithsesi nuk duket aq e pamundur që të zbulohen skemat e kundërshtarëve në një situatë të tillë.

LOGJISTIKA – 1.2 milionë tifozë të huaj priten në muajin e Kupës së Botës. Udhëtimi nuk është me kosto të ulët dhe kjo nuk u ka shpëtuar organizatorëve të cilët premtojnë tarifa të kontrolluara për fluturimet dhe veçanërisht për hotelet. Trafiku është goxha djallëzor dhe tifozët do të duhet të lëvizin me metro e cila do të arrijë pothuajse të gjitha objektet e ndërtuara për këtë qëllim.

RREGULLAT DHE ALKOOLI – Nuk dihet si do të jetë situata e COVID-it pas një viti, por për momentin për të hyrë në Katar duhet të jesh patjetër i vaksinuar ose me një tampon negativ të kryer para 72 orëve. Së fundi, alkooli: Katari është një vend mysliman, vera dhe birra aktualisht lejohen vetëm në restorantet e hoteleve të mëdha. Por në muajt në vijim do të licencohen edhe restorante të tjera. Dhe në disa zona të Dohas, fansat do të mund të blejnë dhe konsumojnë alkool: të bëjnë dolli edhe për Katarin, i cili premton të organizojë një festë të mrekullueshme.

© Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume: botasot.al

Spread the love

Similar Posts

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *